Shqipëria i reagon ashpër Serbisë për pretendimet se në Kosovë ka ‘spastrim etnik të serbëve’: I hedhim poshtë me forcë

07 tetor 2025 | 11:41

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë i ka reaguar ashpër Ministrisë së Jashtme të Serbisë e cila ka vazhduar me pretendimet e saj se në Kosovë po ndodh “spastrim etnik i serbëve”.

MPJ e Shqipërisë ka thënë se i hedh poshtë me forcë e vendosmëri këto pretendime të Serbisë dhe ia ka kujtuar asaj ngjarjet tragjike të vitit 1999 ku ndodhi spastrimi etnik i shqiptarëve të Kosovës.

Ministria shqiptare ka thënë se është për keqardhje që Serbia vazhdon e  mbështetet “ende mbi një Raport tashmë të diskredituar të Dik Martit”.

“Këto të pavërteta, të njohura ndërkombëtarisht si përpjekje për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të përdoren më për t’iu shmangur përgjegjësisë së historisë. Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi. Në këtë kontekst, çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën dhe për të ndërruar rolet e viktimës me të agresorit është e papranueshme dhe bie ndesh me çdo frymë të paqes e pajtimit që rajoni ynë kërkon e meriton”, është thënë në reagimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

Kjo ministri ka theksuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka nevojë për pajtim, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sinqertë në frymën e fqinjësisë së mirë, jo për rikthim tek gjuha e akuzave e viktimizimit.

Reagimi i plotë dhe pa ndërhyrje:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh keqardhjen e thellë për deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Serbisë, të datës 4 tetor 2025, e cila përpiqet të rikthejë hijet e së shkuarës mbi një rajon që po përpiqet të ecë drejt së ardhmes. Në këtë deklaratë ngrihet një seri akuzash dhe pretendimesh të pabaza, të cilat Shqipëria i hedh poshtë me forcë dhe vendosmëri.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë e gjen me vend t’i kujtojë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë disa të vërteta historike, që lidhen me shkaktarët e vërtetë të ngjarjeve tragjike të vitit 1999, ngjarje që sollën vrasje, spastrime etnike dhe dëbimin me forcë të rreth një milion shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre.

Është për të ardhur keq që deklarata e Ministrisë së Jashtme të Serbisë mbështetet ende mbi një Raport tashmë të diskredituar të Dik Martit, kur faktet e hetuara nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare kanë dëshmuar qartë se pretendimet e ngritura aty janë një fabrikim i pastër, pa asnjë provë faktike.

Këto të pavërteta, të njohura ndërkombëtarisht si përpjekje për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të përdoren më për t’iu shmangur përgjegjësisë së historisë. Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi.

Në këtë kontekst, çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën dhe për të ndërruar rolet e viktimës me të agresorit është e papranueshme dhe bie ndesh me çdo frymë të paqes e pajtimit që rajoni ynë kërkon e meriton.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë shpreh bindjen e thellë se rajoni ynë ka nevojë për pajtim, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sinqertë në frymën e fqinjësisë së mirë, jo për rikthim tek gjuha e akuzave e viktimizimit.

Vetëm kështu mund të çlirohemi përfundimisht nga hijet e së shkuarës dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme në paqe, siguri dhe prosperitet një Ballkan të bashkuar në familjen tonë evropiane, ku përkasim nga rrënjët dhe aspiratat.

Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet e gatshme për një bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal, në frymën e miqësisë së mirë, dinjitetit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve tanë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i djathtë i skuadrës polake, Motor Lublin, Florian Haxha…