Shpresoj se qytetari është bindur se kjo është qeveri e mashtrimit dhe e hakmarrjes

21 maj 2020 | 10:13

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qeverisë në detyrë po i quan presion ndaj Gjykatës Kushtetuese sa i përket vendimit për dekretin e presidentit për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër. Por, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se, pavarësisht prej veprimeve të LV-së, Kushtetuesja do të marrë veprim të drejtë. Ai thotë se çfarëdo vendimi që nxjerrë ky institucion do të respektohet nga AAK-ja.

“Veprimet që i kanë bërë Lëvizja Vetëvendosje dhe qeveria në detyrë janë veprime presione ndaj Gjykatës Kushtetuese, mirëpo unë mendoj se Kushtetuesja do të marrë vendim të drejtë dhe ne jemi deklaruar si AAK që çfarëdo vendimi që merr Kushtetuesja, ne do ta pranojmë sepse nuk ka rrugë tjetër sepse është akti më i lartë juridik”, ka thënë Lekaj.

Deklaratat e ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se nuk mund të tregojë nëse e pranojnë vendimin e Kushtetueses, Lekaj i sheh si absurditet, raporton EO.

“Sa iu përket deklarimeve të ministres së Drejtësisë, mendoj se është një absurditet sepse, nëse është dikush që duhet ta respektojë ligjin dhe Gjykatën Kushtetuese, është ministria e Drejtësisë, prandaj kjo nuk do koment, sepse mos të respektohet akti më i lartë juridik është diçka që edhe qytetarët duhet ta dinë dhe si mund ta mbështesin një qeveri të tillë”, ka shtuar Lekaj.

Lekaj ka thënë se AAK-ja nuk do t’i bashkohet LV-së nëse dështon koalicioni me LDK-në. Madje ai  konsideron qeverinë e udhëhequr nga LV-ja si qeveri e mashtrimit, e cila, sipas tij, po punon në dëm të qytetarëve. “Ne si AAK kemi deklaruar se nuk shqyrtojmë kërkesa të tjera në këtë mandat me Lëvizjen Vetëvendosje. E kemi thënë sepse është qeveri e mashtrimit dhe po i shihni ju vetë aktet që po i ndërmerr shkojnë në disfavor të qytetarëve e sidomos fshesën që po e përdorë në 12 të natës, të lë me kuptua se kjo qeveri më tepër ka ardhur që të hakmerret ndaj bordeve dhe mendoj që në këtë drejtim është duke gabuar, por unë shpresoj se qytetari më në fund është bind se kjo qeveri ka ardhur për t’u hakmarrë e jo për ta vendosë ligjin që çdoherë ka funksionuar”, ka shprehur mendimin Lekaj.

Se a do ta pranojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka treguar as kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ky i fundit ka kërkuar që mos t’i bëhet presion dhe Kushtetuesja mos të mbajë anën e presidentit.

“Unë e kam shpjeguar qëndrimin tonë që ne po i përcjellim me vëmendje zhvillimet politike dhe Gjykata Kushtetuese nuk mund të mbajë anën e presidentit pa e zhvlerësuar veten për shkak të aktgjykimeve të saj të mëhershme dhe për shkak të rasteve që nuk janë të ndryshme as formalisht e as materialisht të vitit 2010 dhe 2017.

Gjykata Kushtetuese të lihet e qetë, të mos ketë këso kërcënime as ndaj kryeministrit as ndaj kujtdo tjetër dhe me profesionalizëm dhe paanshmëri ta sjellë aktgjykimin e drejtë dhe meritor”, ka thënë ai.

 

(B. D.: ‘Epoka e re’)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjerdani në formën e një palloi, na kthen pas në…