Shpërthen Ebola në Kongo, vdesin 15 njerëz

05 shtator 2025 | 08:29

Të paktën 15 persona kanë vdekur pas shpërthimit të ri të virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e këtij shteti.

Prania e virusit ishte konfirmuar te një grua shtatzënë 34-vjeçare, e cila u shtrua në spital muajin e kaluar pasi shfaqi simptoma që përfshinin, ethe, temperaturë të lartë dhe të vjella të përsëritura, shtoi ministria. Ajo vdiq disa orë më vonë nga dështimi i shumë organeve.

Kjo është hera e 16-të e paraqitjes së virusit vdekjeprurës në shtetin e madh të Afrikës Qendrore, shkruan BBC.

Shpërthimi i fundit ishte në provincën qendrore Kasai, me 28 raste të regjistruara.

Zyrtarët kanë kërkuar respektim të rreptë të masave parandaluese, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve dhe distancimin social në zonat me rrezik të lartë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se po “vepronte me vendosmëri për të ndaluar përhapjen e virusit dhe për të mbrojtur komunitetet”.

Katër punonjës shëndetësorë ishin në mesin e të vdekurve.

Përhapja e fundit e virusit të Ebolës në Kongo, ishte tre vjet më parë, nga i cili vdiqën gjashtë persona.

Shpërthimi më vdekjeprurës i Ebolës ishte në vitet 2018-20, duke marrë më shumë se 2,000 jetë njerëzish.

Virusi, i cili mendohet se e ka origjinën nga lakuriqët e natës, u lajmërua për herë të parë në vitin 1976 në Republikën Demokratike të Kongos.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Personi në foton e mësipërme është 34-vjeçari, Kristjan Kola i…