Shpend Gjocaj nderon Valentinën Gjuraj dhe Behgjet Pacollin: Dy qytetarë të Kosovës, dy njohje për Kosovën

17 korrik 2025 | 20:48

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shpend Gjocaj, i cili jeton në New York, ka përkujtuar dhe nderuar kontributin e dy qytetarëve të Kosovës për njohjen ndërkombëtare të shtetit: Valentina Gjuraj dhe Behgjet Pacolli. Sipas tij, të dy kanë treguar se dashuria për atdheun mund të shprehet me veprime konkrete, pa qenë domosdoshmërisht pjesë e pushtetit.

Në një reagim të publikuar së fundmi, Gjocaj përkujton dhe falënderon për kontributin e tytr Gjurajn dhe Pacollin:

“Në shtator të vitit 2012, Valentina Gjuraj nga Gjakova i solli Kosovës njohjen nga Timori Lindor. Për çudi, askush nuk e falënderoi për këtë arritje jo të vogël.”

Sipas tij, Valentina kishte jetuar përreth tetë vite në Timor, dhe falë miqësive personale me udhëheqës të lartë të atij shteti — përfshirë ministrin e Jashtëm Jose Luis Guterres, kryeministrin Xanana Gusmão dhe presidentin Jose Ramos-Horta, fitues i Çmimit Nobel për Paqe — arriti ta bindë Timorin Lindor të njihte pavarësinë e Kosovës.

“Kur ministri i Jashtëm i Kosovës, z. Enver Hoxhaj, vizitoi Timorin për lobim, homologu i tij i tha se ‘Kosova tashmë e ka lobisten e saj këtu — mikja ime Valentina Gjuraj’. Me sugjerimin e tij, Hoxhaj u takua me Valentinen. Dokumenti zyrtar i njohjes iu dorëzua në dorë znj. Gjuraj. E falënderojmë për veprën e saj të vyer për Kosovën,” shkruan Gjocaj.

Ai po ashtu përmend edhe njohjen e fundit të Kosovës nga Kenia, të cilën e lidh me përpjekjet e ish-presidentit Behgjet Pacolli.

“Kur Pacolli erdhi në krye të shtetit, pata qenë tepër i pakënaqur dhe e kritikova rëndë. Ndoshta disa nga ato fjalë do t’i thosha edhe sot, por me më shumë kujdes. Por, kur e krahasojmë këtë me faktin se një qeveri e tërë për pesë vite nuk solli asnjë njohje për Kosovën, përkundrazi e dëmtoi rëndë diplomacinë duke lënë me muaj të tërë me dhjetëra ambasada pa ambasadorë, vetëm e vetëm për teke, inate e egoizëm, s’kemi si të mos i jemi mirënjohës për njohjen nga Kenia në mars të këtij viti, nënshkruar nga presidenti i Kenias, William Ruto.”

Në përfundim, Gjocaj thekson se shtetasit e zakonshëm të Kosovës, kudo që ndodhen, mund të japin kontribut të madh për vendin pa pasur pozita zyrtare apo interesa materiale.“Faleminderit nga zemra, mikja ime e vjetër Valentina, dhe faleminderit bashkëkombasi im Behgjet Pacolli. Shembuj që duhet ndjekur!”

Shpend Gjocaj

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Vetëvendosjes, Nezir Kraki i ka quajtur kriminale dhe…