
Shqiptarët ishin trefish të shtypur: politikisht, kombëtarisht dhe ideologjikisht
Intervistë me Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në vitin 1979 dhe i dënuar me katër vjet burgim (9)
Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në vitin 1979 dhe i dënuar me katër vjet burgim, në pjesën e nëntë të intervistës dhënë për gazetën “Epoka e re”, ka theksuar se shqiptarët ishin trefish të shtypur: politikisht, kombëtarisht dhe ideologjikisht. “Dhe, në një gjendje të këtillë, vazhdohej t’u thuhej shqiptarëve në ish-Jugosllavi se ishin të lirë! A besohej kjo?”, ka thënë Abazi.
“Epoka e re”: “Parulla… si projektime iluzore”, the më sipër. A mund ta shkoqitësh paksa këtë, ku e ke fjalën, në çka po referon?
Hajdin Abazi: Konkretisht te propaganda ideologjike e komunizmit jugosllav, e cila me parulla iluzore donin ta bënin realitetin të dukej më i bukur, e ta fshihnin të vërtetën.
Ja, pra, se ku e kam fjalën.
Për shembull, Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare. E vërtetë se partizanët jugosllavë ishin në anën e luftës antifashiste dhe luftonin për çlirimin e tyre nga pushtuesit nazifashistë. Ajo, në thelb, ishte e tillë në nivel jugosllav. Por kishte një devijim drastik, i cili e minonte karakterin çlirimtar të luftës partizane, të paktën në relacion me shqiptarët. Të kyçur në Partinë Komuniste Jugosllave, shqiptarët luftuan krah për krah popujve të tjerë, duke e çliruar vendin nga okupatorët nazifashistë, por fill pas këtij çlirimi, aradhat partizane serbe, me direktivat e komandës supreme, kishin pushtuar sërish Kosovën, duke e vendosur “administratën ushtarake” si regjim. Ky ishte realiteti historik, e vërteta që shpërfaqi karakterin e njëmendtë antishqiptar të Partisë Komuniste dhe Ushtrisë Nacional-Çlirimtare jugosllave: çlirimin e Kosovës nga forcat e veta partizane e minuan dhe e konvertuan në pushtim klasik, me terrorizëm ushtarak pakrahasimisht më keq se që kishin bërë nazifashistët. Rrjedhimisht, përderisa popujt e tjerë njëmend ishin çliruar nga pushtimi nazifashist, shqiptarët qenë privuar nga ky çlirim që e kishin arritur edhe me forcat e veta dhe lufta nacional-çlirimtare aty u degjenerua në luftë ripushtuese nga partizanët jugosllavë. Figurativisht mund të thuhet se në kohën kur forcat partizane të Kosovës po çlironin vendin dhe pritej të dilte agu i ri, dita e re, dielli u eklipsua nga aradhet partizane jugosllave (realisht shoviniste serbomëdha) duke e vazhduar natën e errët të robërisë.
Kur u çlirua e tërë Jugosllavia, u proklamua se vendi dhe popujt ishin të lirë. Liria do të mbretëronte në tërë vendin si rezultat i luftës antifashiste nacional-çlirimtare (e cila në Kosovë u shndërrua në luftë ripushtuese). Dhe ajo që u theksua për çlirimin vlen edhe sa i përket lirisë. Për të gjithë popujt, liria ishte e vërtetë, aq sa ajo mund të ishte në regjimet diktatoriale komuniste, në kuptimin se pushtetarët nuk ishin të huaj, por ishin të zgjedhur nga partia e populli përkatës. Sigurisht, përjashtim nga kjo bënin vetëm shqiptarët: këta nuk ishin aspak të lirë. Përkundrazi, ata ishin të sunduar nga regjimi serbomadh dhe ndaj tyre ushtrohej shkelje e lirisë qytetare në çdo hap e thuaja për çdo gjë. Ata ishin të shtypur politikisht e kombëtarisht. E kur t’i shtohet kësaj edhe aspekti ideologjik, diktatura partiake, atëherë shqiptarët ishin trefish të shtypur: politikisht, kombëtarisht dhe ideologjikisht. Dhe, në një gjendje të këtillë, vazhdohej t’u thuhej shqiptarëve në ish-Jugosllavi se ishin të lirë! A besohej kjo? Nuk është afërmendsh të jetë besuar, jo të paktën nga masat e gjera popullore, të cilat e ndjenin në jetën e tyre të rënduar ngulfatjen e lirisë nga shtypja shtetërore serbo-sllave (sepse nuk ishin në këtë gjendje vetëm shqiptarët e Kosovës, por edhe ata të Maqedonisë, të Luginës së Preshevës e të Malit të Zi). Mund të thuhet se nëse ndokush njëmend ishte i lirë në ish-Jugosllavi ata ishin sllovenët, kroatët, serbët, maqedonët, malazezët e pjesërisht edhe boshnjakët; por shqiptarët ishin të përjashtuar, sepse ndaj tyre vazhdonte të ushtrohej dhunë sistematike ushtarake, policore deri te shpërnguljet masive për në Turqi.
Në akordancë me këto, me pompozitet u proklamua dhe trumbetohej barazia kombëtare. Realisht, krahasuar me gjendjen në ish-mbretërinë jugosllave, vërtet ishte vendosur një farë barazie nacionale. Nëse dikur ishin vetëm tre kombe të njohura dhe si themeluese të ish-Jugosllavisë – serbët, kroatët e sllovenët, në Federatën jugosllave, përpos që këta tre popuj fituan shtetet, domethënë republikat, edhe malazezët, boshnjakët e maqedonasit fituan shtetet e tyre në formën e republikave. Nga kjo u privuan vetëm shqiptarët. Madje, ata dhe atdheu i tyre u copëtua, sikurse dihet, dhe u nda në disa republika: në Maqedoni, në Mal të Zi, Lugina e Preshevës si pjesë integrale e Serbisë dhe Kosova si krahinë e saj. E pra, shqiptarët për nga numri ishin populli i tretë në ish-Jugosllavi, menjëherë pas serbëve dhe kroatëve – e megjithatë, ishin diskriminuar politikisht, mohuar kombëtarisht dhe robëruar politikisht. Prandaj, nëse për popujt e tjerë sllavë, njëmend ishte vendosur një farë barazie kombëtare, kjo nuk vlente aspak për shqiptarët; ata ishin privuar realisht dhe faktikisht nga kjo barazi, dhe për ta vlente pabarazia, mohimi i tyre dhe okupimi klasik. Të ndjeheshin shqiptarët se ishin të barabartë me popujt dhe kombet e tjera, kur nuk ishin aspak, do të ishte dëlir, marrëzi. E shqiptarët i kishte nënshtruar forca e dhuna ushtarake, krejt pa vullnetin e tyre, por ata ishin të vetëdijshëm për pozitën e tyre prej të robëruari dhe nuk mund të ishte ndryshe kur pozita e gjendja e tij reale ishin të tilla.
Një parullë tjetër, e derivuar nga kjo më sipër, që tingëllonte bukur ishte ajo e “bashkim-vëllazërimit”, e cila ishte lansuar që gjatë Luftës Antifashiste. Pas vitit 1966, kur u rrëzua krahu shovinist serbomadh dhe u fuqizua krahu kroato-slloven, në frymën e përforcimit të federalizmit dhe decentralizimit, u pëtforcus parulla e bashkim-vëllazërimit. Njëmend u bënë reforma duke e suspenduar centralizmin ekstrem të sundimit të serbomëdhenjve, dhe bashkë me decentralizimin u siguruan funksionimet me më shumë pavarësi të republikave, kurse dy krahinat (ajo e Kosovës dhe ajo e Vojvodinës) fituan statusin e autonomisë, me pjesëmarrje edhe në organet federative. Për shqiptarët, vetë fakti se ishte kufizuar dukshëm interferimi me dhunë shtetërore serbe ishte një lloj zbutje e ngulfatjes, një lloj lirimi i litarit në fytin e kombit; por nuk ishte ende liri e vërtetë, as barazi e vërtetë, sepse Kosova nuk fitoi statusin e Republikës. Prandaj, po, për të gjithë popujt e tjerë mund të thuhet se parulla e “bashkim-vëllazërimit” kishte një kuptim, por për shqiptarët nuk kishte dhe, mbi të gjitha, nuk ishte reale. Shqiptarët as nuk ishin bashkuar vullnetarisht (vullnetin e kishin deklaruar për bashkim me Shqipërinë) po ishin të pushtuar dhe mbaheshin me dhunë. Madje, edhe po të merret në kuptimin metaforik, që raportet e popujve të ishin si raportet e vëllezërve, as kjo nuk qëndronte: sepse karakteri vëllazëror nënkupton status të njëjtë, pra barazi në të drejta, e kjo nuk u ishte njohur shqiptarëve. Ky vëllazërim ishte fake për shqiptarët. Prandaj, sado që shqiptarët, sidomos në periudhën nga viti 1966 e në vazhdimësi, ishin treguar vullnetmirë dhe i kishin trajtuar me barazi, respekt e tolerancë serbët dhe malazezët në Kosovë, raportet vëllazërore nuk ishin krijuar kurrë, sepse nuk mund të krijoheshin kur shqiptarët nga Serbia e Jugosllavia trajtoheshin si të huaj, të mohuar, të shtypur, të terrorizuar.
Regjimi komunist, edhe kur ishte tjetërsuar jo vetëm kundrejt shqiptarëve që në fillim por edhe ndaj të gjithë popujve, vazhdoi ta trumbetonte ideologjinë komuniste, duke folur për pushtetin e klasës punëtore dhe të popullit punonjës, i cili ushtrohej përmes përfaqësuesve të tyre gjoja idealistë – komunistëve. Në të vërtetë, edhe nga kjo shqiptarët u privuan të parët, duke u përjashtuar realisht. Ata që quheshin komunistë, që në fillim sidomos serbët, në të vërtetë ishin kamufluar me ideologjinë komuniste, kurse e kishin reale shovinizmin e theksuar antishqiptar. Ata as nuk përfaqësonin klasën punëtore, as fshatarësinë e as popullin shqiptar. Ata përfaqësonin shovinizmin serbomadh, jo diktaturën komuniste po diktaturën antishqiptare, nuk bënin luftën e klasave dhe atë ideologjike po luftën kundër shqiptarëve pse ishin shqiptar. Po aq egër sa edhe në mbretërinë ish-jugosllave. Si në pushtimin mbretëror ashtu edhe në atë komunist, me elaborat e marrëveshje me Turqinë regjimi serbo-sllav bëri shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, me qëllimin thelbësor – shpopullimin e Kosovës e trevave të tjera shqiptare nga substanca kombëtare shqiptare. Madje, edhe në kohën e autonomisë (1966-1980), pushteti nuk ishte aspak i klasës punëtore ani se kjo klasë ishte rritur e forcuar, e as i popullit punonjës, po ishte i partisë komuniste, e cila ndiqte diktatin serbomadh për përndjekjen e lëvizjes atdhetare të rezistencës kombëtare, e cila realisht ishte e vetmja pengesë (për aq sa ishte), dhe ishte e tillë edhe me vetë gatishmërinë për t’u martirizuar për lirinë e kombit shqiptar, pasi që ta toleronte nuk e bënte dot – e përndjekja evidentohej (në analet ndërkombëtare) si përndjekje e minoritetit shqiptar. Komunistët jugosllavë, përfshirë edhe ata shqiptarë, ishin tjetërsuar në thelb, dhe nuk ishin përfaqësues as të klasës punëtore e as të popullit punonjës, as përçonin vullnetin e as mbronin interesat e tyre klasore; ata ishin shndërruar në burokratë partiakë e shtetëror. Megjithatë, përderisa pushtetarët komunistë sllovenë e kroatë dhe ata boshnjakë dolën në mbrojtje të popujve dhe republikave të tyre dhe organizuan luftën çlirimtare, këtë nuk e bënë dot komunistët e Kosovës (krahas rrethanave objektive, në dobësinë e tyre kishte edhe shkaqe të fuqishme subjektive), duke abdikuar nga populli, duke e braktisur dhe duke e lënë atë të vetëm përballë dhunës shtetërore serbomadhe.
“Epoka e re”: E qartë. Na e riktheve memorien pas në ato vite dhe në ato parulla që referonin te një realitet inekzistencial për shqiptarët. Po, në këtë kontekst, sa ishte e justifikueshme platforma për bashkimin kombëtar, të cilën e bëri linjë të saj lëvizja antipushtuese që nga pas Lufta e Dytë Botërore e deri te demonstratat e vitit 1981?
Hajdin Abazi: Historikisht ajo ishte (dhe është) e drejtë, dhe vetë fakti se kërkohej bashkimi prej të cilit ishte privuar me pushtimin ushtarak të Serbisë (si në vitin 1912-1913 ashtu edhe më 1945) ia kujtonte komunistëve të Jugosllavisë se ata e kishin tradhtuar luftën nacional-çlirimtare në Kosovë dhe shqiptarët nuk pajtoheshin me të. Ajo bazohej në konkluzionet e luftës antifashiste nacional-çlirimtare të Bujanit, të cilat komunistët jugosllavë e kishin shkelur me dhunë ushtarake.
A. Vllasi e përmend programin për bashkim kombëtar, të ndërlidhur me Adem Demaçin, duke thënë se ai mbështetej te Rezoluta e Bujanit. Tërthorazi lihet të kuptohet se Demaçi dhe lëvizja atdhetare me atë program kombëtar mbështeteshin në burime historike, por nuk e thotë as se ishte e drejtë e as e padrejtë.
Dihet se në Konferencën e Bujanit, mbajtur më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944, u organizua nga Partia Komuniste e Kosovës si pjesë njësi e Partisë Komuniste të Jugosllavisë, ku kishte dhe serbë e malazezë, në frymën e besimit se komunizmi do të bënte korrektimin e historisë duke i eliminuar padrejtësitë – u aprovua njëzëri Rezoluta për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë pas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.
“Epoka e re”: Po, përse ndodhi Konferenca e Bujanit? Cili ishte konteksti historik i saj? Si u bë që bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, i trumbetuar nga nazifashistët si “Shqipëria e madhe”, të kthehej në platformë për zgjidhjen kombëtare të çështjes shqiptare?
Hajdin Abazi: Sigurisht, nuk ishte vetëm frymëzimi ideologjik. Jo, kishte një kontekst tjetër historik.
Shqiptarët, duke qenë se ishin pushtuar ushtarakisht nga Serbia gjatë viti 1912-193, kurrë dhe asnjëherë nuk e kishin pranuar këtë pushtues, e kishin kundërshtuar dhe nuk kishin reshtur me përpjekjet për t’u çliruar nga zgjedha e robërisë serbo-sllave – për çka ishin vetorganizuar vazhdimisht rezistenca kombëtare.
Shqiptarët nën Jugosllavi e shihnin shpëtimin te çlirimi nga regjimi pushtues i Serbisë dhe te bashkimi me Shqipërinë, dhe kjo ishe aspiratë e drejtë dhe legjitime e shqiptarëve që, ndër të tjera, edhe marksist-leninisti Dimitrije Tucoviq e kishte mbështetur si të drejtë meqë shqiptarët ishin pushtuar me agresion ushtarak.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte e njohur si një e drejtë politike, e mbështetur dhe e legjitimuar nga e drejta për vetëvendosje të popujve – të drejtë të cilën nga Lenini e këtej të gjithë komunistët, pra edhe këta jugosllavë, e kishin adoptuar si parim ideologjik dhe e proklamonin gjithandej, si parim për të përfillur dhe zbatuar vullnetin e popujve, me çka pretendohej të tregohej korrektësia në zgjidhjen e problemeve kombëtare.
Një rrethanë tjetër ishte se pushtuesit nazifashistë, për qëllimet e veta gjeopolitike, e kishin bashkuar pjesën më të madhe të Kosovës me Shqipërinë dhe kishin vendosur një administratë unike në gjuhën shqipe, kishin hapur shkollat shqipe, kishin lejuar përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar. Në një farë mënyre, pushtuesit nazifashistë e kishin bërë realitet ëndrrën shqiptare për t’u bashkuar, dhe ishte dëshmuar se një bashkim i tillë funksiononte, sillte stabilitet, paqe dhe siguri te shqiptarët kundrejt rrezikut permanent nga Serbia.
Realisht, populli e kishte përjetuar këtë bashkim si çlirim dhe si përmbushje kombëtare, pavarësisht gjeopolitikave nazifashiste. Për herë të parë në histori, kombi shqiptar po e shihte se ishte i mundur bashkimi i atdheut – i Kosovës me Shqipërinë. Dhe në vitet e 1970-ta ende dëgjoja nga njerëz që e kishin përjetuar atë kohë e që flisnin me admirim “për tri ditë Shqipni” – dhe kishin të drejtë, sepse regjimi sllavokomunist qe treguar pakrahasimisht më terrorizues ndaj shqiptarëve se sa nazifashistët.
Komunistët shqiptarë të Kosovës gjatë pushtimit nazifashist duke qenë në mesin e popullit dhe duke e parë lirinë kombëtare që e përjetonin, nuk kish se si ta injoronin atë, si të paqenë. Ata duhej t’i mobilizonin shqiptarët kundër nazifashizmit – e kjo mund të bëhej vetëm duke ofruar zgjidhjen në përputhje me aspiratën kombëtare. Prandaj, ata, duke u mbështetur në parimin leninist të vetëvendosjes, aprovuan Rezolutën në të cilën pas çlirimit nga nazifashistët, Kosova do të bashkohej me Shqipërinë.
Duke e konceptuar si të drejtë dhe duke e ngritur në premtim përmes vendimit të Konferencës së Bujanit, realisht u legjitimua aspirata e shqiptarëve për bashkim kombëtar, për çka kishin luftuar për Pavarësi nga Perandoria Turke dhe për një shtet kombëtar. Komunistët treguan guximin patriotik duke e vënë si objektiv real dhe me afatizim se kur do të mund të arrihej bashkimi kombëtar.
Por kishte dhe një rrethanë tjetër, si prapaskenë. Një muaj më parë, më 29-30 nëntor 1943, në Jajcë, ishte mbajtur Konferenca e Dytë e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar i Jugosllavisë (AVNOJ). Aty ishin njohur si konstituonte Sllovenia, Kroacia, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi e Maqedonia, por jo edhe Kosova; statusi i Kosovës ishte përdorur si “joker”, edhe për të shtruar terrenin për riokupim, por edhe për t’i lënë shqiptarët të besonin se Kosova nuk do të ishte pjesë e Jugosllavisë.
Nuk ka të dhëna se komunistët e Kosovës, sidomos ata shqiptarë, të ishin komplotistë realisht e të dukeshin sikur po e kundërshtonin mbetjen e Kosovës nën Serbi, ka gjasa më tepër të jetë besuar si një alternativë, një opsion i zgjidhjes së mundshme dhe që pragmatikisht justifikohej me mobilizimin e shqiptarëve në luftën kundër nazifashistëve.
Sido që të jetë, në Konferencën e Bujanit komunistët e Kosovës vepruan korrekt dhe qenë në anën e drejtë të historisë, duke përfaqësuar (për herë të parë dhe të vetme) interesat reale dhe jetike të shqiptarëve, të paktën të atyre të Kosovës.
“Epoka e re”: Rezoluta e Bujanit nuk u zbatua, po dokumenti mbeti si dëshmi e vullnetit real dhe historik. Dhe lëvizja shqiptare anti-pushtimit komunist jugosllav e pati platformë për mbi tri dekada. Pse kjo konsiderohej e drejtë nga njerëzit e rezistencës?
Hajdin Abazi: Po, dihet se komunistët e Kosovës u tradhtuan nga sllavokomunistët. Ata jo vetëm nuk do ta lejonin të bashkohej Kosova me Shqipërinë pas çlirimit nga pushtuesit nazifashistë, por përkundrazi, do ta riokuponin atë dhe do të vendosnin regjimin ushtarak. Me trysni terrorizuese përfaqësuesit shqiptarë në Kuvendin e mbajtur më 8-10 korrik 1945 në Prizren të votuan një rezolutë tjetër, të kundërt me atë të Bujanit, në të cilën shprehej “vullneti” për t’u bashkuar me Serbinë! Çfarë paturpësie, çfarë gënjeshtre, çfarë mashtrimi i paskrupullt! Ripushtimi dhe deklarimi nën kërcënimet me armë u quajt “vullnet’ – e komunistët shqiptarë kapitulluan dhe dezertuan nga e vërteta historike!
Bazuar në këtë zhvillim historik, programi për bashkim kombëtar, të cilin të gjitha organizimet atdhetare të pas Luftës së Dytë Botërore e kishin platformë politike, e kishte edhe Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve e Adem Demaçit. Mbështetja për këtë ishte edhe historike, por edhe në kontekstin jugosllav – për t’u treguar se ju na keni tradhtuar dhe ne nuk duam të jemi me Jugosllavinë e cila na ka pushtuar, po vullnetarisht duam dhe kërkojmë bashkimin kombëtar me Shqipërinë.
Dhe unë me bashkëveprimtarët e kemi pasur si bazë të programit qysh në vitin 1973 (“Shqiponjat e arta” që më pas u rrit dhe u shndërrua në OPeRK). Arsyetimi im asokohe ka qenë se pas refuzimit të statusit të Republikës në vitin 1968, nuk kishte arsye të besohej se kjo kërkesë mund të realizohej as në të ardhmen, pasi që ndryshime të tilla bëheshin rrallë dhe zor se do të krijohej ndonjë kontekst i ngjashëm që do të mundësonte akseptimin e statusit të Republikës për Kosovën. Për këtë arsye, mua dhe bashkëveprimtarëve na është dukur më e drejtë rikthimi te Rezoluta e Bujanit, të afirmohej e drejta për vetëvendosje deri në shkëputje dhe bashkim me Shqipërinë. Kishte dhe një motiv tjetër: ne shqiptarët përveç se ishim të robëruar na kishin copëtuar territorialisht në katër njësi e na kishin vënë nën sundim të tri republikave me strategjinë për të na krijua pengesa që të tjetërsoheshim me njëri-tjetrin si shqiptar, ndaj kërkesa për bashkim kishte për objektiv edhe ruajtjen e kohezionit kombëtar të të gjithë shqiptarëve kudo që padrejtësitë historike na kishin katandisur.
Ja për të gjitha këto, asokohe dukej e drejtë platforma për bashkim kombëtar – dhe, në parim, ajo mbetet e drejtë për aq kohë sa shqiptarët privohen nga kjo e drejtë. (Vijon)