Shqiptaret përkujtojnë Profën

20 mars 2023 | 16:54

Liria ka emër!

Fjala e mbajtur në simpozium!

Trandafile Molla Baja ✍

Të shfletosh fletët e historisë dhe të hysh, në faqet e këtij libri të madh të kësaj epopeje të lavdishme, nuk  do të mjaftonin biblioteka të tëra dhe nuk do të arrinim të tregonim e të demostronim makabrat dhe krimet e bëra nga dora gjakatare  e pashpirt e  politikës së egër për spastrim etnik e Millosheviçit dhe nga makina militare e bashkëpunëtorëve e kriminelëve më të mëdhenj që ka njohur bota, pas atyre të kampeve të përqendrimit të luftës së dyte botërore, si bishat dhe egërsirat e Arkanit dhe vetë ky kriminel i madh. Mos harrojmë Opojën, Mitrovicën e Drenicën, Gjilanin e Prishtinën, Prizrenin e Gjakovën, Pejën e Bllacën, Llapshunicën e Fushë- Kosovën, Sllatinën e Vitinë. Të vështirë e pata sinqerisht të shkruaj, se as vetë nuk e di për kë martirë të lirisë të flasim më parë? Se do heshtja unë, se do heshtnim të gjithë ne dhe se do heshtte e gjithë bota mbarë, nuk do të heshtnin malet, nuk heshtin lumejtë që trufullojnë me dallgë të fuqishme për makabrat e bëra mbi nënat dardane heroike, mbi torturat në trupin e brishtë të vajzave  e motrave tona kosovare, të gjakosura, të dhunuara e të hedhura në Valbonë! Zëri i tyre nga honet e thella kumbon!  Dhe ato vajza e gra të mbetura gjallë, që përjetuan burgjet e rënda të makinës vdekjeprurëse dhe  mbijetuan, më tepër janë të vdekura shpirtërisht se sa janë gjallë.

Nuk ka lum në botë t’a lajë tokën Dardane, se gjaku i derdhur nga bijtë dhe lotët e nënave për tmerret që panë, i kanë mbushur lumenjt  e botës. Që nga koha e Azem e Shote Galicës e deri në protestat e viteve 1981-1983 e deri më 1997, ku historia vuloset me martirët e lirisë Adem e Hamëz Jashari, që u flijuan familjarisht, për lirinë e Dardanisë, si Zahir Pajaziti, Afrim Xhitia e Fahri Fazlliu, Antigona Fazliu, heroina më e re e altarit të lirisë,  apo për komandantët Xhemajl Fetahaj e komandantin e brigadës 138, poetin  Agim Ramadani. Ja si shkruan mes batares së krismave të pushkës, komandanti, poeti Agim Ramadani:

Sot dua të bërtas sa të tunden malet,

se kjo liri paska në rrënjë veç dhimbje,

është dhimbja e shpirtit që s’matet me valët,

mes krisma pushkësh toka ime ka dridhje,

me dashurinë e zemrës për liri, ndaj le të tunden malet!

Dhe unë them, për kë të flas e të shkruaj më parë?

Nuk mund të harroj kontributin dhe sakrificat e udhëheqësit legjendar të kombit, Ibrahim Rugova! Jo, jo. Nuk mundim të heshtim e të anashkalojmë “Mandelën” e Shqipërisë, pa të cilin nuk ka kuptim fitorja e Kosovës, Bacën Adem Demaçi, që me kontributin e tij, me guxim e mençuri, me  fjalën e urtë dhe të flaktë, duke shkuar shtëpi më shtëpi, ngriti peshë zemrat e djalërisë e bijëve dhe bijave shqiptare në emigracion, në Itali, Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Amerikë, Australi e gjetkë. Dhe u bënë pishtarë lirie në radhët e ushtrisë nacionalçlirimtare të Kosovës, mbështetur sigurisht nga forcat e fuqishme dhe shteti mik i demokracisë së madhe, Amerika. Një rol kontribues të  rëndësishëm dhe ndihmesë të madhe dhanë ish-presidenti i ShBA të Amerikës, z. Bill Klinton. Rol vendimtar dha  ish-Sekretarja e Departimentit Amerikan, zonja Madeleine Ollbrajtt  pa lënë në harresë vendet e Europës Perëndimore:  Italia, Franca, Gjermania dhe Anglia.

Duke qenë se këto vite, me krijimtarinë time nuk kam reshtur së shkruari e as të ndaluri, duke marrë pjesë në shumë festivale poetike që organizon LSHK, me kryetar prof. dr. Shyqri Galica, më është dashur të përjetoj e kujtoj sa herë që ndodhem në Prishtinë, ku shpesh herë na është bërë e mundur të qëndrojmë një natë në Hotel “Grand”, nuk kam mbyllur sy. Më bëhej sikur dëgjoja ende rënkimet e torturave çnjerëzore nga makina  militariste e Millosheviçit mbi gratë, te rupat e grave shtatzanë dhe ferishteve të parritura ende mirë, siç tregojnë punonjësit e hotelit, ku edhe nga rruga i merrnin kalimtarët e pafajshëm dhe i torturonin në bodrumet  e hotelit, duke vrarë kështu lirinë dhe shpresën e një populli që ëndërronte për liri në trojet e veta.

Të nderuar bashkatdhetarë! Ndër shumë dëshmorë të atdheut mora shembull Selim Berishën. Ky mësues poet, atdhetar i flaktë, patriot që me pushkë mbrojti nderin e tokës që e rriti dhe i doli zot atdheut, ndërsa me letër e penë shkroi amanetet e fundit, amanetin me idealin e  lirisë, duke u bërë vetë flakadan lirie.

Selim Berisha flijoi jetën në themelet e lirisë së Kosovës, duke luftuar e rezistuar sipas shembullit të heroizmit të figurave, epike, Oso Kuka, Ahmet Delia, Demë Ahmeti, Tahir Meha e të tjerë, mes të cilëve është dëshmori Selim Berisha.

Më 20 mars të vitit 1999, në mëngjes, forcat militariste serbe, të cilat ndërmarrin ofensivë për shpërnguljen e shqiptarëve me qëllim të spastrimit etnik, rrethojnë fshatin Drenofc, rreth 10 kilometra në veriperëndim të Prishtinës. Ato urdhërojnë popullsinë shqiptare të largohet nga shtëpitë e veta. Kishte vetëm një orë prej kohës që Selimi kishte rënë në gjumë, pas mbarimit të orarit të rojës gjatë natës.

Ende pa bërë një sy gjumë, atë e zgjon lajmi për rrethimin e fshatit. Brof në këmbë dhe sheh situatën e krijuar.

Popullsia e fshatit ishte trazuar. Situata impononte vetëm një aiternativë: o t’i bindëse dhe urdhrit të kriminelëve serbë për t’u larguar kokulur, i nënçmuar, i turpëruar dhe i torturuar nga shtëpia jote, ose të rezistoje burrërisht me armë në dorë, deri në minutën e fundit të jetës, duke u treguar kriminelëve serbë, se jeta dhe atdheu për shqiptarin kanë vetëm një  kuptim të barasvlefshëm.

Selimi kishte zgjedhur pjesën e dytë të alternativës: të çonte në vend betimin, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se me pushtuesin do të shkëmbente vetëm zjarrin e armëve. Pasi urdhëron vëllezërit Hajdinin, Rrahimin, Milazimin e Qazimin, si dhe bashkëshorten, Xheziden, me fëmijët: Agronin, Antigonën, Liridonin e Fidanin, të largohen nga shtëpia e nga vija e zjarrit, vendos të qëndrojë në shtëpi e t’i japë asaj përmasat e kalasë, nga frengjitë e së cilës do të zbrazë municionin që kishte, mbi forcat e pushtuesit. Barrikadohet në një pozicion të përshtatshëm të katit të dytë dhe pret të afrohen këto forca. Rreth orës 11.30 qindra këmbësorë serbë i afrohen shtëpisë së Selimit. Në atë çast, mbi ‘ta shkrep automatiku i tij. Shkëmbimi i zjarrit vazhdon derisa pushojnë krismat e automatikut të Selimit. Shtëpinë e tij e godasin edhe granatat e topave. Pushtuesi dëshmoi edhe njëherë si gjithmonë, ligësinë e tij kriminale, duke angazhuar formacione të tëra ushtarake në luftimet kundër një luftëtari shqiptar. Mësuesi e poeti Selim Berisha është një nga luftëtarët dhe dëshmorët e tjerë që sakrifikuan jetën dhe me heroizmin e tyre  gdhendën përgjithmonë kunorën e lirisë, tokës së tyre, Kosovës dhe Shqipërisë. Ja si iu përgjigjet ai kriminelave serbë:

-Nuk do të vdes!

Nuk do të vdes, në gjumë me jastik nën kokë, por nëse unë do të vdes, do të vdes me pushkë në dorë dhe ty Kosovë do të fal bashkë me shokë, lirinë, lirinë në ballin tënd të bukur, moj nuse, do ta vëmë kurorë!

Dëshmori simbolizon feniksin e lirisë, që rilind e do të rilindë nga hiri i shenjtë në çdo cep të Shqipërisë Etnike.

Jeta, vepra, trimëria dhe gjaku i dëshmorëve në të gjitha periudhat kohore të luftës, janë dëshmia, krenaria dhe vula historike e lirisë së Kosovës, që frymëzojnë veprën letrare dhe historike të kombit tonë, jo vetëm të sotmen. Vepra e tyre mbetet dhe  është mesazhi  monumental për brezat e sotëm dhe për ato që do vijnë!

Më 22 mars të vitit 1999 trupi i dëshmorit Selim Berisha u varros në varrezat e fshatit Drenofc. Ndonëse ky dhe fshatrat përreth ishin të boshatisura, nga spastrimi etnik që bënë forcat kriminale serbe, në varrim shkuan shumë pjesëmarrës, nga të gjitha anët e kësaj treve. Selim Berisha, si shumë dëshmorë të tjerë, ra heroikisht për lirinë e tokës së vet, Dardaninë. Për ‘të janë shkruar shumë këngë e poezi, janë shtypur libra dhe antologji. Në antologjinë “Një krismë pushke për liri” është përfshirë mes shumë poetëve e poeteshave dhe një poezi e imja! Kjo tregon se bijtë e shqipes nuk vdesin, jetojnë në zemrat tona!

Sakrifica e tyre është dëshmi e gjallë e kujtesës që nuk duhet harruar kurrë! Ashtu siç thotë edhe Senatoria per La vita Liljana Segre: “Kurrë falje, kurrë harresë”.

Tē dashur bashkëkombas! Sot nga kjo vatër e ngrohtë le të dalë mesazhi i zemrave tona, le ta dëgjojë jo vetëm Italia, Shqipëria, Kosova, Brukseli e mbarë bota, se Liria ka emër, atë të luftëtarëve tē lirisë, UÇK-së dhe atyre që ranë për liri!

Lavdi dëshmorëve të atdheut! Rroftë liria dhe Pavarësia e Kosovës! Respekt të përulur në përjetësi gjakut dhe veprës heroike të tyre!

Trandafile Molla Baja-Novara, Itali!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti dhe…