Shoqata e Onkologëve të Kosovës kërkon punësimin e onkologëve të rinj për të përballuar fluksin e të sëmurëve

10 mars 2026 | 13:47

Shoqata e Onkologëve të Kosovës ka kërkuar, përmes një reagimi publik, rritjen e stafit mjekësor me onkologë të rinj në Klinikën e Onkologjisë. Sipas saj, çdo specialist i papunësuar përfaqëson një mundësi të humbur për diagnostikim më të shpejtë, trajtim më të personalizuar dhe përmirësim të kujdesit për pacientët me sëmundje malinje në Kosovë.

Reagimi i plotë publik i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës(SHOK):

Shoqata e Onkologëve të Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me situatën aktuale të shërbimeve onkologjike në vend, në një kohë kur numri i pacientëve me sëmundje malinje vazhdon të rritet nga viti në vit. Pavarësisht nevojës së madhe për shërbime onkologjike dhe ngarkesës së vazhdueshme në sistemin shëndetësor publik, disa specialistë të rinj të onkologjisë, të trajnuar për vite me radhë me investim të konsiderueshëm publik dhe personal, vazhdojnë të mbeten pa mundësi punësimi në institucionet publike. Shoqata e Onkologëve të Kosovës vlerëson se çdo specialist i papunësuar përfaqëson një mundësi të humbur për diagnostikim më të shpejtë, trajtim më të personalizuar dhe përmirësim të përgjithshëm të kujdesit për pacientët me sëmundje malinje në Kosovë. Aktualisht, aplikimi i kimioterapisë dhe radioterapisë në nivel vendi realizohet kryesisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjë që krijon ngarkesë të madhe për sistemin dhe shpeshherë rezulton me vonesa në trajtimin e pacientëve.

Në këtë kontekst, Shoqata e Onkologëve të Kosovës konsideron se angazhimi sa më i shpejtë i onkologëve të rinj do të kontribuonte drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve të shërbimeve onkologjike, përmirësimin e qasjes së pacientëve në trajtim dhe në uljen e kohës së pritjes për terapi. Shoqata u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të adresojnë me prioritet këtë çështje, duke krijuar mundësi për integrimin e specialistëve të rinj në sistemin shëndetësor publik dhe duke forcuar kapacitetet e shërbimeve onkologjike në vend. Përmirësimi i trajtimit të pacientëve me kancer duhet të mbetet prioritet i përbashkët institucional dhe profesional.

Mars 2026

#SHOK#

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të martën u bë shpërndarja e pajisjeve bujqësore për 31…