 
                    Shoqëria civile kundër vendimit të sotëm të qeverisë: U shkel Kushtetuta e aktgjykimet
Katërmbëdhjetë organizata joqeveritare (OJQ) përmes një reagimi të përbashkët, kanë vlerësuar se veprimi i sotëm i qeverisë në detyrë gjatë procedimit dhe miratimit të projektligjit të buxhetit bie në kundërshtim me kërkesat ligjore të përcaktuara në Ligjin e qeverisë dhe vetë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Kjo për faktin se, sipas këtij reagimi, sot kanë votuar personat që janë të certifikuar si deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Në reagimin e këtyre organizatave është thënë se Projektligji për buxhetin e vitit 2026 mund të propozohej nga qeveria në detyrë, në përputhje me Ligjin për qeverinë.
Megjithatë, këto OJQ kanë thënë se siç kanë theksuar edhe në letrën e dërguar presidentes Osmani, “ky proces do duhej të zhvillohej në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën, ligjin dhe aktgjykimin e Gjykatës Supreme”.
“Të njëjtat përcaktojnë qartë se një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht dy funksione, si anëtar i Qeverisë dhe si deputet. Prandaj, që ky proces të jetë i ligjshëm, ka qenë e domosdoshme që nënshkruesit e këtij projektligji të jenë në përputhje të plotë me legjislacionin e lartcekur, dhe propozuesit të jenë zv.kryeministri dhe ministra e zv.ministra përkatës që nuk kanë fituar njëkohësisht pozitën e deputetit në këtë legjislaturë”.
“Çdo veprim që e anashkalon këtë parim cenon vlefshmërinë e vetë ligjit për buxhetin, situatë që ndodhi sot”, është thënë në reagimin e OJQ-ve.
OJQ-të kanë theksuar se çdo tentativë si kjo e sotmja për të anashkaluar ligjin e Qeverisë, aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës “dëmton jo vetëm procesin e miratimit të buxhetit por edhe vet parimin e sundimit të ligjit në Kosovë”.
Më tutje, në reagim, OJQ-të kanë adresuar kritika edhe në përmbajtjen e projektligjit dhe në pakot e propozuara. Sipas tyre është vërejtur “se janë përgatitur pa një qasje gjithëpërfshirëse institucionale, duke e thelluar edhe më tutje krizën politike në vend dhe përfundimisht mos miratimin e tij përmes konsensusit të përbashkët mes gjitha partive politike”.
“Një qasje e tillë cenon rëndë parimet e demokracisë së këtij vendi sepse po bëhet në periudhën e zgjedhjeve komunale dhe paralajmërimit edhe të zgjedhjeve të përgjithshme”, është thënë në reagimin e 14 OJQ-ve vendore.
OJQ-të që reaguan kundër vendimit të qeverisë në detyrë:
Instituti GAP
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)
Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK)
Community Development Fund (CDF)
SHL-Kosova
YMCA Kosova
TOKA
Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI)
Balkan Green Foundation (BGF)
Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)
Community Building Mitrovica (CBM)
Advocacy Training and Resource Center (ATRC)
 
                        


 
                                         
                                         
                                         
                                         
                                         
                                        