
Shtrenjtimi i rrymës, Rafuna: Bizneset do të shkojnë drejt falimentimit
Shtrenjtimi i energjisë elektrike po paralajmërohet se do të sjellë krizë ekonomike në sektorin privat. Oda Ekonomike e Kosovës ka paralajmëruar se bizneset do të shkojnë drejt falimentimit nëse nga qershori hyn në fuqi vendimi për daljen e tyre në tregun e lirë energjetik.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna, në RTK për këtë temë, tha se politika nuk është duke u marrë me rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe as me daljen e bizneseve në tregun e hapur. “Këto 10 ditë kam vizituar shumë biznese, por edhe kemi pasur shumë thirrje të bizneseve për të parë se çka është duke ndodhur”, tha ai.
Rafuna theksoi se një rritje e tillë prej 16.1 për qind për bizneset të cilat kanë të punësuar më pak se 50 punëtorë, ose kanë qarkullim më pak se 10 milionë, është një rritje shumë e madhe që nuk mund ta përballojnë, për arsye se këto janë biznese shumë të vogla.
“Disa prej tyre edhe janë në hapat e parë dhe nuk kanë mundësi financiare që të përballojnë një rritje të tillë, sidomos kur dihet që mungon një subvencionim prej institucioneve qendrore.”
Po ashtu, një shqetësim tjetër, sipas tij, që do të shkaktojë edhe falimentim të bizneseve, është edhe dalja në tregun e lirë prej një qershorit për bizneset të cilat kanë të punësuar mbi 50 punëtorë.
“Numri i këtyre bizneseve është afërsisht dy mijë sipas të dhënave që i kemi nga Administrata Tatimore e Kosovës. Ofertat që kanë ardhur këto ditë nga anëtarët e Odës Ekonomike sillen rreth 225 për qind më lartë sesa çmimi i energjisë elektrike që ka qenë deri më tani. Një biznes që e kishim sot në Odën Ekonomike ka paguar deri më tani 240 mijë euro për një muaj energji elektrike dhe pas ofertës që i ka ardhur dje, çmimi do t’i shkojë në 750 mijë për faturën mujore,” deklaroi ai.
Sipas tij, të gjithë sektorët do të preken nga shtrenjtimi i energjisë elektrike, sidomos ai i prodhimit. “Përveç prodhimit është edhe sektori i shërbimeve dhe të gjithë sektorët tjerë do të afektohen nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.Të gjithë këta sektorë alarmojnë se një rritje të tillë të energjisë elektrike pas një qershorit nuk do të mund t’i bëjnë ballë dhe do të shkojnë drejt falimentimit,” tha ndër të tjera Rafuna.