
ShSKUK-ja: 17 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas të shtënave me armë mbrëmë
Shërbimi Spitalor dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se 17 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas të shtënave me armë zjarri në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.
“5 persona janë pranuar për trajtim të mëtejmë, pas ndihmës mjekësore emergjente në Klinikën Emergjente, si pasojë e lëndimeve që kanë marrë mbrëmë. Prej tyre, 4 janë pranuar për trajtim të mëtejmë në Klinikën e Ortopedisë dhe 1 në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, të gjithë jashtë rrezikut për jetë”, ka njoftuar ShSKUK-ja.
Ndërkaq, përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi mjekësor, një person i datëlindjes 1984, ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror.
“Numri total i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ishte 17. Prej tyre, 7 të lënduar me armë zjarri dhe 10 me mjete të mprehta. I gjithë stafi i Klinikës Emergjente dhe klinikave të tjera kanë qenë në gjendje gatishmërie dhe kanë ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore, bashkë me drejtorin e Klinikes Emergjente, Naser Syla. Për të ngritur gjendjen e gatishmërisë, ofruar mbështetje dhe për t’u interesuar për të lënduarit në Klinikën Emergjente ka qenë edhe drejtori i përgjithshëm i ShSKUK, Elvir Azizi”, ka njoftuar ShSKUK-ja.