Shtatë prokuroritë themelore zgjedhin prokuroren Elza Bajrami-Kastrati si përfaqësuese të tyre në përbërjen e re të KPK-së

01 nëntor 2025 | 17:50

Në kuadër të Konferencës Vjetore të Prokurorëve të Republikës së Kosovës është zhvilluar procesi zgjedhor për zgjedhjen e anëtares së re të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) nga radhët e prokurorive themelore, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi dhe me respektimin e parimit të përfaqësimit të gjinisë së nënpërfaqësuar në organet udhëheqëse të sistemit prokurorial.

Gjatë fjalës së tij hyrëse, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj, theksoi rëndësinë e këtij procesi demokratik dhe profesional për funksionimin efikas të sistemit prokurorial.

Ai shprehu besimin se secila nga dy kandidatet konkurrente që zgjidhet do ta përfaqësojë me dinjitet, profesionalizëm dhe integritet institucional komunitetin e prokurorëve të prokurorive themelore në Këshillin Prokurorial.

“Angazhimi dhe përkushtimi i anëtares së re të KPK-së do të jetë faktor kyç në forcimin e sundimit të ligjit, në avancimin e drejtësisë dhe në ruajtjen e integritetit institucional të Këshillit Prokurorial të Kosovës”, deklaroi Hajdaraj.

Komisioni Zgjedhor për Zgjedhjen e Anëtarit të ri të Këshillit Prokurorial të Kosovës, nën kryesimin e Arian Gashi, pas përfundimit të procesit të votimit, ka kryer verifikimin dhe numërimin e votave, duke shpallur rezultatet përfundimtare, të cilat u prezantuan para prokurorëve pjesëmarrës në votim.

Në këtë proces zgjedhor morën pjesë gjithsej 135 prokurorë, prej të cilëve 132 ishin vota të vlefshme, kurse tri fletëvotime u shpallën të pavlefshme, me ç’rast pas numërimit u konstatua se anëtare e re e KPK-së u zgjodh me 74 vota për Elza Bajrami-Kastrati, zëvendëskryeprokurore në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, e cila do të ushtrojë këtë funksion për një mandat pesëvjeçar, ndërkaq kandidatja tjetër, prokurorja Merita Kurtishi-Gaka nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, mori 58 vota.

Një raport i detajuar për mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor do të përgatitet dhe dërgohet së shpejti.

Në këtë proces kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët janë ftuar nga KPK-ja për të monitoruar procesin zgjedhor për anëtarin e ri të KPK-së, në mënyrë që të respektohen standardet procedurale, transparenca dhe besueshmëria publike ndaj këtij procesi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nesër, më 2 nëntor, Shqipëria do të zhvillojë homazhe shtetërore…