
Shqiptaro-amerikanja që po synon postin e asamblistes në Pejë
Edhe dy javë do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë.
Ndërkaq kandidatët për asamble kanë intensifikuar fushatën e tyre nëpër komunat ku ata garojnë.
Por nga ShBA për ulësen e asamblistes kësaj here ka ardhur Dr. Antigona Gashi, e cila dijen e fituar atje ka ardhur për ta zbatuar në zhvillimin e një qeverisje më të mirë në Pejë.
Shqiptaro-amerikanja e lindur në Pejë dhe mbështetëse e Lidhjes Shqiptaro-Amerikane (AACL) në listën e PDK-së në Pejë mban numrin 13.
Gashi ka përfunduar studimet në ShBA, duke arritur titullin Doktor i Lidershipit Ekzekutiv dhe Drejtësisë (2023), si dhe tre diploma të tjera në drejtësi penale, lidership dhe administrim biznesi.
Me këtë bagazh akademik dhe profesional, ajo synon të sjellë metodologjinë politike amerikane, duke vendosur gjithmonë në qendër interesin publik.
Mesazhi i saj kryesor: “Çdo fëmijë meriton arsim cilësor dhe çdo qytetar shëndetësi dinjitoze. Do të punoj që shkollat dhe spitalet tona të jenë shtylla e një shoqërie të fortë.”
Antigona Gashi ka shprehur vendosmërinë për të kontribuar me përvojën dhe dijen e saj në udhëheqje për të mirën e qytetit.
“Me përvojën dhe dijen që kam fituar në lidership, jam gati t’ia kushtoj Pejës. Një qytet që meriton vizion, punë dhe udhëheqje të drejtë”, tha Gashi.
Me fokus në zhvillimin e qëndrueshëm dhe drejtësinë sociale, Gashi vlerëson se Peja ka nevojë për lidership që reflekton vlera, përkushtim dhe transparencë.
Ajo ka theksuar se do të jetë zëri i grave në asamble. “Jo vetëm premtime, por përfaqësim i vërtetë për çdo grua dhe vajzë që meriton të dëgjohet”, ka pohuar ajo.
Gashi ka thënë se fokusi i saj është edhe rinia. “Rinia është e ardhmja jonë – e meritojnë mbështetje, mundësi dhe besim! Le ta ndërtojmë të ardhmen së bashku”, ka deklaruar 13-shja e PDK-së në Pejë.
Gashi ka folur edhe për rëndësinë e barazisë në qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore, duke e cilësuar shëndetin si themelin e një shoqërie të fortë.
“Në një shoqëri të drejtë, askush nuk duhet të mbetet pas kur bëhet fjalë për shëndetin. Unë besoj se çdo qytetar, pa dallim, duhet të ketë qasje të barabartë në shërbime shëndetësore cilësore,” u shpreh Gashi.
Ajo premtoi se, nëse merr mbështetjen e qytetarëve, do të angazhohet fuqishëm për përmirësimin e kushteve në spitalet dhe qendrat shëndetësore në komunë. Sipas saj, ky përmirësim do të përfshijë rritjen e numrit të mjekëve dhe infermierëve të trajnuar, si dhe pajisjen e institucioneve me aparaturë moderne mjekësore.
“Kujdesi shëndetësor nuk është privilegj – është e drejtë bazike për secilin prej nesh,” theksoi Gashi, e cila garon me numrin 13 në listën e PDK-së për Asamblenë Komunale.