Shoqatat e dala nga lufta reagojnë pas vendimit të Speciales: Zhgënjyes dhe i padrejtë, s’mund të mbyllen sytë para realitet që njeh bota

16 korrik 2025 | 14:22

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVLUÇK), Shoqata e Invalidëve të Luftës (ShIL) dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve (ShFD) kanë reaguar ndaj rrëzimit të mocionit të mbrojtjes së krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar vendimin zhgënjyes dhe shqetësues për drejtësinë.

Sipas reagimit, kjo gjykatë po rrezikon të shndërrohet në mjet për rishkrim të historisë dhe jo në garanci për drejtësinë.

“UÇK-ja dhe drejtuesit e saj nuk kanë nevojë për mëshirë, por për një gjykim të drejtë, të barabartë dhe të bazuar në të vërtetën historike të luftës për liri. Gjykata nuk mund të mbyllë sytë para realitetit që e njeh bota se UÇK-ja ishte forcë çlirimtare”, është thënë në reagimin e organizatave nga lufta.

Reagimi i plotë:

OVL, ShIL, dhe ShFD kanë ndjekur me vëmendje rrëzimin e mocionit të paraqitur nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara. Ky vendim është zhgënjyes dhe ngjall shqetësime serioze për drejtësinë dhe paanshmërinë që kjo gjykatë pretendon ta përfaqësojë.

Rrëzimi i mocionit është mesazh negativ për drejtësinë

Kur përballë fakteve, dëshmive dhe shkeljeve procedurale mohohet edhe një shqyrtim i drejtë i mocioneve mbrojtëse, krijohet përshtypja e një procesi të njëanshëm dhe të orientuar politikisht.

Qëndresa jonë nuk do të ndalet.

UÇK-ja dhe drejtuesit e saj nuk kanë nevojë për mëshirë, por për një gjykim të drejtë, të barabartë dhe të bazuar në të vërtetën historike të luftës për liri. Gjykata nuk mund të mbyllë sytë para realitetit që e njeh bota se UÇK-ja ishte forcë çlirimtare.

I bëjmë thirrje opinionit publik dhe komunitetit ndërkombëtar që të mos bien pre e një narrative të shtrembëruar. Kjo gjykatë po rrezikon të shndërrohet në mjet për rishkrim të historisë, e jo në garanci të drejtësisë.

Në emër të të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, do të qëndrojmë gjithmonë në mbrojtje të së vërtetës dhe të drejtave të bashkëluftëtarëve tanë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nesër (e enjte) më 17 korrik shënohet 27 vjetori i…