Shpërthimi i demonstratave të mars-prillit ’81 (3)

22 shtator 2021 | 17:05

Kumtesë e Konferencës shkencore e organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë / “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë dhe vendimet politike të Beogradit sipas dokumenteve arkivore në Arkivin e Kosovës” 

Prof. ma. Adem Ademi

Dita e mërkurë e 11 marsit të vitit 1981, për shumicën e qytetarëve të Prishtinës, ishte një ditë e rregullt sikur çdo ditë tjetër pranverore. Por nuk ishte ditë e rregullt për një pjesë të studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe për përfaqësuesit e organizatave ilegale. Për këto dy forca ishte një datë historike e caktuar për fillimin e një ngjarje të madhe politike dhe për fillimin e një epoke të re politike në historinë e përpjekjeve të popullit shqiptar për çlirimin nga sundimi i pushtetit pansllavist i cili realizonte politika diskriminuese ndaj popullit shqiptar. Në Prishtinë, në mbrëmje, kafenetë, sidomos çajtoret dhe korsa, gjallëroheshin nga qytetarët. Edhe nga aspekti i qetësisë. “Ajo mbrëmje në Prishtinë i ka ngjarë shumë netëve të mëhershme, gjersa nga drejtimi i Kuvendit të Kosovës u dëgjua zhurma jo e rëndomtë e që buçiste korza e Prishtinës. Tani veç edhe për vëzhguesit më të rëndomtë ishte e qartë se diҫka po ndodh”. “Të gjithave ju paraprin marrëveshja dhe plani i detajuar i irredentës. Një ditë para trazirave, më 10 mars 1981, në dhomën 310 në konviktin e studentëve numër 3 në Prishtinë, u takuan grupe të organizatorëve ilegalë. Atëherë janë marrë vesh, trazirat të fillojnë me inskenimin e pakënaqësive për shkak të ushqimit të dobët, ngase për këtë shkak do të tërheqin me shumë studentë. Marrëveshja ishte precize. Aksioni duhet të fillonte të nesërmen më 11 mars në ora 19:00, para fillimit të darkës. Trembëdhjetë pjesëmarrës të kësaj mbledhje ilegale mori detyrat, secili të angazhohej personalisht për të mbledhur një numër sa më të madh të pjesëmarrësve për aksion. Përfitimi i përkrahësve për ditën e trazirave u krye gjatë natës. Menjëherë para fillimit të trazirave, grupi ka mbajtur mbledhje urgjente për të verifikuar se a po shkojnë përgatitjet sipas planit. Edhe organizatorët e demonstratave dëshmojnë për organizimin, përzgjedhjen e kohës së darkës, fillimin e aksionit dhe për paraqitjen e kërkesave ekonomike për fazën e parë të shpërthimit të demonstratave. Qëllimi kryesor ishte që secili prej nesh të njoftojë dhe organizojë sa më shumë studentë që të nesërmen më 11 mars në orën 19:00 të fillohet me demonstrata dhe si motiv për fillimin e tyre ta kemi mensën, përkatësisht kushtet e të ushqyerit aty, ku pritej shumë gjatë për të ngrënë pasi asokohe Universiteti i Prishtinës kishte rreth 50.000 studentë dhe kishim telashe. Jemi marrë vesh që kërkesat tona duhet të jenë ekskluzivisht me karakter ekonomik e social, sepse për kërkesat e natyrës politike do të mund të vendosim vetëm pas rrjedhjes së protestës dhe shkallës së masivizimit të saj, 200 vetë e lëshojnë mensën dhe dalin në rrugë, pastaj bëhen disa mijëra.” Siç kishin planifikuar grupi i studentëve të konviktit nr. 3, demonstratat shpërthejnë në orarin e planifikuar. Disa studentë si Bahrija Kastrati, Abdullah Tahiri e disa kolegë të tjerë të tyre filluan t’i hedhin pjatat në shenjë revolte, filluan të bërtasin “Kushte, Kushte”. Grupi fillon të dalin jashtë duke brohoritur zëshëm parullat. Pas kësaj, grupi i përmendur doli jashtë Restorantit, u tubua para Restorantit dhe u drejtua nëpër rrugën “Ramiz Sadiku” në drejtim të Fakultetit Teknik. Në atë kohë, ishin në grup rreth 200-400 studentë, të cilët i ndalnin veturat dhe automjetet e tjera dhe u bënin dëme relativisht të vogla. Rreth orës 19:30, demonstruesit marshuan rrugës Marshall Tito. Ndërsa ishte duke ecur në rrugën “Ramiz Sadiku” dhe “Marshali Tito”, këtij grupi iu bashkuan edhe 100 studentë të tjerë. Në të ecur prej Kuvendit të KSA të Kosovës e deri te ndërtesa e Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, demonstruesit lëshonin njëzëri parulla në gjuhën shqipe “kushte”, kurse para ndërtesës së Komitetit krahinor të LK të Kosovës edhe “ushqim”. Në atë kohë, si zakonisht, në korzë para ndërtesës së Komitetit Krahinor të LK të Kosovës ishin shumë shëtitës, kryesisht njerëz të rinj, studentë dhe nxënës të shkollave të mesme”, pastaj kishte edhe tjera kërkesa nga rinia studentore “Duam vepra dhe jo fjalë”… Deri kur në podrume” dhe të ngjashme.” Por, derisa ky grup synonte të tërhiqet drejt konvikteve studentore, në dhomat e tyre të fjetjes nga ana tjetër “Erdhi grupi tjetër prej mëse 200 studentësh e cila duke parakaluar rrugës Ramiz Sadiku, thërriste “Duam shokët”. Pas intervenimit të policisë ndaj demonstruesve, numri i demonstruesve u rritë dukshëm. “Në rrugë ishin më shumë se 4000 mijë vetë”.
Diku pas orës 14:30, pas ndërhyrjes brutale të policisë ndaj demonstruesve, kryeqyteti filloi të qetësohet. Para shpërndarjes së demonstruesve, organizatorët u folën demonstrueseve për vazhdimin e angazhimit në organizimin dhe shtrirjen e demonstratave edhe nëpër qytete tjera. Porosia e organizatorëve gjeti përkrahjen e shokëve të tyre duke zgjeruar aktivitetin politik në qytete të ndryshme të Kosovës dhe jashtë saj. Me 13 mars në Shtëpinë e Shëndetit në Prishtinë në derë u gjetën parulla të shkruara me përmbajtje armiqësore. Më 17 mars në Qendrën shkollore “Jovanka Radivojeviç-Kica” në Prizren, në një bankë të një klasë e gjetën një letër e shkruar në 5 faqe, e shkruar me makinë shkrimi në gjuhën shqipe me përmbajtje nacionaliste-irredentiste, kjo letër përmbante tri pjesë: “Liria”, “Ne dhe Ju”, dhe “Do të ngritemi”, në tekst theksohet se ka ardhur fundi i robërisë në Kosovë”, dhe “Po ndizet flaka e revulucionit”. Gjithashtu në Internatin e nxënësve dhe studentëve të shkollës së Lartë Pedagogjike në Prizren u gjetën tri kartolina në të cilat është shkruar: Rroftë Kosova-Shqipëria”, “Rroftë Enver Hoxha: studentë, nxënës, populli i Kosovës përpara, etj.
Në Prizren më 25 mars. Realizohen demonstratat në përkrahje të kërkesave të studentëve nga kryeqendra. “Më 25 mars 1981 kah ora 11:50 në oborrin e përbashkët të Shkollës së Lartë Pedagogjike dhe të Akademisë Pedagogjike në Prizren erdhi një grup prej 20 deri 30 nxënësish të shkollave të mesme dhe studentë, hyri në ndërtesë të Shkollës së Lartë Pedagogjike, duke lëshuar parulla “Kushte”. Mensa dhe konvikti i studentëve në Prishtinë ishin vendbanim dhe vendtakim i përshtatshëm për shumicën e studentëve kosovarë. Grupi i studentëve organizues këmbëngulnin të vazhdonin iniciativën në organizimin e demonstratave me kërkesa politike. Më 25 mars, në mbrëmje. Në Prishtinë grupi prej 20 studentëve, pas orës 22 kanë hyrë me këngë në Qendrën e studentëve nr. 3. Atyre ju bashkëngjitën edhe një numër i studentëve, të cilët prishën rendin. Pas intervenimit të drejtorisë, ata kërcënuan se do të barikadohen në konvikt dhe do të vazhdojnë t’i paraqesin kërkesat lidhur me standardin e studentëve.
Të nesërmen në mëngjes. “Më 26 mars, diku kah ora 6:00 e mëngjesit një grup studentësh paraqiten në aksion”. Grupi i studentëve në ora 6:00 bllokoi konviktin e studentëve nr. 3, duke kërkuar bisedime me personalitete të caktuara të Universitetit dhe me disa udhëheqës të shquar politiko-shoqëror të Kosovës duke theksuar se në rast të kundërt nuk do ta lëshojë askënd brenda dhe se do të dalin masivisht në demonstrata. Në bazë të disa indikacioneve që i kishim gjatë natës së mëparshme për përgatitjet e mundimshme të disa trazirave të studentëve, e edhe në kuadër të angazhimit vijues në bazë të programit të aktivitetit që ishte aprovuar pas demonstratave të studentëve nga 11 marsi, një grup aktivistësh të komunës së Prishtinës dhe një numër mësimdhënësish dhe rektori i Universitetit u angazhuan menjëherë, i bllokuan të tri konviktet dhe vepruan në radhët e studentëve të tubuar për t’i larguar nga demonstratat dhe nga incidenti. Organizatorët e drejtpërdrejtë të demonstratave i ftuan studentët që të dalin në pllatonë para konvikteve të studentëve, ku u takuan në fillim 400-500 sish, e pak më vonë afro 1000 studentë. Këtu, ndër studentët, vazhdoi aktiviteti i kuadrove të Universitetit të Prishtinës, të cilëve iu bashkuan edhe një numër kuadrosh nga Krahina. Organizatorët e kësaj trazire në bazë të përgatitjeve të mëparshme filluan biseda rreth kushteve të jetës dhe të punës së studentëve, duke bërë krahasime me kushtet në qendrat e tjera universitare. Ata paraqitnin kohë pas kohe kërkesa që “të lirohen shokët e tyre prej burgu”. Diku kah ora 8:00 studentët filluan t’i bojkotojnë bisedat. Megjithëkëtë, kuadrot theksonin se për këto probleme duhet biseduar në mënyrë normale, adekuate, por njëkohësisht jepnin shpjegime në lidhje me kushtet e jetës dhe të punës së studentëve, me masat dhe përpjekjet që jemi duke i bërë për përmirësimin e standardit dhe theksonin se askush prej shokëve të tyre nuk gjenden në burg. Kur organizatorët e këtij aksioni “i shterën” të gjitha temat sociale, për të cilat morën përgjigje prej kuadrove tona, filluan t’i bojkotojnë bisedat dhe të paraqesin çështje të tjera me karakter politik, e jo social. Kah ora 12:40 filluan të lëshojnë edhe parulla me përmbajtje armiqësore, duke ngritur një numër transparentësh.  (Vijon. Fusnotat i ka hequr redaksia)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Demë Avdijaj është kandidat për Kuvendin Komunal të Gjakovës nga…