
Shtatë muaj pas arrestimit, Meta mbetet në burg
Edhe pse kanë kaluar më shumë se shtatë muaj nga dita e arrestimit të Ilir Metës, kreut të Partisë së Lirisë, ai vijon të mbahet në paraburgim, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme ka vendosur të zgjasë sërish hetimet me 3 muaj të tjerë.
Lajmi është konfirmuar këtë të hënë nga avokati i tij, Kujtim Cakrani, i cili ka reaguar me tone të forta, duke e cilësuar qëndrimin e Metës në qeli si një “burgim i paligjshëm” dhe “përndjekje politike”.
Ilir Meta është arrestuar më 21 tetor 2024 dhe më 27 maj të këtij viti u janë komunikuar zyrtarisht akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me aferën CEZ-DIA, lobimin në ShBA dhe një hetim pasuror të mbartur prej vitesh. Por, sipas avokatit, edhe pse akuza tashmë është komunikuar, organi i akuzës vazhdon ta mbajë në burg, pa asnjë provë konkrete.
“Thonë se nuk janë mbledhur provat për të dhe e mbajnë në burg Presidentin e Republikës. Nuk janë mbledhur prova, nuk ka asnjë fakt pse mbahet dhe është absurde që presidenti qëndron në paraburgim”, ka thënë avokati Cakrani, i cili ka paralajmëruar se vendimi i zgjatjes së paraburgimit do të ankimohet.
Sipas tij, SPAK-u ka tejkaluar çdo afat procedural dhe mbajtja në paraburgim e ish-presidentit, pasi akuzat janë bërë publike, është shkelje flagrante e të drejtave.
Madje, Cakrani ka ironizuar edhe arsyetimin e dhënë nga prokuroria për të justifikuar zgjatjen: “Tani SPA-u na thotë se nuk ka mbaruar akoma mbledhjen e provës, kjo është kërkesë e SPAK-ut për zgjatjen e hetimeve. Thonë se po presin provat, presin një akt ekspertimi për ish-vjehrrën e tij, se ça lidhje ka Meta me ish-vjehrrën…”.
“Presidenti Meta është rrëmbyer dhe SPAK-u është kthyer në një Prokurori politike. Hetimet kanë nisur 6 vitet më parë. Çështja hetohet nga Tirana dhe jo SPAK, por SPAK po të donte kishte hetuar policët që rrëmbyen presidentin. Inkuizicioni që po bëhet ndaj Metës është i paprecedentë në botë. Është e pamoralshme dhe joligjore ta mbash ende në paraburgim” është shprehur Cakrani.
Ndërkohë që SPAK-u pretendon se zgjatja është 3-mujore, avokati Cakrani ka këmbëngulur se afati i dhënë është 6 muaj dhe paralajmëroi ndjekje ligjore në instanca më të larta: “SPAK-u ka tejkaluar afatet e mbledhjes së provave. Ai ka mbi 7 muaj në paraburgim, prokuroria ka detyrim ligjor që çdo dy muaj të bënte referimin për hetimet. Ne do i pasqyrojmë edhe më vonë, do e vijojmë betejën deri në Strasburg. Po përgatiten edhe materialet për Gjykatën Kushtetuese”.
Me një ton të ashpër ndaj strukturës antikorrupsion, Cakrani ka përfunduar reagimin e tij duke thënë: “Nuk e di me çfarë detyrimesh e ligjesh punon SPAK për këtë inkuizicion, as Aranit Çela nuk ka arritur në këtë situatë. Ai është numri dy i opozitës, pas zotit Berisha. Pas 6 vitesh hetimesh tani kërkojnë përsëri zgjatjen e hetimit. Kjo çështje do shkojë deri në Gjykatën Evropiane, ne jetojmë në një vend autokrat, në autokraci. Këto janë mjetet ligjore”.