Shqipëri, fermerët hasin probleme me shitjen e grurit, shkak kostot e larta

01 gusht 2023 | 12:30

Në Shqipëri ditët e fundit fermerë të kultivimit të grurit dhe ekspertë të fushës së bujqësisë po shprehin shqetësim në rritje, pasi çmimi i shitjes së grurit në treg është i njëjtë, ose në disa raste dhe nën koston e prodhimit, dhe varion nga 26-27 lekë të reja për kg, ose 27 mijë lekë për ton.

Çmimi u dyfishua pas agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022, dhe mbërriti mbi 500 dollarë për ton, por tregjet u stabilizuan sërish pas arritjes së marrëveshjes mes Rusisë dhe Ukrainës për transportin e drithërave të Ukrainës në Detin e Zi, në korrik të po këtij viti.

Franc Kaloshi një fermer në zonën e Lushnjës i cili kultivon grurë që prej 22 vitesh tha për “Zërin e Amerikës” se ky është viti i tij më i vështirë.

Kostot e prodhimit janë rritur thotë ai dhe çmimi i tregut është nën këto kosto.

Situata e viteve të fundit në bujqësi ka qenë e vështirë si pasojë e krizave që shkaktoi pandemia e Koronavirusit, dhe kryesisht agresioni rus në Ukrainë që solli një rritje të ndjeshme të çmimeve në gjithë zinxhirin e furnizimeve në tregjet globale. Para fillimit të krizës çmimi i grurit në bursë ishte pak a shumë i njëjtë me atë që tregtohet sot, por fermerët thonë se kostot e prodhimit janë rritur me 25-30% për shkak të rritjes së çmimit të imputeve bujqësore, naftës apo fuqisë punëtore, duke mbërritur në kufijtë e çmimit të shitjes. Një prej grumbulluesve të grurit në vend, i lidh me disa faktorë këto kosto të larta.

“Ka shumë probleme fermeri te ne, që nga copëzimi i tokës në ngastra, cilësia e pesticideve apo e farërave. Por gruri në gjithë botën subvencionohet që nga Kanadaja, Amerika, Greqia, Austria, Serbia apo Maqedonia. Nuk ka shtet që nuk e subvencionon grurin, madje subvencionohet fuqishëm. Përndryshe gruri nuk arrin të prodhohet dhe të dalë në treg me sukses. Tek ne është bërë një subvencionim për 4 mijë fermerë, por pjesa që nuk ka marrë është e pambrojtur, megjithëse dhe ata që kanë marrë ankohen”, u shpreh për “Zërin e Amerikës”, Adi Haxhiymeri, kryetar i Unionit të Prodhuesve të miellit.

Një vit më parë qeveria shqiptare për herë të parë, njoftoi subvencionimin me 30 mijë lekë të reja për ha për kultivimin e grurit që iu shtuan disa skemave të mbështetjes së fermerëve me naftë. Por kjo nuk ndikoi në një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së grurit në vend.

Autoritetet thanë për “Zërin e Amerikës” se çmimi është produkt i kërkesës dhe ofertës në tregjet ndërkombëtare dhe se ndërhyrjet financiare dhanë efektet në konsolidimin e sipërfaqes së kultivimit të grurit.

Ditët e fundit në bursë ka një trend rritës të çmimit të grurit, nga 250 në 300 dollarë për ton, si pasojë e tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja që i lejonte Ukrainës eksportin e drithërave në Detin e Zi. Kjo mund të sjellë një situatë të favorshme për fermerët shqiptarë pasi mund ta shesin grurin me një çmim më të lartë.

Sipërfaqja e grurit sipas të dhënave të Instat, është zvogëluar ndjeshëm prej viteve 2000, me 62%, dhe me 21% vetëm në 5 vitet e fundit dhe prodhimi vendas plotëson gjysmën e nevojave. Shkalla e subvencioneve në bujqësi edhe pse ka njohur rritje këto vite, sërish është e pamjaftueshme sipas ekspertëve, për të ndikuar në rritjen e sipërfaqeve të mbjella me grurë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-futbollisti i Ballkanit, Ermal Krasniqi mund t’i bashkohet Bordeauxit në…