Shqipëria tash me një ligj për përkthyesit zyrtarë

24 qershor 2021 | 15:14

Ministrja e Drejtësisë në Shqipëri, Etilda Gjonaj u ka thënë sot të zgjedhurve të popullit në Kuvend në Tiranë se tash vendi do ta ketë dritaren e hapur për ligjin e përkthyesve zyrtarë dhe të profesionit të përkthyesit zyrtar.

Gjonaj ka theksuar se për të parën herë në Kuvend prezantohet projektligji për përkthimin zyrtar dhe profesionit të përkthyesit zyrtar.

Ajo ka thënë se nisma ishte e vonuar në kohë, por kurrqysh e harruar në programin dhe agjendën e punës që kryen si ministre e Drejtësisë.

Qysh prej vitit 2000, tash e 21 vjet më parë, Ministria e Drejtësisë, e ka mbuluar në nivel republikan kombëtar, nevojën për përkthyes zyrtar në Republikën e Shqipërisë.

Duke mbrojtur ligjin në seancën plenare, Gjonaj ka treguar se harta e përkthyesve të autorizuar nga Ministria e Drejtësisë ka numrin e lartë 910 të përkthyesve në nivel kombëtar.

Sipas saj, në këtë hartë, kryeson Tirana me 70 për qind të numrit të përgjithshëm të përkthyesve dhe mandej renditen Durrësi, Shkodra, Vlora, Fieri.

Kjo trupë e përkthyesve mbulon 27 gjuhë të huaja si anglisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht, greqisht, spanjisht, e deri te gjuhët e rralla.

Qëllimi i projektligjit, që nuk prek lëmin e përkthyesve letrarë, lidhet gjithashtu me rëndësinë e përkthimit sidomos të dokumenteve zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e ministrisë në fushën e marrëdhënieve juridiksionale me jashtë dhe jo vetëm.

Për këtë arsye, Gjonaj ka theksuar janë vendosur parashikime të qarta si për formimin që duhet të kenë përkthyesit, por dhe për një mori çështjesh që lidhen me mënyrën e funksionimit të këtij profesioni.

Kjo nismë ligjore, sikundër arsyetoi e para e Drejtësisë në Shqipëri, synon rregullimin e profesionit të përkthyesit që nga kushtet që duhet të përmbushin individët për të ushtruar profesionin e përkthyesit zyrtar, kriteret e përzgjedhjes së dhe trajnimi i përkthyesve sipas fushave të tyre të përgjegjësisë, procedurën e testimit, të drejtat dhe përgjegjësitë gjatë ushtrimit të veprimtarisë, njohjen ligjërisht të punës së përkthyesit duke pranuar dokumentin e përkthyer prej tij si zyrtar dhe jo të certifikuar nga një hallkë tjetër institucionale.

“Projektligji parasheh detajisht rregullat për certifikimin e profesionit të përkthyesit zyrtar dhe interpretit, mbikëqyrjen dhe kontrollin nga Ministria e Drejtësisë si organi certifikues, fillimin e hetimit dhe procedimit disiplinor në rastet e shkeljeve të përcaktuara nga ky projektligj, ashtu si dhe masat disiplinore deri në heqjen e licencës”, ka thënë ministrja Gjonaj.

Gjithqysh sipas saj, është me rëndësi të veçantë të përmendim si risi në punë si dhe politikave sociale: përfshirja për herë të parë në këtë ligj, në mënyrë të plotë dhe ligjore, të statusit të interpretit të gjuhës së shenjave, duke i dhënë mundësinë kategorisë së personave që nuk dëgjojnë të kenë interpretin e gjuhës së shenjave gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore sipas parashikimeve të legjislacionit procedurial në fuqi.

Në regjistrin elektronik të përkthyesve zyrtarë tashmë do të përfshihen edhe interpretët e gjuhës së shenjave, nëpërmjet konkurrimit sipas kritereve specifike dhe certifikohen nga Ministria e Drejtësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njëri ndër themeluesit e diplomacisë publike të UÇK-së, Hajdin Abazi…