Shtegu i arsimit parauniversitar

30 tetor 2019 | 10:59

Prof. Asoc. Dr. Arben Dërmaku

Duke vrojtuar zhvillimin e arsimit parauniversitar në Kosovë ndeshemi me rezultate jo të kënaqshme, kjo ilustrohet me testet e pavarura që aplikohen në Kosovë por me karakter ndërkombëtar. Të thuash se nuk kemi qenë të vetëdijshëm deri më tani lidhur me këtë gjendje është jo e saktë për faktin se në këtë fushë është investuar me qindra miliona euro që nga viti 1999. A janë investuar këto mjete me vend mbetet dilemë për shkak të rezultateve të dobëta në testimet ndërkombëtare.

Konstatimi i gjendjes së keqe në arsimin parauniversitar është i lehtë por në të njëjtën kohë kërkon shtegun e daljes nga kjo situatë. Trendët e numrit të nxënësve në shkollat në Kosovë është në ulje kur kemi parasysh lëvizjet e popullsisë dhe shpopullimin e Kosovës. Program shtetëror në Kosovë do të duhej të ishte aplikimi i mësimit tërëditor si masë që do të ndikonte dukshëm në kohën e kaluar në mësim të nxënësve. Ky program do të duhej të kishte përkrahjen e qeverisë, prindërve dhe mësimdhënësve. Realizimi i këtij programi do të ndikonte substancialisht në rritjen e rezultateve të nxënësve. Kapacitetet fizike për zbatimin e këtij programi ekzistojnë sidomos në qendrat rurale dhe komunat e vogla. Ndërtimi i kapaciteteve të reja konform realizimit të këtij programi do të duhej të ndodhnin në Prishtinë dhe në disa qytete më të mëdha të Kosovës. Ky do të ishte parakushti i kthesës në aplikimin e dijeve në nxënësit Kosovar.

Ajo që është më kruciale për të pasur sukses në të nxënit e nxënësve në Kosovë është aplikimi i një modeli adekuat të mësimit që ka rezultate në testet ndërkombëtare. Kjo do të duhej të aplikohej në formatin që do të merrej mostra e 10 vendeve me rezultate më të mira të themi në testin PISA nga do të zgjidhej një prej këtyre shteteve si yrnek për arsimin parauniversitar në Kosovë. Aplikimi i modelit do të kërkonte në dimensionin kohor nja dy vite, vitin e parë përcaktimi i trajnerëve nacional që do të shkonin për një vit në këtë vend të përcaktuar për tu pajisur me metodat e mësimit dhe kopjimin e këtyre metodave me qëllim aplikimin në Kosovë. Vitin e dytë do të duhej të zbatohej modeli dhe do të na nevojitej ekspertizë nga ky shtet për të asistuar në konkretizimin e këtij modeli.

Në këtë aktivitetet do të duhej edhe implikimi i Fakulteteve të edukimit në Kosovë për të pajisur studentët me dije për zbatimin e modelit të mësimit në arsimin parauniversitar. Kjo nënkupton edhe adaptimin e programeve mësimore konform shtetit të zgjedhur për model. Kjo nënkupton edhe përgatitjen e profesoratit për këtë aktivitet përmes vizitave studimore.

Për përcaktimin e modelit përkatësisht shtegut kërkohet gatishmëri e qeverisë për të suportuar këtë aktivitet si në kuptimin financiar dhe atë moral.

(Autori ka qenë këshilltar i ministrit të MAShT-it shtator 2017 – gusht 2018)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent…