SHPRESA PËR SIGURIMIN E RADIOS EMETUESE MBËSHTETUR NË ENERGJINË E PAFUNDME TË LUFTËTARIT TË LIRISË

04 janar 2021 | 18:13

Shkruan: Shaqir Shaqiri

Shpresa për sigurimin e radios emetuese kishte mbështetjen tek energjia e pafundme e luftëtarit të lirisë. Dhe kjo shpresë mbështetej kryesisht tek solidariteti i shqiptarëve me luftën e lirisë dhe djemve që e udhëhiqnin atë. Radio “Zëri” në Kumanovë, që ishte pronë e Ismet Bexhetit, një këngëtari të adhuruar dhe që gëzonte respekt në popull, e kishte ndërprerë emetimin dhe punën e saj që nga lufta e Jasharajve, në Mars të vitit 1998. Ismeti ishte deklaruar botërisht se derisa në Kosovë bëhej luftë, unë nuk mundem të vazhdoj punën me emetimin e programit të radios, e cila ishte kushtëzuar nga qeveria maqedonase të punojë vetëm në emetimin e programit “urime dhe përshëndetje” dhe programeve të parëndësishme.

Me që këtë realitet e njihja mirë, u bëjë me dije “Gjarprit ” dhe “Dhjetëshit”, të cilët pas një analize të hollësishëm më obligojnë që të takoj Ismet Bexhetin, të bisedoj me të për të gjitha mundësit dhe me të gjitha variantet e mundshëm që ai ta dorëzoj aparaturën e radios.

Rrugëtimi për në Likoc poashtu edhe rruga për tu kthyer nga Likoci nuk ishte aspak e lehtë. Ajo ishte në vëzhgimin e përhershëm, nën kontrollin e vazhdueshme, duhej të kalohej shumë afër postblloqeve serbe e kërcënimeve të tytave armike. Për të lakuriqësuar krejtësisht këtë prononcim e për të qenë i hapur, kjo rrugë kalohej ilegalisht, armët në gjendje gatishmërie dhe në rast ballafaqimi me policinë serbe komunikohej vetëm përmes tytës së pushkës. Rrugën deri në Likoc me bashkëluftëtarë, do të më bënte përshtypje deklarimi i një bashkëluftëtari, i cili nuk pranon te hajë mëngjesin. Ai kishte parë raste të ndryshme të kufomave, prandaj ai u prononcua: “Para rrugëtimeve të tilla nuk dua të ha mëngjesin sepse dëshiroj që për çdo rast kufoma ime të mos jetë e ndotur…”. Rrugëtimi nuk ishte aspak i lehtë. Kryesisht udhëtohej natën dhe pa fenerë, pa drita. Stacionet e policisë ishin të fortifikuara më shumë policë, ushtarë dhe teknikë ushtarake. Në rrugë e sipër, pranë burgut famëkeq të Smrekonicës, duke e kaluar lumin Sitnica, “Llada Niva” na mbetet ne baltë. Peripecitë nuk kishin fund, por këto sa vinin e zhvilloheshin po ashtu të ngërthenin për përgjegjësinë e marr mbi supe tona. Duhej të kalohej edhe balta e lumi Sitnica. Së bashku me “Tonin” shkuam ne fshatin fqinjë, takuam rojet e fshatit nga të cilët kërkuam ndihmë. Nuk vonoi shumë dhe dy ushtarë të UҪK-së me një traktor na ndihmuar që të kalonim pengesat e shkaktuar nga lumi Sitnica.

Kthimi nga Likoci, do të jetë një kthim me detyrë, me obligim e përgjegjësi, për të marrë rrugën për në Kumanovë deri tek shtëpia e Ismet Bexhetit. Dhe, nga mesi i Qershorit të vitit 1998, i shoqëruar nga Ilmi Ajrulli, me të cilin tani më ishim në organizim, vizitojë Ismet Bexhetin në shtëpinë e tij. Ilmiu ishte një djalë nga fshati Runicë komuna e Kumanovës i cili pas kontaktit që kishte bërë me mua, sistemohet në radhët e UÇK-së ku me vëllezërit e tij, Avniun, Basriun dhe me tërë familjen e tij jep një kontribut të jashtëzakonshëm në logjistikën e UÇK-së. 

F62F1901-0879-483D-9A70-6EB190D53EE7.jpg

Pas pritjes shumë të ngrohtë dhe bujare të Ismet Bexhetit, unë prezantohem me pseudonimin “Çeli” dhe si i deleguar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Pa humbur kohë i tregoj arsyen e vizitës sime, i tregoj bisedën që e kam bërë në Shtabin e Përgjithshëm dhe motivin që më ka shtyrë në këtë drejtim. Ismet Bexheti me një qëndrim burrëror deklarohet hapur se jo vetëm teknika e radios së tij, por edhe vet ai si individ dhe familja e tij do të vihen në shërbim të luftës çlirimtare. Ky është nderë për mua dhe familjen time, por – vazhdon Ismeti – mua aparaturën e radios  në emër të  UÇK-së ma kanë kërkuar disa individ të tjerë, me të cilët jam në kontakt dhe jam duke i vazhduar bisedimet. Këta persona munden qysh sot me ardhur që ne ti definojmë gjërat, por çështja është se as vet nuk jam dakord që tua dorëzoj aparaturën. Ata po ashtu thirren në emër të UÇK-së, por për dallim, ata kërkojnë që aparaturën ta marrin dhe ta vendosin në hapësirën e Shqipërisë, gjë që tek unë ngrit një ndjenjë të përzier, të vullnetit për të ndihmuar dhe dyshimit se nga kush do të përdoret dhe për kë do të emetohet në hapësirat e Shqipërisë.

Kjo temë  thellon seriozitetin e debatit tonë.  Dyshohet se aparatura ishte kërkuar jo nga zyrtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, por nga persona të dyshimtë apo anëtarët e FARK-ut. Në këtë pikë vazhdohet diskutimi për disa orë me radhë. Duke shpalosur argumente bindëse dhe të qëndrueshme, arrij edhe të dëshmoj se vërtetë jam i deleguar nga Shtabi i Përgjithshëm.  Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  dhe lufta çlirimtare bëhej në Kosovë e jo në Shqipëri, prandaj edhe valët emetuese të një radioje duhen të jenë në Kosovë e jo gjetiu, foli Ismet Bexheti. Me këtë bindje Ismet Bexheti nënshkruan dokumentin, që e tërë aparatura e radios së tij do ti dhurohet pa asnjë kompensim Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të nesërmen Ismeti fillon të paketon tërë aparaturën (pos antenave që ishin akoma në kulmin e shtëpisë) dhe e bënë të gatshëm për udhëtim.

Vlen të theksohet se ky ishte takimi im i parë fizik me Ismet Bexhetin dhe ne nuk njiheshim. Aq sa kishte të drejt të më besoj aq më shumë kishte të drejtë edhe të dyshojë në mua. Bisedën dhe kohën prej disa orëve si dhe pyetjet që mi bënte, unë plotësisht i arsyetoja, sepse njeriu kërkonte prova bindëse. Prandaj e gjithë kjo konkludon se Ismeti paraprakisht ishte i përgatitur që të kyçet dhe të kontribuojë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por për këtë kërkonte kanale të sigurta.

Në ndërkohë, unë kthehem nga Kumanova në Preshevë, u komunikoj bashkëluftëtarëve epilogun e bisedimeve që pata me Ismet Bexhetin dhe konsultohemi për veprimin e mëtutjeshëm. Në këto konsulta, bënin pjesë edhe njësitet e komunës së Gjilanit që përfaqësoheshin nga Elisa Ymeri – Ylli.

E veçanta që duhet cekur është qëndrimi im që të marr mendimin e Fazli Hajdarit, njërit nga personat kyç, efikas dhe operativ, për personalitetin e Islam Berishës, një tregtari të ndershëm, human e atdhetar  nga Prishtina, me të cilin shoqërohej shumë Fazliu. Islami ishte njeriu i cili i kishte rrahur dhe i njihte më mirë se kushdo tjetër shtigjet e rrugëtimit që nga Presheva e deri në brendi të Llapit. Neve na duhej njeriu besnik që do të ketë guximin dhe njohuritë e terrenit, për të lidhur zinxhirin e organizimin deri tek pika numër tre, pra deri te sharra e Ibrahim Osmanit në Keçekollë. Në rast se pranon, atëherë pa dyshim se Islam Berisha ishte njeriu më adekuat dhe që i plotësonte të gjitha kriteret për të marr besimin që aparatura e radios të bartet nga ai prej Gjilanit deri në fshatin Keçekollë.

Pas këtij konsultimi, së bashku me Fazli Hajdarin marr rrugën për në Prishtinë me qëllim që të takojmë Islam Berishën (Lamin). Në ato momente Lami na dukej njeriu i pazëvendësueshëm, njeriu i vetëm dhe shumë i madh dhe, vetëm ai mund të na shpëtonte faqebardhë. Takuam Islamin në shtëpinë e tij dhe bisedojnë rreth temës së caktuar.  Islami na nderoi, ai e ofroi tërë pasurinë, të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe veten e tij në shërbim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  por në fillim hezitoi dhe nuk besoi në sinqeritetin e Ibrahim Osmanit, tek e cili duhet të dorëzohet radioja. Pas shumë orë bisedime, gjithnjë duke u thirrur në përgjegjësinë e hierarkisë ushtarake, Islamit nuk i mbetet gjë tjetër pos të bindet dhe të pranon përgjegjësinë e transportit. Duke mu drejtuar me “ti”, Islami më thotë: “Me që ti që më vjen në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ke besim në Ibrahimin dhe, shokët tjerë që ti po i përmend poashtu kanë besim, atëherë do të kem edhe unë, sepse në krahasim me juve unë jam njeri shumë i vogël, vrima e fundit e kavallit”. Islami thotë për vete se “është njeri shumë i vogël”, çfarë modestie ! Ndërsa për neve  ishte njeriu shumë i madh dhe për momentin i pazëvendësueshëm. Ai mund të mos e dinte, por ne shpresat i kishim varur tek ai.  Megjithatë, përfundimi i dialogut me Islamin (Lamin) dhe gatishmëria e tij për të marrë përgjegjësinë e transportit të Radios,  ishte edhe një sukses që motivoi luftëtarët e lirisë ti përkushtohen dhe ti qasen edhe më me zell punës.

Qëndrimi refuzues i Ismet Behxhetit karshi institucioneve qeveritare maqedonase për  programin e emetimit të radiove lokale, në veçanti të atyre shqiptare, e sidomos vendimi i tij për ndërprerjen të tërësishme të programit të radios pas luftës së Jasharajve dhe rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, kishte bërë që shtëpia e tij dhe ai vet të jenë nën vëzhgim të përhershëm të agjenturës maqedonase të sigurimit. Ismeti këtë e dinte, e dinim edhe ne të tjerët, prandaj kishim kujdes të veçantë në veprimet tona. Ne nuk donim asgjë t’i linim rastësisë, qoftë edhe pengimin e mundshëm të realizimit të projektit të “radios”. E tëra kjo fokusohej në domosdoshmërinë e arritjes së suksesit dhe lufta çlirimtare e UÇK-së të kishte zërin e saj. Në atë kohë ne nuk kishim shpresa shtesë, e vetmja ishte radioaparatura e Ismetit.

Me që ne konsideronim se Ilmi Ajrulli është më i lirë në lëvizje, banonte në Kumanovë dhe nuk e kishte larg shtëpinë e Ismetit, caktuam atë që ti mbaj kontaktet me të. E caktuam edhe për një fakt, se Ilmi Ajrulli ishte Komandant i njësitit të parë të UÇK-së në Kumanovë, Zona e Tretë Operative.

Ismeti publikisht do të sajonte justifikimin e heqjes së antenave të radios nga kulmi i shtëpisë dhe në moment të caktuar edhe mospasjen e aparaturës së radios. Justifikimi ishte shitja e radios me që më nuk kishte program emetues të saj.

Aparatura e Radios, nga Kumanova udhëton për në fshatin Llojan nën përgjegjësinë e Ilmi Ajrullit. Ilmiu i vë kontaktet me familjen e Osman Latifit nga fshati Llojan, një familje bujare, me gjendje jo të mirë ekonomike por e pasur me ndjenja kombëtare e liridashëse. Baca Osman, së bashku me djalin e tij Hasanin dhe mikun e tij Bajram Islami, po ashtu nga fshati Llojan, me vendosmërinë e të palëkundurit për të qenë në shërbim të luftës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bartin aparaturën e radios nga shtëpia e Ismet Bexhetit në Kumanovë deri në fshatin Llojan ku edhe e strehuan në shtëpinë e tyre. Duke këmbëngulur për të mbetur të ndërgjegjshëm dhe ballëlartë, baca Osman angazhon tre djemt e tij në vëzhgimin e terrenit drejt kufirit me fshatin Miratoc dhe pasi sigurohen në mundësinë e kalimit, tre vëllëzërit, Hasani, Naseri dhe Enveri, djemt e bacit Osman bartin aparaturën dhe kaluan kufirin Maqedoni – Luginë e Preshevës drejtë fshatit Miratoc. Ky ishte aksioni i parë për Hasanin, i cili më vonë do të ketë nderin për të pasur plagën si dhuratë gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut, për të vazhduar me luftën në Luginën e Preshevës – dhe për të përfunduar me luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në trojet shqiptare në Maqedoni.

Në fshatin Miratoc aparatura e radios për një kohë shumë të shkurtër qëndron në një shtëpi bazë të UÇK-së, pron e dy vëllezërve shumë aktiv, ushtarë të UÇK-së, Avni dhe Vebi Shabani. Situatat e krijuar gjithandej viseve shqiptare, lufta çlirimtare dhe solidariteti me të, kishte bërë që Lugina e Preshevës të jetë nën një kontroll të vazhdueshëm dhe rigoroz të forcave policore ushtarake serbe. Beogradi zyrtar kishte deklaruar se në Preshevë funksionon suksesshëm kanali furnizues i UÇK-së dhe për këtë kishte shtuar forcat e sigurimit. Baza në Miratoc, me që ishte shumë afër kufirit, mendonim se ishte e rrezikuar. Pas konsultimit me bashkëluftëtarët, marr vendim që aparatura e radios do të udhëtoj drejtë Kosovës përmes grykës së Rahovicës, fshatit Bukoc, kodrës së Garës për të vazhduar drejtë grykës së Sllubicës së komunës së Gjilanit.

Aparatura e Radios në Miratoc, fshat i Preshevës që shtrihet në kufi me Llojanin, ka arritur në fundin e Korrikut të viti 1998. Aty qëndron afër pesëmbëdhjetë ditë, derisa sigurohen të gjitha kanalet e mundshme të bartjes së saj. Ushtarët e angazhuar në transportin e saj ishin të përgjegjshëm dhe të disiplinuar. Secili prej tyre kishte obligimin e vetë që do ta kryenin me përgjegjësi të plot kombëtare e morale. Kishim vënë në organizim një rrjetë zinxhiror ushtarësh që nga Kumanova e deri ne Slivovë, duke i siguruar një rrugëtim të sigurt drejtë Shtabit të Përgjithshëm aparaturës që më vonë do të emetojë “Radio Kosova e Lirë” 

Vetëm nga fshati Miratoc deri në Preshevë, në shtatë kilometra rrugë, ishin të stacionuara tri postblloqe policore dhe ndërkohë ishte edhe patrulla lëvizëse që kontrollonte rrugën Preshevë -Miratoc – kufi me Maqedonin. Nuk ishte e lehtë të bëhej rrugëtimi i aparaturës së radios, ashtu siç nuk ishte e lehtë as lufta për liri dhe ballafaqimet tjera me të cilat përballeshin luftëtarët e lirisë. Nga fshati Miratoc deri në fshatin Rahovicë obligohet Ibrahim Fejzullahu (tani dëshmor i kombit), i cili me makinën e tij “Llada Karavan” bartë tërë teknikën e radios (pos antenave). Përcjellja e rrugës si dhe sigurimi i bazës në Rahovicë i ishin besuar Sadik Ademit në mbështetje të njësitit të UÇK-së, të armatosur lehtë dhe poashtu ishin njësitet e vëzhgimit që lajmëronin mundësinë e lëvizjes së forcave serbe. Gjeturia, si rezultat i veprimit të guximshëm të luftëtarëve të lirisë, padyshim se sjell suksesin e vet. Në momentin delikat të ballafaqimit me patrullën e policisë, gjeturia e Sadikut bënë që makina-kombi, e cili ishte duke i bartur antenat e radios, të stoliset me një peshqesh dhe të futet në një kolonë të rastësishme të krushqëve dasmor. Me një veprim të tillë, kjo pjesë e transportit i ik për mrekulli syrit të keq policor.

Në Rahovicë, aparatura e Radios strehohet në shtëpinë r znj. Sadbere Ademi- Sadiku që ishte motra e veprimtarit të çështjes kombëtare, ushtarit dhe eprorit të UÇK-së, Sadik Ademi.

vazhdon…….

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mick Schumacher do të debutojë këtë vit në Formula 1…