
ShSKUK-ja do të bëhet me dy klinika, kostoja mbi 4 milionë euro
Ministri i Shëndetësisë (MSh), Arben Vitia dhe drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi, kanë vendosur të enjten gurthemelin për ndërtimin e Klinikës së Hematonkologjisë dhe asaj të Nefrologjisë.
Kostoja e ndërtimit të këtyre dy klinikave është rreth 4.3 milionë euro, ndërsa ato pritet të përfundojnë brenda 36 muajve.
Ministri i MSh-së, Arben Vitia, ka thënë se me ndërtimin e këtyre klinikave do të plotësohen standardet moderne mjekësore.
Si pasojë e gjendjes në klinikat aktuale, Vitia ka thënë se nuk kanë mundur të jepen shërbime.
“Jam shumë i gëzuar që gjendem sot në ambientet e QKUK-së ku bashkë me dy profesorët e nderuar, Emrushin dhe Shemin dhe drejtorit e ShSKUK-së e hodhëm gurthemelin për klinikën e re të Hematonkologjisë dhe të Nefrologjisë. Një klinike që do plotësoj standarde moderne të cilat tani për shkaqe të infrastrukturës së vjetër dhe të dëmtuar, klinikat aktuale përkundër angazhimit dhe përkushtimit maksimal të profesionistëve shëndetësor nuk kanë mundur të jepen shërbime”.
“Përveç asaj me këtë klinikë të re jam shumë i lumtur që me përfundimin e kësaj klinike që e kap vlerën diku 4.3 milionë euro total do të këtë edhe shërbime tjera për qytetarët tanë të cilët tash për shkaqet që i përmenda nuk kanë mundur të marrin trajtimin brenda Republikës sonë”, ka thënë Vitia.