Shqiptarët e Luginës janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë

19 qershor 2019 | 12:27

Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Ismajl Kurteshi, ka thënë se shqiptarët në Luginën e Preshevës janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë.

Pas kthimit nga vizita në Luginë të Preshevës, Kurteshi ka bërë me dije se do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për shqiptarët e Luginës ku përmes një rezolute do të adresohen kërkesat e tyre.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kurteshi ka deklaruar se çështja e Luginës duhet të bëhet pjesë e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Është e rëndësishme të ceket se shqiptarët në Luginë të Preshevës janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë. Ndërsa askush prej Kosovës dhe prej Shqipërisë nuk e ngre këtë çështje në qarqet e BE-së. Serbia po përparon drejt integrimit në BE pa u vënë re se shteti serb po bën diskriminime që janë të paimagjinueshme se gjëra të tilla mund të ndodhin në Evropë”, ka thënë Kurteshi.

Teksa ka folur për diskriminimin e shqiptarëve në Luginë, ai ka thënë se gjendja e atyre është më e rëndë se para katër vjetëve që ky komision kishte vizituar atë pjesë. Sipas tij, shqiptarët e asaj pjese duhet t’i gëzojnë të njëjtat të drejta që i gëzojnë serbët e Kosovës.

“Kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës drejtuar atij delegacioni shtetëror është që çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të bëhet pjesë e dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel. Shqiptarët kërkojnë reciprocitet në të drejta. Pra, ato të drejta që i gëzojnë serbët në Kosovë duhet t’i gëzojnë edhe shqiptarët në Luginë. Kërkojnë që të zgjidhet çështja e teksteve shkollore dhe të ndodhë njohja e diplomave. Kërkojnë që në universitetet publike të Kosovës të ketë më shumë studentë nga Lugina”, ka thënë ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë Lugina ka nevojë për mbështetje politike dhe materiale të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Natyrisht, kërkojnë që Kosova dhe Shqipëria të investojnë në projekte të ndryshme në komunat ku jetojnë shqiptarët sepse, siç thanë ata, nëse Serbia mund të investojë nga 500-600 milionë euro për serbët në Kosovë, atëherë Kosova dhe Shqipëria do të duhej të mbështesin shumë projekte në këto komuna”, është shprehur Kurteshi, duke shtuar se tani është koha e fundit që Kosova dhe Shqipëria të bëjnë diçka për shqiptarët e asaj pjese.

“Epoka e re”: Z. Kurteshi, së bashku me disa anëtarë të tjerë të komisionit parlamentar që drejtoni ju, keni vizituar Luginën e Preshevës. Cila është gjendja e shqiptarëve atje?
Kurteshi: Si Komision i Arsimit në Luginë të Preshevës kemi qenë edhe në vitin 2015, kurse tani më 5 dhe 6 qershor kemi shkuar një pjesë e Komisionit të Arsimit dhe një pjesë e Komisionit Parlamentar të Administratës Publike. Dhe kur e krahasojmë gjendjen e tanishme të shqiptarëve me gjendjen para katër vjetëve, gjendja tani në Luginë e Preshevës është dukshëm më e rëndë sesa ka qenë para katër vjetëve.

“Epoka e re”: Në çfarë aspektesh është më e rëndë?
Kurteshi: Në shumë aspekte. Për shkak të kushteve të vështira të jetesës, diskriminimit në punësim, mungesës së teksteve shkollore dhe mosnjohjes së diplomave, numri i nxënësve ka rënë dukshëm në të tri komunat e Luginës. Sigurisht se ka rënë edhe numri i banorëve në këto komuna. Prandaj, deri tash ata nuk kanë përjetuar ndonjë përparim në aspektin e përmirësimit të gjendjes së tyre, as nga ato marrëveshjet e nënshkruara në mes të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit. Atje është nënshkruar edhe marrëveshja për tekstet shkollore dhe për njohjen e diplomave. Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të diskriminuar edhe në aspektin e punësimit. Në krejt administratën e Komunës së Medvegjës janë të punësuar vetëm tre shqiptarë, ndërsa në spitalin regjional të Vranjës, ku rreth 40 për qind e pacientëve janë shqiptarë, është vetëm një shqiptar i punësuar dhe në kadastër e gjeodezi nuk ka të punësuar shqiptarë. Pra, shqiptarët janë të diskriminuar në çdo aspekt. Një formë tjetër e diskriminimit dhe dëbimit të shqiptarëve është edhe shlyerja nga evidenca e shqiptarëve – mërgimtarë të cilët përkohësisht mund të jenë në botën e jashtme.

“Epoka e re”: Cilat janë kërkesat e tyre kryesore që duhet t’i adresojnë institucionet e Kosovës?
Kurteshi: Kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës drejtuar delegacionit shtetëror është që çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të bëhet pjesë e dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel. Shqiptarët kërkojnë reciprocitet në të drejta. Pra, ato të drejta që i gëzojnë serbët në Kosovë duhet t’i gëzojnë edhe shqiptarët në Luginë. Kërkojnë që të zgjidhet çështja e teksteve shkollore dhe të ndodhë njohja e diplomave. Kërkojnë që në universitetet publike të Kosovës të ketë më shumë studentë nga Lugina. Natyrisht, kërkojnë që Kosova dhe Shqipëria të investojnë në projekte të ndryshme në komunat ku jetojnë shqiptarët sepse, siç thanë ata, nëse Serbia mund të investojë nga 500-600 milionë euro për serbët në Kosovë, atëherë Kosova dhe Shqipëria do të duhej të mbështesin shumë projekte në këto komuna. Pra, shqiptarët e Luginës kërkojnë përkrahje politike dhe kërkojnë përkrahje materiale.

“Epoka e re”: Në mbledhjen e fundit anëtarët e Komisionit për Arsim janë pajtuar që të thirret një seancë e jashtëzakonshme parlamentare për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Pse është e nevojshme të mbahet kjo seancë dhe kur pritet të mbahet?
Kurteshi: Ne si komision u pajtuam që t’i ndërmarrim disa veprime së bashku. Në pajtim edhe me kryetarin e Komisionit për Administratë, Nait Hasanin. Jemi marrë vesh që të martën e ardhshme, më 25 qershor, të dy komisionet ta mbajnë një mbledhje të përbashkët, pastaj bashkërisht të angazhohemi për hapat e mëtutjeshëm. T’i kontaktojmë të gjithë ministrat, kryeministrin, pastaj të thërrasim edhe një seancë në të cilën do ta nxjerrim një rezolutë, të cilën shpresoj se institucionet e Kosovës do ta respektojnë dhe t’i ndihmojmë shqiptarët e Luginës.

“Epoka e re”: Çfarë duhet të përmbajë ajo rezolutë?
Kurteshi: Është e rëndësishme të ceket se shqiptarët në Luginë të Preshevës janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë, ndërsa askush prej Kosovës dhe as prej Shqipërisë nuk e ngre këtë çështje në qarqet e BE-së. Serbia po përparon drejt integrimit në BE pa u vënë re se shteti serb po bën diskriminime që janë të paimagjinueshme se gjëra të tilla mund të ndodhin në Evropë. Natyrisht se këto që i thashë nuk është komplet ajo bërthama që duhet të hyjë në rezolutë, sepse janë edhe disa kërkesa të tjera. Qëllimi ynë është që të bëhet një rezolutë përmes së cilës do të fillohet t’u ndihmohet shqiptarëve të asaj pjese. Mjaft kemi bërë deklarime pompoze për vëllezërit tanë atje. Nuk mjafton që ne vetëm të kërkojmë nga ta që të qëndrojnë në trojet e tyre. Atyre duhet t’ua plotësojmë kushtet elementare, pastaj të jetojnë në tokën e tyre dhe të prindërve të tyre.

“Epoka e re”: Kemi pasur iniciativa të ndryshme për t’i ndihmuar shqiptarët atje. Më herët presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar që në dialog të përfshihet çështja e Luginës. Po ashtu, në Kuvend është folur disa herë për kushtet e rënda të shqiptarëve atje. Çka e dallon tani këtë iniciativë nga ato të mëhershmet?
Kurteshi: Nuk e di si ka për të qenë kjo iniciativë, por e di se fatkeqësia e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është keqpërdorur nga shumë politikanë në Kosovë. Presidenti ka pasur mundësi ta ngrehë çështjen e tyre në Bruksel, sepse po bisedon që disa vjet me Serbinë. Ai ka mundur ta bëjë reciprocitetin në të drejta, sepse një gjë e tillë edhe mund të realizohet. Shpresoj që këtë herë do të realizohen projekte konkrete që do të mbështeten nga institucionet e Kosovës dhe që do t’ua lehtësojnë jetën shqiptarëve të Luginës. Po ashtu, shpresoj që çështja e tyre të ngrehet në Bruksel. Së pari duhet që BE-ja të njoftohet për diskriminimin që po u bëhet shqiptarëve, më pas të punohet për trajtimin e barabartë të dy komuniteteve, që shqiptarët atje të trajtohen sikurse serbët këtu.

Muhamet KOCI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit njëherësh lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka…