Shtëpia ‘që mund të kishte shkaktuar Luftën e Tretë Botërore’

11 shtator 2025 | 08:00

Disa imazhe të publikuara nga mediat e huaja thuhet se tregojnë shkatërrimin brenda një shtëpie polake të shkatërruar pasi u godit nga një dron rus, ndërsa Evropa i afrohet momentit të saj më të rrezikshëm që nga viti 1945.

Pronarët mbijetuan me fat, por nëse do të ishin vrarë, vdekja e tyre mund të kishte “aktivizuar” Nenin 5 të NATO-s.

Klauzola e mbrojtjes kolektive e trajton një sulm ndaj një anëtari si një sulm ndaj të gjithëve, duke ngritur perspektivën e tmerrshme të një lufte globale.

Çatia e shtëpisë në Wyryki-Wola është shkatërruar plotësisht, duke lënë një vrimë të hapur që ekspozon dhomat kah qielli, shkruan Daily Mail

Brenda, ajo që duket si një dhomë ndenjeje është e mbushur me mbeturina dhe dru të thyer.

Pluhuri ngjitet në çdo sipërfaqe, dhe goditja ka shtypur mobiljet, duke shpërndarë sende shtëpiake të thyera në dysheme.

Shtëpia i përket një çifti të moshuarish, të cilët jetonin atje me dy kafshët e tyre shtëpiake. Çifti ishte në gjumë kur droni goditi shtëpinë e tyre.

Duke folur për mediat polake, ata shpjeguan: ‘Ishte një shpërthim i fuqishëm, një bum i vetëm. Atje ku po flinim, gjithçka u shkatërrua. Ne arritëm të ngriheshim dhe të zbrisnim poshtë”.

Burri tha se edhe papafingo ishte shkatërruar dhe dhoma e gjumit kishte një vrimë të madhe në tavan.

Ai tregoi: “Dhoma ku flinim ishte shkatërruar. Gjërat nga papafingo ishin të shpërndara përreth zonës”.

Ndërsa gruaja shtoi: “Tani për tani, nuk na lejohet të hyjmë në pronë, kështu që po presim në rrugë. Mund ta kalojmë natën pranë shkollës, atje ka një hotel”.

E kryebashkiaku lokal Bernard Blaszczuk tha se çifti është vendosur përkohësisht në bibliotekën lokale.

Çifti shtoi se kanë dy fëmijë të rritur që “për fat të mirë jetojnë në një qytet tjetër”.

Ndërkohë, thekson Daily Mail, droni që ra në një fushë ishte vetëm shtatë milje larg një baze të NATO-s.

Dhe lufta mund të kishte shpërthyer nëse do të kishte goditur atë.

Pas kësaj, Mark Rutte, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës ushtarake, i tha Vladimir Putinit të “ndalojë shkeljen e hapësirës ajrore aleate dhe të dijë se ne jemi të gatshëm, se jemi vigjilentë dhe se do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s” pas diskutimeve emergjente.

Ai tha se një vlerësim i plotë ishte “në vazhdim”, duke shtuar se pavarësisht nëse inkursioni ishte i qëllimshëm, “është absolutisht i pamatur, është absolutisht i rrezikshëm”.

Ndërkohë kanë ardhur edhe reagime të tjera, përfshirë edhe një “i koduar” nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Në një postim “të koduar” në llogarinë e tij Truth Social, ai tha: “Çfarë po ndodh me Rusinë që shkel hapësirën ajrore të Polonisë me dronë? Here we go”.

Sipas mediave të huaja, kuptimi i mesazhit të Trump mbetet i paqartë, por ka të ngjarë që të dëgjojmë më shumë prej tij në ditët në vijim. /Telegrafi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë një momenti heshtjeje për Charlie Kirk në Dhomën e…