
SHTET I KAPUR!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Zgjedhjet lokale 2025: Po dalin emrat e kandidatëve për kryetarë e që në fakt janë riciklim i atyre që, me ndonjë përjashtim, nuk e meritojnë rikandidimin. Prishtina është e para në top listë sepse, kush e fiton Prishtinën, udhëheq Kosovën. PDK-ja e ka një kandidat shumë të mirë, Uran Ismajlin i cili edhe nëse nuk fiton, mund të jetë përcaktues për fituesin dhe qeverisjen e ardhshme në kryeqytet. Uranin e votojnë edhe votues të partive tjera. Përparim Rama – Përrpa, kryetari aktual ka gjasa të mira edhe për një mandat tjetër ndonëse Prishtinën e ka bërë lesh, sidomos në trafik. Nëse arrin ta përfundojë rrugën A ose ta sjellë buzë përfundimit, ta bëjë të dukshëm dhe të realizueshëm projektin për Ishullin e kryeqytetit, ta përfundojë rrugën “Rexhep Luci”, me nënkalimin e përfunduar të Kurrizit, mandatin thuaja e ka të sigurt. Vetëm i mbetet LDK-së të fitojë sa më shumë asamblistë që të qeverisë pa brenga.
LV-ja e kishte shumë problem të gjejë një kandidat për Prishtinën andaj e importoi nga Prizreni balenën e dyshuar për korrupsion të strukturuar, HAJNrullah Çeku. Ai ka gjasa të bëhet kryetar i Prishtinës për aq sa kam gjasa unë të bëhem kryetar i Teheranit. HAJNrullah Çeku është bllokuesi më i madh i të gjitha projekteve për Prishtinën prapa të cilit është Albin Kurthi, ky korb ndjellakeq për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët. Që ua bëri jetën qytetarëve të Kosovës të pajetueshme dhe nën çdo dinjitet.
Për Ferizaj lufta bëhet midis Agim Aliut nga PDK-ja dhe “kontabilistit të krimit dhe korrupsionit” të LV-së, antishqiptarit dhe paramilitarit kundër UÇK-së, Hekuran Teneqe Murati. Agim Aliu ka rezultate të prekshme, të dukshme dhe konkrete. Teneqe Murati përveç llaskucërisë ndaj liderit Suprem dhe urrejtjes së shfrenuar kundër luftës dhe UÇK-së, nuk ka ndonjë rezultat tjetër.
Në Mitrovicë nga gara hoqi dorë kryetari Bedri Hamza, nuk e kam të qartë pse duke zbehur gjasat e PDK-së për fitore. LV-ja po luan me karta të forta për të qeverisur me duar të pastra duke e kandiduar Faton Pecin – Subvencija, i cili ka filluar fushatën zgjedhore nga zyra e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës. Merreni me mend, ky mund ta fitojë Mitrovicën, në çfarë derexhe kemi rënë. Deri më tani autokrati Kurthi po luan në trojkën e fuqishme të korrupsionit për Prishtinën, Ferizajn dhe Mitrovicën.
Në Podujevë, LDK-ja nuk ka mbledhur mend, po i mundëson Shpejtim Bulliqit fitoren pa balotazh.
Situatë jonormale e kemi në Drenas. Aty, kryetari Ramiz Lladrovci ka punuar jashtëzakonisht mirë, është mbase kryetari më transparent dhe më i suksesshëm në Kosovë dhe, për vlerësim të punës së shkëlqyer që e ka bërë, pikërisht nga ata që duhej ta mbështesin më shumë, po i futin spicat në rrotën e ecjes përpara për të cilën Ramiz Lladrovci ka merita kryesore. Pa asnjë kuptim dhe e pabesueshme ku i çon lakmia për pushtet! Vazhdo Ramiz, ec para karvanit, të tjerët do të rrëzohen vet, do marrin në thua në kurthat e tyre, made in Albin Kurthi. Për komunat tjera, në shkrimet e radhës.
Njerëz të këqij, në krye të Kosovës: Edhe pas vendimit biseksual të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila e bëri të qartë se nuk ka votim të fshehtë për zgjedhje të kryetarit të Kuvendit, marioneta arkeologjike numër 1 vazhdon të dhunojë Rregulloren e Punës së Kuvendit duke e zbatuar skenarin shkatërrues të LV-së dhe ajatollahut të saj – Albin Kurthi. Me një llaskucëri jo – normale ndaj liderit dhe arrogancë, gjithashtu jo – normale ndaj opozitës dhe qytetarëve, kjo marionetë, para arsyes thërret sigurimin e Kuvendit për t’i mbyllur gojën deputetëve të opozitës. Përfundim i trishtuar dhe i mjerë, edhe për një marionetë.
Presidentja Vojsa Osmani, si ajatollahu Kamenei që fshihet në bunker nga skifterët Tramp dhe krimineli i luftës Netanjahu, kjo fshihet nga “skifteri pa sqep” Albin Kurthi dhe qyqja e rremit të thatë, Donika Shvarc, në përpjekje ta fitojë edhe një mandat. Çfarë fundi i mjerë dhe i trishtuar, qoftë edhe për “noteren e Kurthit”. Këta të paudhë nuk njohin as ligj, as Rregullore e as Kushtetutë nëse nuk janë në funksion të tyre. Për marre nuk iu skuqet fare fytyra nga fillerët e shumta që i kanë bërë me para të shtetit. Vendimet e GJK të Kosovës komentohet së pari nga “kontabilisti i krimit dhe korrupsionit” kurse një jargë e Kurthit e vë në dyshim profesionalizmin e Enver Hasanit njërit nga njohësit më të mirë të Kushtetutës në Evropë.
Marioneta numër 1 po sakrifikohet për partinë për ta vendosur marionetën numër 2 në post që me asgjë nuk e meriton, as profesionalisht e as moralisht. Profesionalisht është tabula rasa, moralisht nuk bënë sepse para dite është në Gjykatë kundër sigurisë së institucioneve shtetërore që i ka sulmuar ndërsa në mesditë do të zgjidhet në krye të këtij institucioni!
Kosova është tepër keq, nën sanksione, e varfëruar dhe me tendencën të shpopullimit ku 150.000 qytetarë kanë ikur nga Kosova gjatë mandatit të dytë të qeverisë antikombëtare Kurthi 2.
Albin Kurthi, për të mbetur në pushtet do të pranojë çdo gjë që vjen nga Tramp. Edhe ashtu nuk i kurset, as për Kosovën e as për shqiptarë. I futur në zhguallin e oligarkëve politikë që zotërojnë dhe keqpërdorin pa fije mëshire paratë e qytetarëve, mbrojtjen e kërkon nga votuesit që ua ka shpëlarë trurin dhe nga mbrojtja policore që i ka shndërruar në Gardë pretoriane.
Kosova është keq sepse po e udhëheqin njerëz të këqij.
Kosova është keq sepse nuk ka opozitë që shkon para procesit por që tërhiqet sipas inercionit në bisht të procesit.
Kosova është keq sepse nuk ka aktivizim qytetar.
Mbase temperaturat e larta e kanë fajin. Apo…?