Shtetarët në Kosovë dhe Gjykata e Kosovës në Hagë

23 janar 2026 | 15:39

Nga Prof. Dr. Kudusi Lama, gjeneral në pension

Kam dëgjuar të thuhet se në Gjykatën e Kosovës në Hagë nuk ka asnjë simbol të shtetit të Kosovës. As flamuri shtetëror nuk është i vendosur në asnjë vend.

Dhe po pyes: a është normale në akt i tillë?

Unë ndoshta jam pa njohuri, por e di se shtetarët e Kosovës kanë njohuri të plota për dukuri të tilla dhe për atë se si duhet vepruar në situata të tilla.

Dhe në radhën e shtetarëve të Kosovës rreshtohen Presidenti, Qeveria, Parlamenti dhe gjithë aparati rreth tyre, ashtu sikurse sistemi i drejtësisë dhe media.

Mendoj që të gjithë këto përbëhen nga njerëz të arsyeshëm, të shkolluar, atdhetar, kombëtarisht të formuar, me ndjenjë përgjegjësie për detyrën, me besnikëri ndaj ligjit, me dëshirë për të bërë më të mirën për qytetarët e Kosovës, për të ardhmen e atdheut dhe kombit.

Këtu përjashtoj ndonjërin që akoma i shërben pronarit të vjetër – Serbisë, i veshur me petkun e shtetarit të Kosovës, duke fshehur fytyrën e vërtetë, (që ndjej hidhërim të thellë nëse do të ketë ndonjë të tillë), por që ashtu si infeksionet të cilat pastrohen nga trupi i njeriut me mjeshtërinë e specialistëve të mjekësisë edhe ata do të pastrohen me punën e inspektorëve të historisë.

Megjithëse kam shkruar disa herë për figurën e jashtëligjshme të Gjykatës së Kosovës në Hagë, për mënyrën si po e trajton ecurinë e jetës së atyre burrave të çlirimit të Kosovës që janë marrë peng në atë gjykatë. Por po ndalem edhe njëherë për të bërë një vështrim mbi këta dy përbërës të kohës tonë, që kanë përgjegjësi për ecurinë normale të drejtësisë ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Luftës së saj të lavdishme. E këta janë: Shtetarët në Kosovë dhe Gjykata e Kosovës në Hagë, që mendoj se ka ardhur koha e fundit, të jenë të nderuar ose me turp përpara historisë së nesërme të Kosovës dhe jo thjeshtë personalisht si individë, por si shtet dhe gjykatë drejtësie.

Pse kam këtë mendim: Sepse Gjykata e Kosovës në Hagë është si mall pa të zot.

Ajo Gjykatë burrat tanë të luftës Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, po vijon të na i mbajë peng, pa dhënë asnjë shenjë drejtësie, pa shikuar asnjë standard të drejtësisë ndërkombëtare, duke ua ndaluar fjalën dhe duke u privuar të drejtat. Ndërsa në Prishtinë bëhet sikur qeveriset. Shtetarët i thonë popullit se po qeverisin mirë. Por një qeverisje e mirë puna e parë mbron shtetasit e vet edhe kur janë qytetarë të thjeshtë. Ndërsa në kushtet kur të kërcënuar pa asnjë arsye janë prijësit e Luftës Çlirimtare të Kosovës, nuk mund të qeveriset asnjë ditë pa u bërë palë me ta. Sepse pas tyre qëndron historia e Kosovës, pas tyre qëndron liria e Kosovës, pas tyre qëndron shteti i Kosovës, pas tyre qëndron pastërtia e Kosovës, pas tyre qëndron e ardhmja e Kosovës. Pra rënia e tyre sjellë rënien e të gjitha këtyre vlerave jetësore të kombit shqiptar, sepse ishin prijësit e asaj që i realizoj të gjitha këto, – Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Unë nuk u them shtetarëve mos i thoni popullit që Kosovën e kemi çliruar ne. Unë nuk them mos u thoni qytetarëve të Kosovës që këtë shtet të Kosovës e kemi krijuar ne, unë nuk them mos u thoni qytetarëve të Kosovës që liria është e sigurt vetëm me ne, unë nuk them mos u thoni qytetarëve të Kosovës se e ardhmja mund të ndërtohet vetëm nën udhëheqjen tuaj. Sepse po nuk thatë kështu nuk mund të qëndroni në pushtet. Prandaj politikisht ashtu veproni, sepse pa e mashtruar nuk mund ta qeverisësh një popull siç duket, megjithëse unë kam pasur tjetër mendim.

Por në ndërgjegjen tuaj, duhet të jeni të qartë, se ishin të tjerë ata që e çliruan Kosovën, ishin të tjerë ata që e krijuan shtetin e Kosovës, ishin të tjerë ata që vërtetë kishin kapacitete ta bënin lirinë të sigurt në çdo kohë, ishin të tjerë ata që i hodhën themelet e të ardhmes së Kosovës. E duke pasur ndërgjegjen të kthjelltë për këto, mendoj se duhet të kryeni detyrën ndaj prijësve të luftës që na janë marrë peng me hile. Sepse kështu vërtetë mund të bëheni të lavdishëm. Dhe duke kryer këtë detyrë ju nuk u shërbeni thjeshtë atyre prijësve të luftës. por mbroni Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës; mbroni Luftën Çlirimtare të Kosovës; mbroni pastërtinë e krijimit të shtetit të Kosovës; mbroni lirinë e Kosovës; mbroni nderin e kombit shqiptar; në fund të fundit mbroni edhe dinjitetin e atij shteti të cilin po e udhëhiqni.

Dhe dua të them, se ka disa nga ne – luftëtarët, që e hedhim edhe ndonjë fjalë më tepër. Themi nganjëherë edhe ndonjë fjali apo bëjmë edhe ndonjë akuzë të papranueshme. Por ju shtetarët nuk jeni individë. Ju jeni bërthama e qenies së shtetit të Kosovës. Nuk mendoj se duhet të bëheni kaq të vegjël sa të merreni me deklarata individësh.

Në karrierën time kam ecur sipas parimit: Komandanti shikon jo çfarë shikohet, por çfarë atij i intereson të shikojë dhe dëgjon jo çfarë dëgjohet, por çfarë atij i intereson të dëgjojë.

Sepse të dashur shtetarë, po dëgjuat çfarë dëgjohet e shikuat çfarë shikohet, do të mbeteni duke shikuar e dëgjuar dhe nuk mund të bëni asnjë punë tjetër. Dhe ju duhet të dëgjoni e shikoni vetëm çfarë duket e thuhet që i prish punë Kosovës. Asgjë tjetër për shtetarët nuk ndodhë as nuk thuhet.

E kryesore për Ju shtetarët e Kosovës sot është ajo çfarë shikohet e dëgjohet në Hagë. Atje ku kemi peng prijësit e Luftës që na dha Kosovën, të cilën po e qeverisni ju sot.

Dhe mendoj se forca juaj është pikërisht të qëndrimi përballë kësaj padrejtësie që është instaluar në Hagë prej pesë vitesh. Nga marrja nën kontroll ose përballja me këtë institucion që megjithëse i krijuar nga ju shtetarët e Kosovës, sot ka rebeluar dhe nuk dëshiron t’u njohë por bën si donë Beogradi. Këtu është forca ose dobësia juaj, këtu është autoriteti i shtetit të Kosovës, këtu është bindja se Kosova ka të ardhme, këtu është edhe drejtësia dhe e drejta hyjnore e ligjore.

Sepse përballë keni një gjykatë e cila është kthyer në një instrument mesjetar inkuizicioni. Të paktën me çfarë është parë dhe dëgjuar deri tani. E unë uroj të jem i pasaktë dhe në përfundim të dal i zhgënjyer. Sepse kam shumë dëshirë t’i besoj drejtësisë ndërkombëtare dhe kombëtare e shtetërore. E për mua dhe për të gjithë shqiptarët mendoj, sot pasqyra e drejtësisë ndërkombëtare është Gjykata e Kosovës në Hagë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
N.Z.T.T “Kelitex” O.P, shpall të humbur certifikatën e TVSH-sëc me…