Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës nderon heroin Shaban Shala në përvjetorin e ndarjes nga jeta

05 janar 2026 | 23:31

Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës përkujton me respektin më të lartë heroin e Republikës së Kosovës, Shaban Shala, në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Më 5 janar 2012, u nda nga familja, shokët dhe miqtë Shaban Veli Shala, një nga figurat më të shquara të rezistencës kombëtare shqiptare. Që në moshën e re, vetëm 23 vjeç, ai u angazhua aktivisht në Demonstratat e mars–prillit 1981, ku kërkohej çlirimi i Kosovës nga pushtimi jugosllavo-serb. Me bindjen se rruga e lirisë nuk është e largët kur bashkohemi rreth Flamurit, Shabani i kushtoi jetën çështjes kombëtare.

Gjatë studimeve në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Juridik (1978–1982), ai u lidh me shumë bashkëveprimtarë, me të cilët punuan për organizimin e popullit dhe rezistencën kundër pushtuesit. Për veprimtari politike kombëtare, të cilën pushtuesit e cilësonin si “ilegale” dhe “armiqësore”, u dënua nga gjykatat jugosllave me 7 vite burg.

Edhe pas përfundimit të dënimit në vitin 1991, Shaban Shala nuk e ndali asnjëherë veprimtarinë e tij çlirimtare. Ai ishte aktiv në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Prishtinë dhe ishte bashkëthemelues i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës. Me përkushtim të palëkundur, mori pjesë në të gjitha proceset politike, civile dhe luftarake, përfshirë edhe luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër shtetit të Jugosllavisë.

Pas përfundimit të luftës dhe fitores ndaj forcave armike jugosllave, Shaban Shala u dekorua me gradën ushtarake Gjeneral Major. Sot, ai mban me meritë titullin Hero i Kosovës.

Çdo vit, Shaban Shala përkujtohet nga familja, shokët dhe miqtë e tij, ndërsa Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës e nderon me konsideratën më të lartë dhe përkulet me respekt para varrit të tij.

“Lavdi jetës dhe veprës së Shaban Shalës, Hero i Republikës së Kosovës”, shkruan Shefik Sadiku, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, në emër të Shoqatës, në këtë përkujtim të veçantë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Udhëheqësi çeçen, Ramzan Kadyrov, tha të hënën se kishte emëruar…