Shqipëria këtë vit po ofron risi në turizëm

10 gusht 2018 | 13:56

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi, ka thënë se vetëm në muajin korrik mbi një milion shtetas të huaj kanë hyrë në Shqipëri, duke shënuar rritje rekord prej 19-përqindësh në krahasim me korrikun e vitit 2017.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Klosi ka pohuar se këtë vit Shqipëria ka sjellë risi tek të gjitha zonat turistike. Ai ka treguar se është bërë mobilizim i madh te pikat e kalimit kufitar për t’i lehtësuar hyrjet, kurse në trafik për t’i lehtësuar lëvizjet dhe për të parandaluar aksidentet.

Ndërkaq në plazhe thotë se kanë arritur një transformim radikal të situatës së sigurisë. Pavarësisht prej përmirësimeve që janë bërë në turizëm, Kolosi ka thënë se janë të vetëdijshëm se duhet bërë edhe më shumë për të arritur në nivelin maksimal të potencialit turistik që ka Shqipëria. Ai ka bërë me dije se të hyrat e siguruara nga turizmi janë rritur për 10 për qind.

“Epoka e re”: Ministër Klosi, jemi në sezonin e valës së turistëve dhe vizitorëve të huaj, por edhe shqiptarë në bregdetin tuaj. Sa është i përgatitur shteti shqiptar për këtë valë të turizmit?Blendi Klosi: Të gjitha kapacitetet tona shtetërore janë në detyrë me angazhimin maksimal për ta siguruar mbarëvajtjen e sezonit turistik veror. Përmes Task Forcës Qendrore dhe Komiteteve Rajonale të Turizmit po punojmë në baza ditore për të garantuar siguri të përgjithshme, pastërti dhe qetësi, siguri ushqimore, shërbime shëndetësore, festa dhe mikpritje. Paralelisht, organet tatimore janë në detyrë me forca të shtuara, për ta luftuar informalitetin në këtë sektor dhe për ta kontrolluar cilësinë e shërbimeve që ofrojnë subjektet private. Trendi dyshifror i rritjes së turizmit po konfirmohet edhe këtë vit dhe ne jemi shumë të vetëdijshëm që suksesi i industrisë së turizmit në dekadën e ardhshme varet nga aftësia jonë për t’u organizuar dhe përballuar në mënyrën sa më të suksesshme këtë fluks gjithnjë në rritje të turizmit.

“Epoka e re”: Ministër, vitin 2018 e keni cilësuar viti i turizmit shqiptar. Çfarë keni ofruar më shumë sesa vitet paraprake për pushuesit në bregdet dhe turistët nëpër vendet malore turistike?
Blendi Klosi: Vetëm në muajin korrik 2018 mbi një milion shtetas të huaj kanë hyrë në Shqipëri, duke shënuar një rritje rekord prej 19-përqindësh në krahasim me korrikun e vitit 2017. Gjatë muajit qershor dhe korrik 2018 u realizua një rritje prej 30 përqindësh të hyrjes së shtetasve të huaj nëpërmjet Aeroportit në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këto të dhëna konfirmojnë trendin e rritjes së turizmit shqiptar, në veçanti janë dëshmi e depërtimit të turizmit shqiptar në tregje të reja botërore, e diversifikimit të produktit dhe ofertës turistike dhe shtrirjes më të madhe të aktivitetit turistik përgjatë vitit. Në këtë të fundit, më vjen mirë të sjell këtu konstatimin e reagimit të shpejtë të operatorëve turistikë, të cilët po zhvillojnë produkte të reja turistike. Këto produkte të reja po nxjerrin në pah vlerat e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Shqipërisë, bashkë me kulinarinë e pasur dhe mundësitë për aktivitete ‘outdoor’. Gjithë sa po ndodh, është reflektim i një përgatitje disamujore dhe intensive. Që në nëntor të vitit të kaluar nisëm aksionin e madh kombëtar ‘Pastrojmë Shqipërinë që duam’, ku për gjashtë muaj punë të përditshme janë pastruar rreth 20 mijë tonë mbetje. Viti 2018 po sjell risinë e gjallërimit të të gjitha zonave turistike nga veriu në jug përmes një programi shumë të pasur festash dhe aktivitetesh argëtuese. Kalendari ynë i festave numëron vetëm për sezonin turistik veror rreth 500 të tilla, ndërsa deri tani janë realizuar mbi 300 të shijuara nga mijëra turistë të huaj dhe vendës. Programi ynë i ri Smile Albania është vlerë e shtuar e këtij sezoni. Punësimi i 1 000 të rinjve dhe hapja e 26 pikave informuese për mikpritjen dhe orientimin e turistëve, si dhe për ndërgjegjësimin mjedisor, po forcon imazhin miqësor të Shqipërisë para vizitorëve.

“Epoka e re”: Sa u ofron shteti shqiptar qytetarëve të huaj, por dhe vendorëve, siguri, infrastrukturë dhe ambient të pastër mjedisor?
Blendi Klosi: Policia e Shtetit po punon me kapacitet maksimal dhe, përveç shtimit të numrit të efektivëve, janë ngritur edhe stacione të reja policie në zona me fluks më të madh turistik. Mobilizim të madh kemi edhe te pikat e kalimit kufitar për t’i lehtësuar hyrjet dhe në trafik për t’i lehtësuar lëvizjet dhe parandaluar aksidentet. Në plazhe kemi arritur një transformim radikal të situatës së sigurisë, duke ndërtuar një rrjet të tërë kullash vrojtimi dhe duke aftësuar e certifikuar një numër të madh vrojtuesish të plazhit. Në të njëjtën kohë përmes inspektorateve dhe agjencive të specializuara po bëjmë kontrolle të rregullta dhe po aplikojmë masa radikale për ta rritur sigurinë ushqimore, parandaluar shkarkimin e ujërave në det, reduktuar nivelet e zhurmave, përmirësuar kushtet higjiene-sanitare dhe për t’i menaxhuar sa më mirë mbetjet urbane për një Shqipëri sa më të pastër. Sa i përket infrastrukturës, përveç projekteve të mëdha rrugore, portuale e aeroportuale që janë në zhvillim e sipër, këtë vit kemi zbatuar edhe programin e rehabilitimit të rrugëve ekzistuese për të ofruar siguri më të madhe dhe lëvizshmëri më të lehtë gjithë pushuesve drejt destinacioneve të tyre. Thënë të gjitha këto, nuk dua të jem jorealist. Kemi ende probleme, jo të gjitha kemi arritur t’i korrigjojmë brenda një sezoni. Jemi shumë të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm se duhet ende shumë më shumë për të mbërritur në zhvillimin e një industrie të qëndrueshme turistike. Por, kjo verë shënoi kthesën në shumë aspekte që ishin problematikë e bartur në vite.

“Epoka e re”: Ministër, disa media po shkruajnë se shteti shqiptar nuk po ofron siguri dhe po ka edhe fryrje të çmimeve të faturave të ushqimit të taksive dhe të shërbimeve të tjera. A ka kontroll shtetëror për këto fenomene?
Blendi Klosi: Me disa përjashtime shumë të vogla, media, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë,  ka qenë tejet profesionale në raportim dhe bashkëpunuese me ministrinë tonë për promovimin e Shqipërisë turistike, por edhe për identifikimin dhe adresimin e problematikave të caktuara. Pavarësisht prej përmirësimeve, jemi tejet të vetëdijshëm që duhet bërë edhe më shumë për të arritur në nivelin maksimal të potencialit turistik që kemi. Thashë edhe më sipër, ne kemi fituar betejën e shifrave turistike, na duhet të fokusohemi te rritja e cilësisë, ku sektori privat ka shumë për të bërë në këtë drejtim. Shqipëria turistike që duam është përgjegjësi e ndarë e të gjithëve dhe me gjithë vështirësitë e nivelit qendror dhe vendor të qeverisjes, jemi maksimalisht të angazhuar për t’i përmbushur gjithë detyrimet tona dhe në këtë drejtim kërkojmë edhe angazhim maksimal të sektorit privat për ta rritur cilësinë e shërbimeve. Turizmi është një industri shumë e ndjeshme dhe çdo lajm i keq, sado i vogël dhe i izoluar, mund të ketë efekte të gjëra dëmtuese. Për këtë arsye, ne u bëjmë apel të gjithëve të jenë të kujdesshëm në jehonën e lajmeve të tilla, në mënyrë që të mos krijohen përgjithësime të gabuara nga rastet individuale dhe të izoluara. Në veçanti u bëjmë thirrje të gjithëve, e sidomos pushuesve, që sa herë që ballafaqohen me parregullsi, të na njoftojnë dhe të jenë bashkëpunëtorët e agjencive dhe inspektorateve përkatëse për mënjanimin e çdo shkelje dhe parregullsie që mund të ndodhë.

“Epoka e re”: Qytetarët e Kosovës tradicionalisht janë pushues në bregdetin shqiptar, duke filluar pushimet që nga Shëngjini, Velipoja e deri në Saranda. Por, siç thashë dhe më parë, disa media po paraqesin aty-këtu plazhe jo të sigurta, duke kritikuar se nuk ka roje plazhi etj. A jeni marrë me këtë çështje?
Blendi Klosi: E përsëris, bashkëpunimi me medien ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i mirë dhe ne e vlerësojmë maksimalisht profesionalizmin e medies në raportimin mbi turizmin në Shqipëri. Edhe ato pak raste të raportimeve me tone më kritike, ne jemi të prirë t’i shohim si përpjekje dashamirëse për të ndikuar pozitivisht në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe ngritjen e standardit të përgjithshëm të turizmit në Shqipëri. Të dhënat e fundit mbi numrin e turistëve, të ardhurat nga turizmi, zgjerimi i gamës së produkteve të turizmit, shtrirja kohore dhe territoriale e turizmit tregojnë për rritje të qëndrueshme, në të njëjtën kohë janë dëshmi se edhe nëse ekzistojnë tendenca për dëmtim imazhi, ato nuk kanë funksionuar. Ne tanimë po i afrohemi numrit 200 të kullave të vrojtimit që janë ngritur në gjithë vendin dhe rreth 70 për qind e tyre janë të pajisura me personel. Ky numër rritet rregullisht pasi kulla të reja ngritën çdo ditë në zonat bregujore të vendit, me synimin që ta arrijmë numrin e nevojshëm për mbulueshmëri të plotë me kulla që është afërsisht 240. Sot në Shqipëri në total janë 250 vrojtues plazhi të trajnuar dhe të certifikuar. Pavarësisht se vëmendjen publike tërheqin gjithmonë rastet e fatkeqësive në plazhe, të dhënat flasin dy gjëra konkrete: një, numër të reduktuar të fatkeqësive në plazhe në krahasim me vitin paraardhës dhe dy, dhjetëra raste të shpëtimit të jetës nga vrojtuesit e plazheve dhe nga punonjësit e qendrave shëndetësore pranë stacioneve të plazhit.

“Epoka e re”: Ministër, pse në mediet e Kosovës nuk e promovoni Shqipërinë turistike duke u kujdesur për t’i sensibilizuar pushuesit?
Blendi Klosi: Kohët e fundit kemi parë rritje të bashkëpunimit mes operatorëve turistikë dhe kulturorë të Shqipërisë dhe Kosovës, që po konkretizohen jo vetëm me ngjarje promovuese, por edhe produkte dhe paketa të përbashkëta turistike. Një kalendar i përbashkët kulturor në mes të ministrive përkatëse të kulturës i ka dhënë një dinamikë të re shkëmbimit kulturor në mes të Shqipërisë dhe Kosovës. Një zhvillim shumë inkurajues është edhe bashkëpunimi në mes të medieve dhe shkëmbimi i produktit mediatik mbi promovimin e turizmit shqiptar. Kohët e fundit shohim edhe rritje të numrit të fotografëve dhe blogerëve shumë të suksesshëm nga Kosova, të cilët zbulojnë bukuritë e peizazhit natyror dhe kulturor të Shqipërisë dhe bëjnë një promovim shumë efektiv për publikun e Kosovës dhe më gjerë. Ne tanimë po përgatitemi për një organizim të madh në Prishtinë ku do t’i konkretizojmë planet për rritjen e bashkëpunimit turistik në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, duke i bërë bashkë operatorët, gazetarët, artistët, profesionistët dhe zyrtarët e institucioneve publike qendrore dhe lokale. Deri në fund të këtij viti ne do të kemi një dokument të ri strategjik mbi promovimin e turizmit shqiptar, diçka që i ka munguar turizmit tonë deri tani. Synimi ynë është që të jemi sa më të fokusuar, efektivë dhe të mençur për shpenzimin e parasë publike për promovimin turistik të vendit tonë. Pjesë e kësaj qasje të re strategjike për promovimin turistik do të jetë edhe Kosova, natyrisht, mbi të gjitha promovimi i Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, si destinacion i përbashkët në tregje të treta. Ne besojmë se bashkëpunimi rajonal turistik, në këtë pikë ai me Kosovën, është më kryesori për ne, dhe do të na mundësojë të jemi sa më të konkurrueshëm në një treg global turistik gjithnjë në rritje.

“Epoka e re”: Përpos turizmit bregdetar, Shqipëria ofron edhe turizëm malor me atraksione të ndryshme. A prisni që vit pas viti rritja e ditëve të kaluara në Shqipëri dhe rritja e parave të shpenzuara në Shqipëri të jetë më e kënaqshme?
Blendi Klosi: Trend të konsiderueshëm të rritjes sivjet kemi konstatuar te vizitueshmëria e muzeve dhe monumenteve të kulturës si dhe e zonave të mbrojtura të natyrës. Numri i vizitorëve në zona të mbrojtura të natyrës ka shënuar rritje prej 30 përqindësh në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018. Ndërsa shembulli më tipik i këtij trendi pozitiv është turizmi kulturor, pasi në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 u shënua rritje prej 70 përqindësh në vizitueshmërinë e muzeve dhe monumenteve në krahasim me gjashtëmujorin e parë të 2017-s. Ndërsa po të krahasohet me të njëjtën periudhë të vitit 2014, rritja është në nivelin 188 për qind. Nga të dhënat e institucioneve financiare për gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 kemi konfirmimin se të hyrat e siguruara nga turizmi janë rritur për rreth 10 për qind. Këto janë shifrat që i kam më përzemër, sepse është ajo çka synojmë: të mos flasim më për sezon turistik në Shqipëri, por për turizëm gjithëvjetor. Ndaj jemi duke punuar shumë fort edhe në drejtim të ngritjes së agroturizmit, me paketa lehtësuese financiare që kemi miratuar sesionin parlamentar që u mbyll, me promovimin dhe mbështetjen e këtij drejtimi të rëndësishëm turistik.

“Epoka e re”: Cili është bashkëpunimi i shtetit shqiptar me atë të Kosovës në fushën e turizmit. Sa po zbatohen marrëveshjet e kësaj fushe dhe cili është mesazhi juaj për pushuesit dhe vizitorët nga Kosova?
Blendi Klosi: Siç e shpjegova edhe më parë, ka një dinamizim të bashkëpunimit turistik në mes të Shqipërisë dhe Kosovës dhe gjatë kësaj vjeshte do të ulemi bashkë edhe një herë për të diskutuar se si mund të rritet edhe më tej ky shkëmbim, pasi mundësitë dhe potencialet turistike në të dyja anët janë të pafundme. Pushuesit e Kosovës që vijnë në Shqipëri për turizëm për ne nuk janë vetëm pushues dhe vizitorë. Janë pjesë përbërëse e jona në kuptimin kombëtar, por në veçanti janë shtylla kurrizore mbi të cilën është ndërtuar dhe zhvilluar turizmi shqiptar në gjithë këto vite. Për pushuesit nga Kosova në Shqipëri ne duam të bëjmë më të mirën që ata të vazhdojnë të ndihen si në shtëpinë e tyre, sikundër ndihemi edhe ne kur jemi në Kosovë. Kur bëhet fjalë për turizmin, ne gjithmonë kemi nxitur shprehjen e çfarëdo shqetësimi që mund të kenë gjatë qëndrimit të tyre. Nuk duhet harruar që rritja dhe zhvillimi i turizmit në Shqipëri doemos ka efekte pozitive edhe në turizmin dhe zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës dhe anasjelltas.

Sadik Zeqiri

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi ka arritur marrëveshje me yllin e Bayern Munchen,…