
Shqiptarët e Malit të Zi kërkojnë përkrahje nga institucionet e Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të premten në takim Këshillin Kombëtar Shqiptar të Malit të Zi, i prirë nga kryetari Faik Nika.
Në takim, kryetari Konjufca është shprehur se Republika e Kosovës dhe Mali i Zi kanë raporte të mira fqinjësore dhe tashmë edhe një përcaktim të qartë gjeostrategjik dhe transatlantik.
“Zhvillimet e fundit shqetësuese në Ukrainë janë shenjë se ne duhet të forcojmë edhe më shumë bashkëpunimin me njëri-tjetrin”, ka thënë Konjufca.
Ndërsa përfaqësuesit e komunitetit shqiptar nga Mali i Zi e kanë falënderuar kryetarin e Kuvendit për pritjen e ngrohtë dhe, ndër të tjera, kanë veçuar nevojën për ngritjen e kuotave për studentët dhe specializantët shqiptar nga Mali i Zi.
Ata kanë kërkuar njëherësh edhe përkrahje institucionale për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, mbështetje të projekteve të ndryshme kulturore e arsimore, si dhe investime në infrastrukturë në vendbanimet shqiptare.
Kryetari Konjufca dhe përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar janë pajtuar për avancimin e bashkëpunimit dhe domosdoshmërinë e përkrahjes së komunitetit shqiptar në Mal të Zi.