
Shqiptarët gjithandej botës u bënë financuesit kryesor të lëvizjes atdhetare që kulmoi me luftën e armatosur të UÇK-së
Intervistë me Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në vitin 1979 dhe i dënuar me katër vjet burgim (8)
Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në vitin 1979 dhe i dënuar me katër vjet burgim, në pjesën e tetë të intervistës dhënë për gazetën “Epoka e re”, ka folur për emigrimin e shqiptarëve në vendet e Evropës, të cilët edhe u bënë financuesit kryesor të lëvizjes atdhetare nga viti 1981 e këtej, e cila kulmojë me subvencionimin vullnetar të luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1997-1999).
“Epoka e re”: Një aspekt tjetër ishte edhe hapja e Jugosllavisë së atëhershme, përfshirë edhe Kosovën, ndaj botës. Jo vetëm për të bërë vizita, por, dhe kjo është më e rëndësishmja, edhe për të punuar. Cili ishte impakti i kësaj përgjithësisht, e ndaj Kosovës posaçërisht?
Hajdin Abazi: Ke të drejtë. Kjo është një çështje e posaçme dhe e rëndësishme, në të cilën luheshin shumë lojëra e vepronin shumë skenarë.
Le të kujtohet se Jugosllavia ishte bërë iniciatore e Lëvizjes së të Painkuadruarve në vitin 1961, ku Titoja luante një rol qendror në të si personalitet. Në kohën e Luftës së Ftohtë midis bllokun socialist e atij demokratik, kjo kishte gjetur hapësirë për të ruajtur neutralitetin dhe për t’i ndihmuar paqes e stabilitetit. Këtu ishte shtytja për të hequr dorë nga centralizmi, pasi që Jugosllavia duhej të krijonte imazhin e një vendi liberal, që ishte atraktiv për vendet që i ishin bashkuar dhe do t’i bashkoheshin kësaj Lëvizje. Nuk mund të shërbente vetë si shembull i paqes kur në Jugosllavi kishte dhunë sistematike dhe diktaturë thuaja si në Rusi e vendet tjera komuniste; duhej të bënte një dallim edhe më të madh me to.
Dhe reformat e decentralizimit ose të forcimit të dimensioneve federale në nivele republikane e krahinore, i çuan mesazhe botës se Jugosllavia po liberalizohej e me këtë edhe po hapej, në kuptimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në vende të ndryshme.
Ky ishte aspekti i imazhit, për t’u ofruar me botën perëndimore ku Titoja u fuqizua si lider botëror dhe do të përfitonte jo pak prej vendeve sidomos arabe.
Në këtë hapje të Jugosllavisë kishte dhe skenarë të tjerë, por njëri është me rendësi të posaçme për Kosovën: çështja e imigrimit.
Ndonëse përmes kredive do të hapeshin ndërmarrje prodhuese dhe do të bëheshin punësime, ishte e pamundur të absorbohej i tërë potenciali i fuqisë punëtore. Ndërkohë, vendet e zhvilluara evropiane si Gjermania, Austria, vendet e Beneluksit e vendet skandinave kishin mungesë të fuqisë punëtore. Jugosllavia shkroi marrëveshje për furnizim me fuqi punëtore (politika e gasterbajterave) me këto shtete. Kësisoj, të dyja palët ishin të kënaqura: Evropa merrte atë që i mungonte e kishte nevojë, Jugosllavia shkarkohej nga “llumpen-proletariati”, pra nga të papunët dhe problemet social-ekonomike, më çka sigurohej paqja sociale dhe, rrjedhimisht, edhe stabiliteti politik.
Ky trend do t’i joshte të gjithë popujt e Jugosllavisë asokohe, po sidomos ata që ishin më të varfrit – e që ishin shqiptarët gjithandej: Kosovë, trevat shqiptare në Maqedoni, Luginë të Preshevës (Serbi) dhe Mal të Zi, dhe me dhjetëra mijëra do të mërgonin përmes këtyre kontratave si punëtorë të përkohshëm e që do të mbeteshin të përhershëm.
Në raport ndaj shqiptarëve, kjo politikë ishte një strategji e dyfishtë. Në njërën anë aspekti social: zbutej papunësia dhe rrjedhimisht edhe varfëria; në anën tjetër dimensioni kombëtar: emigrimi i shqiptarëve do të thoshte zbrazje e Kosovës dhe dobësim i substancës kombëtare (që duhej të dëmtonte dhe pakësonte shqiptarët në atdheun e tyre dhe kështu të përmbusheshin elaboratet serbomëdha antishqiptare.
Por shqiptarët, me intuitën e mbijetesës kombëtare, do ta bëjnë të dështojë edhe kjo strategji antishqiptare. Me shumë mënyra veprimi: emigruan kryesisht vetëm burrat, duke lënë familjet në atdhe; remitencat i sillnin në atdhe e kështu përmirësonin gjendjen ekonomike të familjeve të tyre; kjo i bënte ata të ndjeheshin të pavarur nga shteti në aspektin ekzistencial; mirëqenia e rritur i bëri familjet shqiptare të shtonin natalitetin. Kështu, familjet shqiptare anekënd atdheut, pa asnjë impakt nga politikat komuniste, i kundërvepruan strategjisë shoviniste antishqiptare: në vend që të dobësoheshin e pakësoheshin, nataliteti i lartë i bëri ata të rriteshin e të forcoheshin kombëtarisht.
Në vend se të shkëputeshin, gasterbajterat shqiptarë i ruajtën lidhjet me atdheun, si përmes familjeve ashtu edhe përmes vizitave (dy herë në vit) që i bënin atdheut. Kësisoj, në aspektin afatgjatë, kjo iu kthye bumerang pikërisht politikave serbomëdha dhe shqiptarët edhe emigrimin do ta kthejnë në forcë kombëtare: edhe pse të papunë e edhe pse ata që ishin të punësuar nga viti 1981 shkuan duke u pakësuar derisa i larguan masovikisht, ata ekzistencialisht nuk vareshin nga shteti pasi që remitencat e mërgatës i siguronin mbijetesën pa pllakosur varfëria e mjerimi. Për më tepër, po këta “të punësuar të përkohshëm” (gasterbajterat) do të bëheshin financuesit kryesor të lëvizjes atdhetare nga viti 1981 e këtej, e që do të kulmojë me subvencionimin vullnetar të luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1997-1999).
“Epoka e re”: Arritjet zhvillimore të Kosovës që telegrafikisht i paraqite më sipër, edhe përmes proceseve të brendshme e edhe përmes diasporës, do të kenë acaruar serbomëdhenjtë, sepse shqiptarët po shkonin duke u forcuar si komb e edhe si vend, apo jo?
Hajdin Abazi: Pa fije dyshimi se po, madje po i egërsonte.
Shqiptarët po tregoheshin popull intelektualisht normal dhe bashkëkohor, gjë që publikisht po demantonin pretendimet serbomëdha se “shqiptarët janë njerëz me bishta”, pra se janë primitivë.
Serbomëdhenjtë, si bishat e struktura, e shihnin se me kaq pak të drejta që i ishin dhënë Kosovës sa shpejt po përparonin e me çfarë dinamike po zhvilloheshin shqiptarët, e në hap me këtë po e shihnin daljen e tyre nga sundimi serb.
Ndaj, që në vitin 1974, përmes “Librit të kaltër” kishin përgatitur skenarë e strategji antishqiptare, i kishin bërë publike dhe ia kishin dorëzuar vetë numrit një të vendit – Titos, i cili, sikurse tregon Vllasi, i kishte futur në sirtar; dhe serbomëdhenjtë po prisnin “momentin e volitshëm” të Gorgiasit (që ishte vdekja e Titos) për të nisur rrëmihjen graduale të çdo arritje shqiptare deri te shndërrimi i tyre në qytetarë të rendit të dytë.
E, udhëheqja komuniste e Kosovës nuk besonte se ishte e mundur të ndodhte ndonjë regres, ndonjë kthim prapa në të kaluarën, meqë autonomia ishte legale, legjitime dhe e sanksionuar në Kushtetutën e RSFJ. Por ata gaboheshin.
“Epoka e re”: Pse? Si? Ku konsistonte gabimi i tyre, kur Vllasi nuk shpreh asnjë fjalë se ishin bërë gabime nga udhëheqja komuniste Kosovës e asaj kohe?
Hajdin Abazi: Që mund të mos e kishin kuptuar (Vllasi e të tjerët) gabimin asokohe, mund të merret me mend, por të mos kuptohet as pas gjysmë shekulli – kjo shpreh frikën nga pranimi i gabimeve (dhe vetë kjo është aspekt psikologjik i tyre, pasi që Kosova e çliruar nga pushtimi serbomadh kurrë nuk ka kërkuar hakmarrje dhe as nuk do të kërkojë).
Nejse.
Nuk mundet t’i jepet askujt ajo që i mungon, që nuk e ka të lindur e të kultivuar.
Kur flas për gabimet e asaj kohe të klasës komuniste të Kosovës, nuk jam aspak në rolin e prokurorit, dhe nuk mendoj aspak në ndonjë yshtje hakmarrëse apo akuzë – absolutisht jo, por thjesht në aspektin moral, për të qenë sado pak të sinqertë me popullin edhe pas gjysmë shekulli.
Fjala vjen, po qe se pushtetarët komunistë në Kosovë e kudo në instancat federative ta kishin kuptuar në rrënjë revoltën popullore të vitit 1981, me siguri se do të vepronin më korrekt dhe maksimalisht ashtu sikurse kishin mundësi dhe sikurse do të ishte në të mirën jo vetëm të Kosovës por edhe të vetë Federatës.
Por nuk e bënë, sepse, sikurse e tregon Vllasi, ata ishin “defensivë” – dhe kjo ishte pikërisht rrjedhojë e asaj se “nuk ishin kapur për emrin”. As tash nuk e kupton ai se udhëheqja komuniste ishin lajthitur e kishin rënë në kurthin e Titos. Duke pohuar thjesht se ishin “defensivë”, në mënyrë kamufluar, Vllasi e tregon gabimin themelor të klasës së komunistëve shqiptarë të Kosovës.
Ajo klasë politike nuk u treguan në krye të misionit që kishin: i kishin nënçmuar e neglizhuar skenarët serbë, edhe pse i kishin të njohura (ani se Vllasi flet me ironi për “Librin e kaltër”, që tregon thjesht paaftësinë e tij asokohe, e me sa duket ende është në atë gjendje, për të kuptuar rrezikun real serbomadh).
Por serbomëdhenjtë ishin përgatitur (qysh me “Librin e kaltër”) dhe si hienat po përgatiteshin t’u revanshoheshin kroato-sllovenëve pasi Titoja vdiq. Ata nisën me Kosovën, ajo që ju dhembte më së shumti. Goditjen që ia kishin dhënë dikur kroato-sllovenët përmes Kosovës, tash po ua kthenin serbomëdhenjtë po përmes Kosovës.
Dhe Kosova ishte hallka më e dobët thuaja në të gjitha aspektet shtetërore, ndaj dhe aty do të fillonin ta thyenin federalizmin por edhe t’i ripushtonin shqiptarët; kurse kroato-sllovenët e republikat e tjera ndjeheshin më të sigurta, sepse ato ishin shtete të etabluara si Republika dhe, në fund të fundit, konstitucionalisht u ishte njohur e drejta e secesionit. Sigurisht, po ta kishte statusin e Republikës edhe Kosova – nuk do të mundte aq lehtë ta zhbënte Serbia sikurse e zhbëri autonominë. Kjo e nxjerr në pah se sa “budallenj” (ta përdorë ironinë e Vllasit) qenë treguar udhëheqja komuniste që nuk kishin bërë maksimumin për statusin e Republikës që, nëse për asgjë tjetër, ta kishin satisfaksion për ato që ua bënë serbomëdhenjtë!
“Epoka e re”: Në çka rezultuan këto gabime?
Hajdin Abazi: Përmbledhurazi: në defensivën e pushtetarëve komunistë shqiptarë që i lanë rrugën hapur, p i vënë asnjë barrierë, revanit serbomadh. Ata jo vetëm nuk e kishin thënë një fjalë të vetme kundër arrestimeve të qindra e qindra të rinjve në vitin 1979-1980, po pushteti i tyre i bëri ato; dhe e kishin lënë me kaq, se, bile, ta kishin bërë çështje në nivel federativ se rinia po kërkon Republikë dhe se e vetmja masë reale preventive do të ishte njohja e statusit të Republikës për Kosovën, atëherë do të kishin një alibi morale e besa edhe politike. Por nuk e bënë. Madje, kur flet Vllasi (në intervistën në “Pikë”) e lë përshtypjen se ishte lëvizja e rezistencës kombëtare e atyre viteve dhe sidomos demonstratat e vitit 1981 që i prishën punët!
E vërteta krejt tjetër: punët i kishin prishur dhe ishin përgatitur nga viti 1974 serbomëdhenjtë për revansh kundër krejt federatës, por me taktikën e shtruar që në “Librin e kaltër” kundër Kosovës. Serbomëdhenjtë nisën të kërkonin ingerenca e kompetenca më të mëdha për të vepruar në Kosovë, me pretekst “trazirat” e vitit 1981, e me objektiv real vetë shqiptarët dhe ripushtimin kolonial të Kosovës.
“Epoka e re”: Kur shovinizmi serb ishte rizgjuar e po konsolidohej pikërisht në goditjet kundër autonomisë së Kosovës, si ishte disponimi në nivel federativ, ç’pozicionim mbanin ata dhe a pajtoheshin me kthimin pas?
Hajdin Abazi: Le të kujtojmë se në vitin 1980 vdiq Tito, njeriu i cili jo vetëm i kishte të gjitha pozitat kryesore federativ të integruara në vetvete, dhe pikërisht për këtë, ai ishte bërë personaliteti i unitetit dhe fjala e fundit për çdo problem. Meqë rendi federativ nuk ishte ngritur mbi zbatimin e ligjeve dhe frymës kushtetuese, mungesa e tij, shkaktoi vakum të pazëvendësueshëm, pasi nuk ishte më njeriu që e ruante kohezionin dhe u ringjallën aspirata për pushtet e dominancë.
Kundrejt strategjisë serbomadhe do të dështonin komunistët shqiptarë të Kosovës po se po, por edhe komunistët e republikave të tjera e niveli federativ. Duke i akuzuar federalistët se i kishin dhënë pushtet të tepruar Kosovës, dhe me kërkesën për anulimin e tyre serbomëdhenjtë realisht nisën sulmin kundër vetë rregullimit federativ.
Dinakëria serbomadhe ishte shumë perfide. Ajo linte përshtypjen fillimisht se po kërkonte vetëm rikthimin e kompetencave Serbisë kundrejt dy krahinave të saja – Kosovës e Vojvodinës, dhe kështu e neutralizoi krahun federativ kroato-slloven, të cilët, për t’i ikur konfrontimit me shovinistët serbomëdhenj për shkak të shqiptarëve në kohën kur ata ishin dobësuar me vdekjen e Titos, nuk u treguan konsekuentë në mbrojtjen e rregullimit federativ dhe, në një farë mënyre, nuk ishin këmbëngulës në mos ndryshimet kushtetuese.
Serbomëdhenjtë e ndjenin se klima ishte tejet e volitshme për t’u hedhur në veprim. E kishin të qartë se, me pak insistim të tyre, do t’u liheshin duart e lira kundrejt rregullimit të brendshëm të Serbisë. Kaq u duhej, për të ndërmarrë ndryshimet kushtetuese në Serbi, që ia arritën, madje t’i involvonin edhe republikat e tjera në përkrahje.
Duket se të paktë ishin ata që e kishin kuptuar se serbomëdhenjtë nuk do të ndaleshin me aq dhe shpresonin t’i amortizonin duke i kënaqur me rikthimin e ingerencave të Serbisë ndaj Kosovës deri te tolerimi i suprimimit të autonomisë më 23 mars 1989.
Realisht, nuk ishte Kosova e as populli shqiptar që e nisën shkatërrimin e Jugosllavisë, këtë e kishin përgatitur qysh në vitin 1974 dhe po e implementonin serbomëdhenjtë: duke e goditur Kosovën, duke e kthyer pas historikisht përmes shuarjes së të gjitha institucioneve autonome, ata po ia rrëmihnin themelet vetë rregullimit federativ.
Kur e kuptuan, ishte vonë, tepër vonë, dhe kjo e shpuri ish-Jugosllavinë në luftëra të përgjakshme të shkaktuara nga shovinistët serbomëdhenj, prej nga do të shpërbëhej Jugosllavia në një divorcim makabër.
“Epoka e re”: A mund të thuhet se me lënien e popullit shqiptar nën pushtimin serbomadh, Federata jugosllave e projektuar që në vitin 1943, ishte ngritur mbi themele të padrejta, dhe kjo bashkë me erozionin serbomadh po bënte që ajo ngrehinë të trandej dhe shkërmoqej pa asnjë mundësi mbajtjeje në jetë?
Hajdin Abazi: Po, ashtu ishte.
Revani serbomadh nga 1981-ta për të rikthyer padrejtësitë ndaj shqiptarëve (padrejtësi të cilat fare pak i pati zbutur autonomia, dhe kjo rënie e intensitetit antishqiptar ishte e pa tolerueshme nga ta) dhe mos bërja e asnjë përpjekje serioze për ta penguar e ndalur atë nga komunistët shqiptarë të Kosovës jo se jo, po as nga ata kroato-sllovenë – u bë ai erozioni shovinist që ia shkërmoqi themelet dhe çoi në zhbërjen e vetë Jugosllavisë.
Dhe ajo që ndodhi nga viti 1989 e deri te fillimi i luftërave të armatosura të Serbisë kundër Sllovenisë e pastaj kundër Kroacisë e Bosnjë-Hercegovinës – nxori në shesh se raportet e popujve në ish-Jugosllavi kishin qenë farsë, kurse parullat e trumbetuara me dekada ishin projektime iluzore.
Rënien në provim komunizmi jugosllav dhe titizmi e bënë qysh në Konferencën e AVNOJ-it (1943) kur vendosën bazat e federatës jugosllave, duke i mohuar shqiptarët si shtetformues dhe duke mos ju njohur atyre statusin e Republikës. Pas Revolucionit bolshevik (tetor 1917), Finlanda më 6 dhjetor 1917 shpalli pavarësinë e saj nga Rusia, të cilën, dy vite më pas, më 1919 do ta njihte Lenini, dhe Finlanda do të shkëputej nga Rusia (Bashkimi Sovjetik), kurse titistët jo vetëm e lejuan riokupimin e Kosovës, po as nuk ia dhanë statusin e Republikës, ani se ky status u qe dhënë Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë që, si Kosova, nuk ishin njësi të mëvetësishme shtetërore të mbretërisë së Jugosllavisë.
Ashtu si nga pushtimi ushtarak në vitin 1912-1913 nga Serbia, edhe nga komunistët jugosllavë qenë konsideruar të huaj shqiptarët dhe ishin trajtuar me shtypje kombëtare të egër: dhe aty ku është zullumi, domethënë dhuna shtetërore më e egër, aty edhe ndodhin shpërthimet.
Ideologjia komuniste jugosllave, në përgjithësi si dhe versionet e tjera të kësaj ideologjie sidomos ajo sovjetike por edhe te vendet e tjera ish-socialiste të Evropës, ishte më tepër një makijazh politik për ta bërë një fytyrë të shëmtuar të dukej e bukur e me stil. (Vijon)