
Shtetet evropiane po përballen me rritje të rasteve me Covid-19
Republika Çeke raportoi një rekord prej 5 335 rastesh të reja me koronavirus, derisa Gjermania shënoi më shumë se 4 058 raste, thanë zyrtarët shëndetësorë qeveritarë në këto dy vende të Bashkimit Evropian. Disa vende të tjera evropiane kanë shprehur shqetësime për rritjen e rasteve të reja me Covid-19.
Republika Çeke me 10.7 milionë banorë ka regjistruar një rritje të shpejtë të shifrave të të infektuarve në dy javët e fundit. Gjermania paralajmëroi se vendi mund ta humbasë kontrollin ndaj pandemisë pasi shifra e 8 tetorit është gati dyfish më e lartë se ajo e një dite më parë. Në kulmin e pandemisë në fund të marsit dhe fillim të prillit, Gjermania shënonte më shumë se 6 000 raste të reja në ditë. Më pas numri i rasteve të reja filloi të shënojë ulje të ndjeshme. Por, situata ndryshoi përsëri në korrik.
Numri i të vdekurve në Republikën Çeke u rrit në 829 më 7 tetor, ndërsa Gjermania arriti në shifrën 9 571.
Italia, e cila po ndërmerr hapa për të mbajtur situatën nën kontroll, vendosi masën e mbajtjes së maskës në ambient të hapur dhe gjoba deri në 1 000 euro për shkelësit e këtij rregulli.
Vendi, i cili u godit rëndë në fillim të pandemisë, po përballet me një rritje të vazhdueshme të numrit të të infektuarve që nga fillimi i gushtit, por shkalla e përgjithshme është aktualisht ndër më të ulëtat në Evropë.