
Shqipëria përballet në miqësore me Gjibraltarin
Kombëtarja shqiptare zbret në fushë sot për të zhvilluar ndeshjen miqësore ndaj Gjibraltarit, një përballje që shërben si test gjeneral përpara sfidës shumë të rëndësishme ndaj Letonisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.
Për kuqezinjtë, kjo ndeshje ka një rol të dyfishtë, nga njëra anë për të testuar gjendjen e skuadrës, dhe nga ana tjetër për të provuar alternativa të ndryshme në formacion.
Kjo do të jetë hera e parë që Shqipëria përballet me kombëtaren e Gjibraltarit. Ky shtet i vogël, federata më e re dhe më e vogël e UEFA-s, është ende në hapat e parë të zhvillimit të futbollit ndërkombëtar. Shifrat tregojnë qartë diferencat mes dy ekipeve: Gjibraltari ka zhvilluar 100 ndeshje në historinë e tij, ku ka arritur të fitojë vetëm 10, ndërsa ka humbur 74. Vitin e kaluar ata regjistruan humbjen rekord kundër Francës me rezultatin 14-0.
Gjibraltari drejtohet nga trajneri Skot Visman dhe renditet në vendin e 199-të të renditjes së FIFA-s. Lojtari kryesor i skuadrës konsiderohet veterani Liam Uoker, i cili është pjesë e kësaj kombëtareje prej shumë vitesh. Pavarësisht vështirësive, futbolli në këtë shtet ka treguar hapa përpara, duke pasur si shembull ekipin Linkoln Red, që ka arritur të marrë pjesë në fazën e grupeve të Konferencë Ligë.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Europa Sports Park”, një impiant i vogël me kapacitet vetëm 2,500 vende dhe me bar artificial. Një detaj që mund të ketë ndikim edhe në mënyrën se si Shqipëria do të përshtatet me kushtet e lojës, përpara ndeshjes më të rëndësishme ndaj Letonisë, që do të luhet në “AirAlbania” më 9 shtator.
Lista e publikuar nga trajneri Silvinjo ka pësuar ndryshime të rëndësishme ditët e fundit. Një nga çështjet më të diskutuara ishte largimi i mbrojtësit Adrian Bajrami, i cili vendosi të përfaqësojë Zvicrën dhe jo më Shqipërinë. Në vend të tij është thirrur mbrojtësi i ri Maldini Kaçurri. Në mesfushë, mungesa e Ylber Ramadanit për shkak të një dëmtimi është kompensuar me ftesën e Enis Çokajt. Ndërkohë, një tjetër mungesë e rëndësishme është ajo e Ernest Muçit, vendin e të cilit e merr Kristian Shpendi.
Këto ndryshime e bëjnë të domosdoshme për Silvinjon të testojë alternativa të tjera në ndeshjen miqësore.
Sfida mes Gjibraltarit dhe Shqipërisë, do të luhet këtë të enjte, duke nisur nga ora 18:00.