Shtatë persona humbën jetën në vendin e punës gjatë këtij viti në Kosovë

17 gusht 2022 | 11:21

Siguria në punë vazhdon të jetë problem për punëtorët në Kosovë. Si rezultat i saj, këtë vit, deri më tani, 7 persona kanë humbur jetën në vendin e punës dhe 173 kanë pësuar aksidente. Lajmin e ka bërë me dije për “Radio Kosovën”, kryeinspektori i punës, Hekuran Nikçi. Ai ka thënë se gjatë këtij viti kanë realizuar mbi 3 mijë e 100 inspektime, e për shkeljet gjetura kanë shqiptuar 175 masa ndëshkimore ndaj punëdhënësve. “Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 173 aksidente në vendin e punës nga të cilat 7 janë me fatalitet. Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi evidentuar 104 raste të aksidentit në vendet e punës prej tyre 4 me fatalitet, që do të thotë se gjatë kësaj periudhe kemi një rritje të rasteve me fatalitet për tre”, ka thënë ai.

Në rastet e aksidenteve në vendpune, kur inspektorët kanë konstatuar se është shkelur ligji nga ana e punëdhënësve, ndaj tyre janë shqiptuar masa ndëshkimore – gjoba me para. Sipas ligjit, këto gjoba mund të jenë deri në 40 mijë euro, kurse Nikçi ka treguar për numrin e kontrolleve  që ka bërë Inspektorati i Punës gjatë këtij viti. “Gjatë kësaj periudhe kohore Inspektorati i Punës ka realizuar 3 mijë e 178 Inspektime. Gjatë inspektimeve është konstatuar se numri më i madh i shkeljeve të të drejtave të të punësuarve është në sektorin e ndërtimit që kanë të bëjnë me kushtet e punës, pastaj prodhimtaria dhe gastronomia ku është konstatuar se ka punëtorë pa kontrata apo që nuk janë të deklaruar në ATK”,  ka thënë ai.

Më tutje, Nikçi ka treguar se pas kontrolleve të bëra, deri tani ndaj punëdhënësve të cilët kanë cenuar legjislacionin që mbikëqyr Inspektorati i Punës kanë shqiptuar 175 masa ndëshkimore, të cilat ka thënë se dallojnë varësisht nga shkeljet ligjore që janë konstatuar nga inspektorët në teren.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Beshiktashi është e interesuar për mesfushorin ofansiv të…