Shtëpia e Bardhë e konfirmon: Trumpi do të godasë më fort, nëse Irani nuk e pranon humbjen

25 mars 2026 | 23:40

Presidenti amerikan, Donald Trump, do ta godasë më fort Iranin, nëse Teherani nuk pranon që është “mposhtur ushtarakisht”, tha të mërkurën sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

“Presidenti Trump nuk bën blof dhe ai është i përgatitur për ta ndërsyer ferrin. Irani nuk duhet të bëjë llogari të gabuar përsëri” – tha ajo në një konferencë për gazetarë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Nëse Irani dështon që ta pranojë realitetin e çastit të tanishëm, nëse ata dështojnë që të kuptojnë se janë mposhtur ushtarakisht, dhe do të vazhdojnë të jenë [të mposhtur ushtarakisht], presidenti Trump do të sigurohet që ata të goditen më fort se që janë goditur ndonjëherë më parë” – paralajmëroi zonja Leavitt.

Përderisa lufta e përbashkët amerikano-izraelite kundër Iranit ka hyrë në javën e katërt, janë bërë përpjekje nga disa shtete si Pakistani, Turqia e Egjipti për të ndërmjetësuar mes palëve.

Një zyrtar i lartë iranian i tha agjencisë “Reuters” të mërkurën se Irani ende është duke e analizuar propozimin amerikan për përfundimin e luftës, pavarësisht një përgjigjeje fillestare që ishte negative, duke dhënë shenjë se Teherani nuk e ka refuzuar propozimin menjëherë dhe plotësisht.

Leavitt tha se bisedimet ende ishin duke u zhvilluar. “Bisedimet vazhdojnë. Ato janë produktive, siç tha presidenti të hënën, dhe vazhdojnë të jenë [produktive]” – tha ajo.

Duke cituar burime të paidentifikuara, mediat të martën raportuan se Uashingtoni i ka dërguar Teheranit një plan 15-pikësh për t’i dhënë fund luftës. Leavitt tha të mërkurën se disa elemente të këtyre raportimeve nuk ishin plotësisht të sakta, por nuk dha hollësi.

“Shtëpia e Bardhë kurrë nuk e konfirmoi atë plan të plotë. Ka elemente të së vërtetës në të, por disa nga artikujt që i kam lexuar nuk ishin tërësisht me fakte, prandaj unë nuk do të negocioj në emër të presidentit këtu në podium”, tha ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot është ndarë nga jeta Masar Bakija, ish-ushtar i UÇK-së,…