
Shtatori, muaji i Kupës Ballkanike për klube që e organizon KV Drita
Kupa e BVA-së në volejboll për femra do të zhvillohet nga data 25 deri më 28 shtator në Kosovë.
KV Drita e ka konfirmuar pjesëmarrjen, e madje këtë vit mban rolin e nikoqires, ndërsa pjesëmarrëse do të jenë edhe tri skuadra të njohura rajonale: AEK Athina nga Greqia, Fit Fun Volley nga Maqedonia e Veriut dhe Herceg Novi nga Mali i Zi.
Në ditën hapëse të garës, më 25 shtator, në orën 15:30 do të përballen AEK Athina dhe Fit Fun Volley, ndërsa në orën 17:30 do të zbresin në parket nikoqirët e KV Drita kundër ekipit të Herceg Novit.
Dita e dytë do të sjellë dy sfida të tjera: Herceg Novi-AEK Athina dhe Fit Fun Volley-KV Drita.
Pas një dite pushimi, turneu do të mbyllet me duelet e fundit më 28 shtator, ku fillimisht do të takohen Herceg Novi me Fit Fun Volley, për t’u përmbyllur me supersfidën AEK Athina-KV Drita.
Skuadra fituese e Kupës së BVA-së do të sigurojë një vend të vlefshëm për garat evropiane, konkretisht në CEV Challenge Cup.