
Shqipëria dhe Kosova: Mbështetje kombëtare apo detyrim historik?
SHKRUAN: Nazmi Jusufi
Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë thjesht politike. Ato janë të ngulitura në një lidhje vëllazërore, historike, gjuhësore dhe shpirtërore që tejkalon kufijtë shtetërorë. Megjithatë, sa herë që Shqipëria ndërmerr një hap në mbështetje të Kosovës, në opinion publik shfaqet pyetja: a është kjo ndihmë një akt vëllazëror e vullnetar, apo një obligim kombëtar që buron nga një histori e vetme dhe e përbashkët?
Në të vërtetë, Shqipëria ka një detyrim moral, kombëtar dhe historik ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve në të gjitha trojet etnike. Kjo mbështetje nuk është as lëmoshë, as gjest simbolik, por pjesë e pandarë e përgjegjësisë që vjen nga fakti se Kosova përfaqëson vetë thelbin e qëndresës dhe identitetit shqiptar. Çdo neglizhencë në këtë drejtim, qoftë politike apo institucionale, do të ishte shmangie nga një përgjegjësi që buron nga vetë historia jonë kombëtare.
Nga ana tjetër, mirënjohja e ndërsjellë është po aq e rëndësishme. Populli i Kosovës duhet të çmojë çdo kontribut që vjen nga Shqipëria si në diplomaci, arsim, kulturë apo ekonomi në anën tjetër Shqipëria duhet ta shohë Kosovën jo si barrë, por si partner strategjik dhe pjesë natyrale të kombit shqiptar. Vetëm përmes këtij raporti të balancuar ndihme dhe respekti mund të forcohet bashkimi shpirtëror dhe institucional ndërmjet dy shteteve tona shqiptare.
Megjithatë, pyetja që mbetet është thelbësore: a po bën Shqipëria aq sa duhet për Kosovën dhe për shqiptarët në hapësirat etnike?
Në shumë aspekte, përgjigjja është jo mjaftueshëm. Shpesh ndihma mbetet në nivel deklarativ, pa u përkthyer në strategji konkrete bashkëpunimi. Ende mungon një politikë e përbashkët kombëtare në fushën e ekonomisë, arsimit, kulturës dhe diplomacisë ndërkombëtare. Dy shtetet flasin me tone vëllazërore, por jo gjithmonë me një zë të përbashkët në skenën ndërkombëtare.
Shqipëria duhet të jetë avokati më i fuqishëm i Kosovës në arenën diplomatike, duke lobuar për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, për njohje të reja shtetërore dhe për përfshirjen e saj në procese të rëndësishme rajonale. Po ashtu, duhet të ndërtohen ura reale bashkëpunimi ekonomik e infrastrukturor që forcojnë lidhjen mes dy shteteve, jo vetëm në fjalë, por në vepra.
Në të njëjtën kohë, edhe Kosova duhet të tregojë pjekuri shtetërore dhe përgjegjësi institucionale, duke e parë Shqipërinë si partner strategjik dhe jo si rival politik. Marrëdhënia mes dy shteteve duhet të ngrihet mbi parimin e reciprocitetit kombëtar, të bashkëpunimit të sinqertë dhe të vizionit të përbashkët për të ardhmen shqiptare në Europën moderne.
Në fund, mbështetja e Shqipërisë për Kosovën nuk është as obligim i imponuar, e as favor politik. Ajo është detyrim historik dhe moral, që buron nga rrënjët e kombit dhe nga përgjegjësia për të ardhmen. Kombi shqiptar, me dy shtete e me një qëllim, duhet të ndërtojë bashkë një projekt kombëtar të përbashkët, që i shërben zhvillimit, dinjitetit dhe përfaqësimit të denjë të shqiptarëve kudo që janë.