Shpërthim brenda LDK-së: Bajrami dorëhiqet, Abdixhikut i kërkohet largimi i parevokueshëm
Rezultati i dobët zgjedhor i 28 dhjetorit ka nxjerrë në pah përçarjet e thella brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke hapur një krizë të hapur në udhëheqjen e partisë. Humbja e mbështetjes popullore ka tronditur strukturat drejtuese, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e lidershipit aktual.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ofruar dorëheqjen e tij, por jo si akt të parevokueshëm. “Kam ofruar dorëheqjen time, por vendimi i takon Kuvendit të partisë”, ka deklaruar ai, duke theksuar se largimi i tij nga posti duhet të konfirmohet institucionalisht.
Mbledhja e kryesisë së LDK-së, e cila zgjati rreth pesë orë e gjysmë, përfundoi pa një epilog të qartë. Kriza, megjithatë, u bë publike një ditë më pas, kur në mbrëmjen e së dielës, Hykmete Bajrami njoftoi dorëheqjen e parevokueshme nga posti i nënkryetares së partisë.
Në reagimin e saj publik, Bajrami ishte e drejtpërdrejtë ndaj kryetarit të partisë. “Pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin. Prandaj kërkohet dorëheqje e parevokueshme dhe hapje e menjëhershme e rrugës për zgjedhje të brendshme”, ka shkruar ajo.
Ajo ka theksuar se vendimi për dorëheqje nuk është personal. “Ky veprim nuk është as personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite”, ka deklaruar Bajrami, duke shtuar se udhëheqja aktuale ka prodhuar “rezultate të rënda zgjedhore” për partinë.
Kërkesave të Bajramit iu bashkuan edhe nënkryetarët Lutfi Haziri dhe Avdullah Hoti. Sipas burimeve të Nacionale, Hoti ka paralajmëruar se, “nëse nuk ka reflektim”, do ta dorëzojë dorëheqjen nga kryesia qysh të hënën. Edhe Haziri, sipas të njëjtave burime, ka kërkuar largimin e Abdixhikut “në mënyrë të prerë”.
Pas reagimeve të brendshme, Abdixhiku u deklarua sërish publikisht, duke folur për tentime të “eliminimit politik” ndaj tij. “Më shumë se dorëheqja nuk kam çfarë të ofroj”, ka thënë ai, duke përsëritur se vendimi nuk mund të merret nga individë, por nga organi më i lartë i partisë.
“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së”, ka deklaruar Abdixhiku.
Zhvillimet e fundit kanë thelluar krizën në LDK, duke e vendosur partinë përballë një momenti vendimtar. Me kërkesa të hapura për dorëheqje të parevokueshme dhe zgjedhje të brendshme, pritet që Kuvendi i LDK-së të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të partisë.



