Shoqata e Konsumatorëve: Rritja e rrymës po hap zinxhir abuzimesh me çmime

30 prill 2025 | 20:47

Selatin Kaçaniku nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve ka paralajmëruar se rritja e çmimit të energjisë elektrike mund të shkaktojë një valë të re ngritjesh të çmimeve të produkteve bazike, edhe para se çmimi i ri të reflektohet në faturat e qytetarëve.

Ai për GazetaBlic thekson se shumë biznese kanë vepruar në mënyrë spekulative, duke shfrytëzuar paralajmërimet për shtrenjtim të rrymës si justifikim për rritje të menjëhershme të çmimeve, shpesh edhe pa arsye ekonomike.

Kaçaniku paralajmëron për rrezikun e një “anarkie në treg”, ku çmimet rriten pa standarde apo mbikëqyrje adekuate, duke rënduar së pari shtresat më të varfra dhe tani edhe shtresën e mesme, e cila, sipas tij, po jeton me kredi dhe mbështetje nga diaspora.

Ai përmend produktet bazike si ushqimet, shërbimet dhe mallrat e përditshme, si më të rrezikuarat për shtrenjtim.

Shoqata kërkon reagim urgjent nga Qeveria, përfshirë krijimin e një ministrie që do të mbrojë të drejtat e konsumatorëve, rregullimin e tregut të brendshëm, dhe ndalimin e abuzimeve me çmime nga bizneset. Sipas Kaçanikut, është e domosdoshme të ndalet praktika e planifikimit buxhetor që mbështetet në rritje çmimesh dhe të garantohet një standard jetese i dinjitetshëm për qytetarët.

 Me shtrenjtimin e rrymës, çka e pret konsumatorin duke marrë parasysh se të gjitha produktet bazike rrezikojnë të shtrenjtohen?

Kaçaniku: Paralajmërimi për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike ishte sikur një “thirrje” për ngritjen e çmimeve të prodhimeve, mallrave dhe shërbimeve të tjera, qoftë vendore apo të importuara – madje pa u zbatuar ende çmimi i ri në faturë dhe pa u aplikuar si input në prodhim, mall apo shërbim të ofruar/shitur.

Pas këtij paralajmërimi, çmimet e shumë prodhimeve, mallrave dhe shërbimeve sikur “ia zunë pritën” Qeverisë, MINT-it dhe institucioneve të tjera, inspektorateve… madje edhe prokurorive, të cilat vazhdojnë të heshtin përballë këtyre veprimeve spekulative.

Këto veprime të pakontrolluara, jashtë ndikimit të standardeve socio-ekonomike, publike, etike, morale dhe juridike-ligjore, rrezikojnë të shkaktojnë një anarki në tregun e prodhimeve, mallrave dhe shërbimeve – i cili edhe ashtu është joefektiv dhe jashtë ndikimit të ligjeve themelore të tregut të lirë dhe konkurrencës së ndershme.

Paralajmërimi, i pakujdesshëm dhe me fjalor të papërshtatshëm, për ngritjen e çmimit të energjentit më të rëndësishëm – energjisë elektrike – nga e cila varen të gjitha degët dhe sektorët socio-ekonomikë, publikë dhe administrativë, është përdorur edhe nga politikanë dhe deputetë, të cilët përmes seancave të shpeshta, të kota dhe të kushtueshme, kanë rritur koston e orës së tyre të punës dhe të “konsulencës”, në mënyrë joformale dhe jashtë çdo standardi etik – duke shkelur besimin e qytetarit si votues, taksapagues dhe konsumator, i cili është burimi kryesor i buxhetit nga i cili financohen Kuvendi dhe Qeveria.

Kjo i ka dhënë kurajo dhe shembull të keq të gjithë prodhuesve, shitësve, furnitorëve, të cilët tashmë e shohin këtë si moment të përshtatshëm për rritje çmimesh – me ose pa arsye apo arsyeshmëri ekonomike.

Ngritja e çmimeve të prodhimeve, mallrave dhe shërbimeve, pas paralajmërimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike, është një sinjal për rritje të pakontrolluar, të paarsyeshme, mashtruese dhe spekulative të çmimeve, veçanërisht pas 1 Majit, kur do të lëshohet fatura e parë me çmimin e ri – që mund të nënkuptojë një ngritje të dytë të çmimeve.

Asnjë legjislaturë e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës nuk e ka konsideruar kujdesin ndaj qytetarit konsumator si pjesë të mandatit të saj. Shtresa e varfër e qytetarëve tashmë është në gjendje falimenti. Ky faliment po rrezikon edhe shtresën e mesme, e cila prej kohësh jeton me kredi, overdrafte, punë të dyta, ndihmë nga familjarët dhe diaspora – madje po detyrohet të emigrojë për një standard më të mirë jetese.

Cilat janë produktet që mund të shtrenjtohen më shumë dhe janë elementare?

Kaçaniku: Që nga paralajmërimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, janë vërejtur ngritje çmimesh në disa artikuj bazikë – ndonëse çmimi i rrymës ende nuk është rritur zyrtarisht. Kjo tregon se situata është e paparashikueshme, jo normale, jo etike dhe kaotike. Nëse ka shtrenjtim çmimesh për produktet ku energjia elektrike nuk është faktor i madh kostoje, çfarë duhet të presim nga produktet apo shërbimet ku ajo është input thelbësor?

Çfarë duhet bërë?

Kacaniku: Qeveria duhet:

1) Të jetë serioze dhe ta njohë qytetarin konsumator si gjeneruesin kryesor të buxhetit të Kosovës.
2) Të detajojë Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik duke e konsideruar konsumatorin komponentën kryesore.
3) Të krijojë një ministri që do të mbrojë të drejtat dhe interesat e qytetarit konsumator, me të drejtë veto ndaj vendimeve që e dëmtojnë atë.
4) Të ndërtojë tregun e brendshëm funksional që rregullon automatikisht çmimet dhe konkurrencën.
5) Të rrisë zbatimin e ligjeve nga 40% në 100%.
6) Të ndërmarrë masa për disiplinimin e bizneseve që abuzojnë me çmime dhe spekulime.
7) Të ndalë planifikimin e buxhetit shtetëror mbi bazën e inflacionit dhe rritjes së çmimeve.
8) Të ketë qëndrim të qartë ndaj faktit se një qytetar i varfër pasqyron një shtet të varfër – dhe të veprojë në përputhje me këtë.
9) Të eliminojë kartelizimet, monopolin dhe “pushtetet paralele” që rrisin çmimin për konsumatorin.
10) Të emërojë atashe tregtarë në vendet me të cilat ka shkëmbim të madh ekonomik për të ndikuar në uljen e çmimeve të importit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person, në cilësinë e palës në procedurë, dyshohet se…