Shoqëria civile i shkruan letër Osmanit, kërkon të miratohet buxheti para zgjedhjeve të reja

28 tetor 2025 | 15:45

Një numër organizatash civile i janë drejtuar me një letër presidentes së vendit, Vjosa Osmani, duke i kërkuar ndërmjetësim politik për çështjen e buxhetit të vitit 2026 dhe marrëveshjeve rreth Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian.

Këto OJQ në letrën nisur presidentes kanë thënë se në mungesë të një marrëveshjeje politike për formimin e qeverisë së re dhe pas deklarimeve publike të udhëheqësve të partive më të mëdha parlamentare se nuk kanë interesim apo mundësi për ta krijuar Qeverinë edhe nëse një mundësi e tillë iu ofrohet, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.

Në letër, Osmanit i janë thënë se dy çështje janë “veçanërisht të domosdoshme” për të cilat mund të arrihet pajtim i gjerë ndërmjet të gjitha forcave politike.

“Miratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm dhe miratimi i marrëveshjeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Planin e Rritjes para shpërbërjes së Kuvendit”, është thënë në letrën e OJQ-vë.

Letra e plotë:

Në mungesë të një marrëveshjeje politike për formimin e Qeverisë së re, dhe pas deklarimeve publike të udhëheqësve të partive më të mëdha parlamentare se nuk kanë interesim apo mundësi për ta krijuar Qeverinë edhe nëse një mundësi e tillë iu ofrohet, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.
Në këto rrethana të ndjeshme për stabilitetin institucional dhe ekonomik të vendit, duke u mbështetur në gatishmërinë tuaj të mëhershme për të konsultuar shoqërinë civile dhe në ftesën tuaj që të ndajmë me ju shqetësimet dhe propozimet tona sa herë që i konsiderojmë të rëndësishme për vendin, ne, si organizata të shoqërisë civile dhe profesionistë të angazhuar në fushën e qeverisjes, financave publike, dhe demokracisë ndjejmë detyrimin qytetar e profesional që t’ju drejtohemi me shqetësimet tona mbi situatën aktuale dhe me disa propozime konkrete për tejkalimin e saj në mënyrë të përgjegjshme dhe ligjore.
Jemi të vetëdijshëm se ka shumë çështje që kërkojnë vëmendje urgjente nga Kuvendi i Kosovës në këtë periudhë të ndjeshme politike. Megjithatë, vlerësojmë se dy ndër to janë veçanërisht të domosdoshme dhe për të cilat mund të arrihet pajtim i gjerë ndërmjet të gjitha forcave politike. Miratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm dhe miratimi i Marrëveshjeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Planin e Rritjes para shpërbërjes së Kuvendit.
Sipas nenit 24 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive, në rastet kur Ligji i buxhetit nuk miratohet para fillimit të vitit fiskal dhe kemi zgjedhje nacionale në pjesën e fundit të vitit, atëherë mund të ndodhin zgjatje të përkohshme të buxhetit të vitit paraprak (2025) vetëm deri në fund të muajit shkurt të vitit vijues. Pas skadimit të kësaj periudhe, nëse Kuvendi akutal nuk autorizon një zgjatje deri në muajin mars të vitit vijues, siç lejon ligji më lartë, atëherë asnjë organizatë buxhetore nuk mund të autorizojë shpenzime, përveç pagesave për borxhin publik. Një situatë e tillë do të paralizonte pagesat për pagat e mësimdhënësve, mjekëve, administratës publike, për transferet sociale të qindra mijëra qytetarëve të Kosovës, realizimin e punëve publike, dhe më shumë.
Po ashtu, si rrjedhojë e bllokadës institucionale shumë-mujore Kosova është vendi i vetëm në rajon që ende nuk i ka ratifikuar Marrëveshjet me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes. Kjo po e pamundëson arkëtimin e parapagesës dhe disbursimin e këstit të parë për masat e zbatuara sipas kësaj marrëveshjeje dhe humbjen e një mundësie të rëndësishme për të rikthyer besimin e Bashkimit Evropian dhe qytetarëve në përkushtimin e institucioneve të vendit ndaj procesit të integrimit evropian.
Duke pasur parasysh rolin tuaj kushtetues dhe konsensual, ju bëjmë thirrje që të ndërmerrni iniciativë për ndërmjetësim politik, duke ftuar partitë parlamentare që të gjejnë një zgjidhje të përkohshme e funksionale për çështjen e buxhetit dhe marrëveshjeve në fjalë, para se të shpërbëhet Kuvendi aktual dhe vendi të shkojë në zgjedhje.
Ne propozojmë këto rrugë të mundshme ligjore dhe të zbatueshme:
1. Qeveria në detyrë të dorëzojë në Kuvend Projektligjin e buxhetit për vitin 2026, në përputhje me kompetencat që i jep Ligji për Qeverinë si dhe në pajtim ligjet dhe Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që Kuvendi aktual ta miratojë një buxhet të rregullt për vitin e ardhshëm me procedurë të përshpejtuar. Ky është edhe opsioni më i mirë dhe më i sigurt, marrë parasysh se themelimi i institucioneve të reja mund të zvarritet për muaj të tërë, siç ndodhi gjatë këtij viti. Theksojmë se Qeveria e re, pas konstituimit, mund ta plotësojë dhe ndryshojë buxhetin dhe përshtasë disa nga linjat sipas programit të saj.
2. Nëse opsoni më lart nuk realizohet, atëherë Kuvendi aktual të paktën të votojë një zgjatje të buxhetit aktual deri në fund të muajit mars 2026, duke u bazuar në dispozitat e nenit 24 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, në mënyrë që të garantohet funksionimi bazik i shtetit dhe stabiliteti financiar deri në formimin e institucioneve të reja.
Një hap i tillë, përveçse do të shmangte rrezikun e një krize buxhetore të paprecedentë, do të sillte edhe qetësi e siguri më të madhe për qytetarët, sidomos për ata dhe ato që varen nga pagat dhe transferet publike, duke i shpëtuar nga ndjenja e ankthit dhe pasigurisë ekonomike gjatë periudhës zgjedhore. Një stabilitet i tillë financiar dhe institucional do të ishte thelbësor edhe për mbarëvajtjen e procesit demokratik, duke u mundësuar qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë të lirë, dhe pa ndjenja presioni ekonomik apo pasigurie për të ardhmen.
3. Të ratifikohet Marrëveshja e Facilitetit, tashmë e negociuar dhe nënshkruar nga Komisioni Evropian dhe Qeveria e Kosovës. Po ashtu, të nënshkruhet Marrëveshja e Huasë nga Zëvendësministri përgjegjës në detyrë në MFPT, duke qenë se nuk ka mandat deputeti. Duam të theksojmë se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje nuk e shkel Ligjin për Qeverinë meqenëse iniciimi i saj ka ndodhur më 4 dhjetor 2024, në kohën kur Qeveria kishte mandat të plotë. Vetëm kur të ratifikohen këto dy marrëveshje, Kosova mund të përfitojë nga Plani i Rritjes.
4. Ne rekomandojmë që në shërbim të përshpejtimit të procedurave, të përdoret Neni 123 i Rregullores së Kuvendit për anashkalimin e afateve dhe veprimeve tjera procedurale në mënyrë miratimi i buxhetit dhe ratifikimi i marrëveshjeve të bëhet me shpejtësinë që e kërkon urgjenca e situatës.
E ardhmja financiare e vendit dhe mirëqenia e qytetarëve nuk duhet të bëhen peng i bllokadave politike. Ne besojmë se përvoja, autoriteti dhe roli juaj unifikues si Presidente e Republikës mund të jenë përcaktues për të shmangur një krizë që do të prekte shumë familje në Kosovë, si dhe për të forcuar besimin në institucione dhe partneritetin me Bashkimin Evropian në këtë moment vendimtar për vendin.
Me respekt,
Instituti GAP
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK)
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI)
SHL-Kosova
Balkan Green Foundation
Community Building Mitrovica (CBM)
Community Development Fund (CDF)
Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)
Activism Roots
Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ)
Qendra per Zhvillimin e Grupeve Shoqerore (CSGD)
Kosova – Women 4 Women (K-W4W)
EC Ma Ndryshe
YMCA Kosova
TOKA
Organization for Partnership, Engagement and Development (OPED)
Advocacy Training and Resource Center (ATRC)
Prishtina Institute for Political Studies (PIPS)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe partia e tij, duket…