
Shteti refuzon kërkesën e të bijës së martirit Ymer Elshani për pension
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Departamenti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, Divizioni i Skemave për Kategoritë e Luftës, ka refuzuar kërkesën e të bijës së martirit Ymer Elshani, Teuta Elshani, për njohjen e të drejtës në pension të skemës Familja e Viktimave Civile.
“Pas 26 vitesh për herë të parë e provova shtetin tim se sa vlerësohet sakrifica e familjes sime.
Përgjigjja që mora:
Refuzim për njohjen e të drejtës për pension sipas kategorisë “Familjet e Viktimave Civile të Luftës”.
Ky vendim nuk pasqyron drejtësisht realitetin dhe historinë tonë familjare, dhe ngre pyetje serioze për ligjin në fuqi dhe mënyrën se si shteti trajton familjet që kanë humbur gjithçka gjatë luftës.
Do të ndjek çdo rrugë ligjore dhe institucionale për të kërkuar atë që na takon me të drejtë –
jo vetëm për familjen time, por për të gjitha familjet që meritojnë të dëgjohen, të respektohen dhe të mos harrohen kurrë”, ka shkruar Teuta Elshani, e vetmja e mbijetuar e familjes së mësuesit dhe shkrimtarit Ymer Elshani.