Shpaloset deklarata themeluese e partisë së re, nuk bëhet publike emri i saj

01 maj 2018 | 15:16

Deputetët e Grupit të Deputetëve të Pavarur (GDP), Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani, kanë shpalosur të martën deklaratën themeluese mbi bazën e të cilës do të veprojë partia re.

Pavarësisht kësaj, të larguarit nga Vetëvendosje nuk e kanë bërë publike emrin e partisë së re.
Ymeri në një konferencë për medie, ka thënë se forma e rrugëtimit politik të GDP-së do të bëhet e ditur në të ardhmen.

Ai ka thënë se rrugëtimi i tyre politik do të ketë për bazë dy çështje esenciale. “Në cilëndo formë të këtij rrugëtimi politik, dy gjëra janë të qarta, një që ne do të kemi të ardhme politike dhe e dyta që angazhimi ynë do të jetë përbrenda këtij koncepti, përbrenda këtyre vlerave që po i shpalosim sot”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka theksuar se Kosova duhet të jetë republikë qytetare dhe zhvillimore.

“Ne e pranojmë domosdoshmërish konceptin e ekonomisë së tregut por jemi të vetëdijshëm që është i kufizuar. Për ne liria dhe barazia janë të pandashme. Kosova duhet të jeta republikë qytetarëve dhe republikë zhvillimore. Ne angazhohemi dhe do të punojmë në partneritet me shqiptarët dhe me grupet tjera. Kjo deklaratë e parimeve mbledh në vetë një grup të njerëzve. Ne do të kemi një të ardhme politike dhe do të veprojmë në bazë të këtyre parimeve”, ka thënë Ymeri.

I pyetur nga gazetarët për emrin e partisë se re, Ymeri ka thënë se ende nuk kanë vendosur për një gjë të tillë.

“Nuk është vendosur ende. Ka disa opsione që janë duke u diskutuar dhe shumë shpejt do ta bëjmë publik vendimin”, ka deklaruar Ymeri.

Grupi i Deputetëve të Pavarur, ka 12 deputetë. Ata janë larguar nga Lëvizja Vetëvendosje, pas mospajtimeve që kishin ndodhur në këtë parti. Dymbëdhjetë deputetët e Grupit të Deputetëve të Pavarur janë: Aida Dërguti, Visar Ymeri, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Dardan Sejdiu, Frashër Krasniqi, Dardan Molliqaj, Besa Baftiu, Salih Salihu dhe Shqipe Pantina.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi bashkë me kryeministrin e vendit,…