
Shoqëri me kokë të ulur – jo nga turpi, por nga telefoni
Shukrije Rama
Në çdo qoshe të jetës së përditshme: në kafene, në autobus, në shkollë, në tryezat e familjes, njerëzit rrinë me sy të ngulur në ekran të ndriçuar e në ndërgjegje të fikur. Jo nga nevoja për dijeni, por nga varësia ndaj kotësive dhe ligësirave digjitale. Shoqëria po futet në një gjendje alarmante lodhjeje mendore. Jo nga mendime të thella apo sfida jetësore, por nga një rrjedhë pa fund gjërash të kota. Gjëra pa emër, pa shpirt, që zënë vend në tru dhe gërryejnë njerëzoren në heshtje.
Në mëngjes, shumë njerëz i dorëzohen telefonit pa kushte. E lejojnë trurin të mbushet me zëra të panjohur, me imazhe të huaja, me thashetheme dhe tituj të rremë. Truri, ai vend që dikur ruante zërin e nënës, përqafimin e fëmijërisë, fjalët e urta të një babai, sot është kthyer në një kazan hedhurinash digjitale. Jo sepse është dobësuar, por sepse çelësat e trurit i janë dorëzuar kujtdo, dhe tashmë, truri çelet nga kushdo, në çdo orë, ndaj gjithçkaje: e vërtetë apo e rreme, e shëndetshme apo e shthurur. Çfarëdo hyn pa trokitur. Dhe kështu, sekondat e jetës, koha më e vlefshme, po grabiten nga llomshitë e ekraneve. Vëmendja që mund t’u jepej fëmijëve, prindërve, vetes, po shuhet në një rrjedhë pamjesh të pakuptimta. Po vidhet koha e artë për gjëra që nuk ndërtojnë asgjë, nuk mësojnë asgjë, nuk mbjellin asgjë, vetëm kotësi dhe huti.
Fëmijët që presin një fjalë, marrin heshtje. Prindërit që shpresojnë për një telefonatë, mbeten duke pritur. Ata që duan më shumë, marrin më pak, sepse vëmendja u jepet atyre që nuk dinë as që ekzistojnë. Është bërë normale të jesh në të njëjtën dhomë me familjen, por të mos jesh aty. Të mos flasësh. Të mos dëgjosh. Të mos reagosh. Të jesh i zënë, jo me ndonjë sfidë madhore, por me një tjetër fytyrë që bën teatër në një ekran të vogël shkatërrues.
Po rriten breza që dinë të ndjekin të panjohurit, por nuk dinë të dëgjojnë nënën. Që dinë të jenë online me botën, por nuk dinë të jenë të pranishëm në tryezën e shtëpisë. Truri ushqehet përditë me kotësi, dhe çuditërisht, nuk proteston. Vetëm hesht. Truri i njeriut nuk është një arenë publike. Nuk është vend për çdo zhurmë të radhës. Është vend i shenjtë. Dhe duhet mbrojtur si i tillë. Nuk mund të lihen pas dore ata me të cilët ndërtohet jeta, për të ndjekur fytyra që as nuk do t’ju shikojnë kurrë në sy, madje as nuk e dinë që ekzistoni.