Shpallja e rezultateve të 28 dhjetorit në fillim të shkurtit, Elezi flet në detaje

20 janar 2026 | 15:54

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë se pas përfundimit të rinumërimit, KQZ-ja, në fillim të muajit shkurt do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Ai për “Klankosova.tv”, ka theksuar se ashtu siç parashihet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme.

“Natyrisht, procesi i rinumërimit i heq të gjitha dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, por KQZ-ja duhet të presë afatin për paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të procedojë me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe njëkohësisht me përmbylljen e procesit zgjedhor”, ka thënë Elezi.

Ai ka treguar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit të vendvotimeve, i cili po realizohet në bazë të dy vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Në total, procesi i rinumërimit do të përfshijë të gjitha 2,557 vendvotimet ku është zhvilluar procesi i rregullt zgjedhor më 28 dhjetor 2025. Sipas vendimit të parë të KQZ-së, të datës 13 janar 2026, ishte paraparë rinumërimi i 914 vendvotimeve, ndërsa me vendimin e dytë, të datës 19 janar 2026, është vendosur që të përfshihen edhe 1,643 vendvotime të tjera, duke e zgjeruar procesin në tërësi”, ka thënë ai.

Elezi ka theksuar se aktualisht, numri i ekipeve të numërimit të angazhuara në procesin e rinumërimit gjatë një dite pune është 76.

“Bazuar në këtë kapacitet dhe numri i vendvotimeve të mbetura për t’u rinumëruar, planifikojmë dhe po bëjmë përpjekje që të gjithë procesin e rinumërimit të arrijmë ta përmbyllim deri në fund të muajit janar”, ka thënë Elezi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Turqisë, Rexhep  Taip Erdogan u takua me ish-lojtarin…