
Shqiptarët në një botë sfidash: Zhvillimi përmes vizionit dhe bashkimit
Shkruan: Nazmi Jusufi
Shqiptarët në udhëkryq Bota sot po ndryshon me shpejtësi. Kriza gjeopolitike, pasiguri ekonomike dhe transformime teknologjike po e vënë në provë çdo komb. Shqiptarët nuk janë përjashtim. Përkundrazi, duke qenë një komb i vogël dhe shpesh i ndarë nga kufijtë politikë, sfidat janë edhe më të thella. Por pikërisht këto sfida mund të kthehen në mundësi, nëse ekziston vizion i qartë dhe unitet i qëndrueshëm.
Politika: nga përçarja tek stabiliteti
Jeta politike shqiptare shpesh dominohet nga konflikte të brendshme dhe gara për pushtet që lënë pas dore interesin kombëtar. Kjo e dobëson besimin e qytetarëve dhe i pengon institucionet të funksionojnë. Pa stabilitet politik nuk ka zhvillim ekonomik, as integrim euroatlantik. Nevojitet një vizion afatgjatë, përtej cikleve zgjedhore, që vendos interesin e përbashkët mbi kalkulimet partiake.
Ekonomia: potencial i madh, por i pashfrytëzuar
Papunesia e lartë, ikja e trurit dhe varësia nga remitancat janë plagë që e mbajnë ekonominë të brishtë. Megjithatë, shqiptarët kanë në dorë pasuri të mëdha: një diasporë të fuqishme, pozicion gjeostrategjik, burime natyrore dhe një rini të etur për dijeni. Investimi në arsim, inovacion dhe teknologji, bashkë me luftën kundër korrupsionit, janë rruga e vetme për ta shndërruar këtë potencial në zhvillim të qëndrueshëm.
Uniteti: garancia e forcës kombëtare
Historia ka treguar qartë: shqiptarët janë më të fortë kur janë të bashkuar dhe më të dobët kur bien pre e përçarjes. Sot, uniteti nuk nënkupton njëzëshmëri politike, por bashkim rreth qëllimeve madhore – shtet funksional, ekonomi konkurruese dhe mbrojtje e interesit kombëtar. Vetëm përmes një vizioni të përbashkët, shqiptarët mund të ecin me hapa të sigurt drejt së ardhmes.
Dhe si përfundim: zgjedhja është në duart tona
Shqiptarët janë përballë një testi historik. Nëse politika do të mbetet peng i përçarjes, humbjet do të jenë të mëdha. Por nëse do të ndërtohet vizion dhe unitet, kombi shqiptar mund të dalë më i fortë nga çdo sfidë. Koha kërkon guxim, maturi dhe bashkim. Sepse arma më e fortë që kemi përballë sfidave është pikërisht uniteti dhe vizioni.