Shtetet europiane zgjerojnë kufizimet kundër pandemisë

28 korrik 2020 | 11:05

Niveli i përhapjes së Covid-19 vijon të rritet në shtetet europiane dhe bashkë me të edhe shqetësimi i autoriteteve për një valë të dytë. Për të shmangur një gjë të tillë, qeveritë po adoptojnë masa të reja kufizuese për të luftuar transmetimin e virusit.

Belgjika vendosi rregulla të reja këtë javë për grumbullimet sociale të njerëzve, duke lejuar takimin e jo më shumë se 5 personave jashtë familjes, gjithashtu është reduktuar numri i personave që mund të mblidhen në ambiente të hapura e të mbyllura. Aktualisht, Belgjika ka një ndër nivelet më të larta të përhapjes së Covid-19 në Europë.

Spanja, është një shtet europian që po përjeton një rritje shqetësuese të shifrave ditore, teksa autoritetet po përpiqen të shpëtojnë industrinë e turizmit. Autoritetet insistojnë se pandemia është nën kontroll dhe kritikojnë Mbretërinë e Bashkuar për vendosjen e Spanjës në listën e vendeve me rrezikshmëri të lartë, gjë e cila do të thotë se turistët apo shtetasit që shkojnë në këtë vend e kthehen në Britani do të duhet të vetëkarantinohen për 14 ditë.

“Po bisedojmë me autoritetet britanike në përpjekje për t’i bërë ata të rikonsiderojnë një masë, e cila sipas opinionit tonë, nuk është vendosur mirë duke marrë në konsideratë kushtet epidemiologjike të Spanjës, veçanërisht në disa destinacione të vendit tonë”, u shpreh kryeministri spanjoll.

Ndërkohë, Gjermania zyrtarizon masën e testeve të detyrueshme për koronavirus për këdo që udhëton në shtete me rrezikshmëri të lartë. Në këtë vend, nuk ka shifra të larta, por autoritetet kërkojnë të parandalojnë një valë të dytë.

Ndërsa Franca fqinje ka urdhëruar mbylljen e plazheve në Quiberon gjatë natës, pas shfaqjes së një vatre të re përhapje në një resort.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zambakë, lulekuqe dhe karafila në përmasa të mëdha janë punimet…