Shtrenjtohet çimento në Kosovë për 24.4 për qind, reagojnë bizneset

23 janar 2020 | 13:59

Përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) kanë mbajtur të enjten konferencë për medie lidhur me ngritjen e çmimit të çimentos për rreth 25 për qind.

Përfaqësues të bizneseve kanë shprehur shqetësimet e tyre dhe kundërshtimin ndaj lëvizjeve dhe ndryshimeve të çmimeve që kanë ndikim të drejtpërdrejt në aktivitetin e tyre ekonomik.

Bazuar në reagimet e bizneseve, Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka shprehur mbështetje në të drejtën e bizneseve për shqetësimet e tyre të argumentuara.

Naim Mahmutaj nga OAK-u, në një konferencë për media, ka deklaruar se ngritja e çmimit 24.4 për qind është e qartë se “Sharrcem” është duke e përdorur rolin dominues në treg që të ngritë në mënyrë arbitrare çmimet e çimentos. “Kjo sjellje lë të hapur mundësinë në vazhdimësi të kemi abuzim me pozitën e dominuese në treg që gëzon kjo kompani”, u shpreh Mahmutaj.

Ai ka thënë se ngritja e çmimeve ka ndodhur pa ndonjë paralajmërim paraprak. Sipas tij, ngritja është e papërballueshme për bizneset dhe ka ndikim drejtpërdrejt te konsumatorët.

Të pranishëm në këtë konferencë për media ishin edhe përfaqësuesit e sektorit të ndërtimit, të cilët theksuan se shtrenjtim i çimentos është i padrejtë.

Prodhuesi i betonit Bujar Avdyli tha se kjo ngritje e çmimeve nuk do të prekë vetëm prodhuesit por do të ndikojë në shtrenjtimin e çmimit të betonit që do të jetë vetëm në dëm të qytetarëve të Kosovës.

Bizneset të cilat furnizohen me lëndë të parë nga “Sharrcem” kanë theksuar se çmimi i çimentos para muajit mars të vitit 2019 ka qenë 60.89 euro, ndërsa pas kësaj date është rritur në 68.44 euro. Nëntë muaj më pas çmimi është ngritur prapë duke kaluar në shifrën 75. 75 euro.

Kohë më parë Oda e Afarizmit të Kosovës kishte bërë kërkesë tek Autoriteti Kosovar i Konkurrencës që të parandalojë që gjëra të tilla të mos ndodhin.

Oda e Afarizmit po ashtu i ka dërguar kërkesë kompanisë “Sharrcem”, për ta shpjeguar këtë rritje të çmimit por ata janë shprehur se ky vendim është marrë duke u bazuar në ekonominë e tregut të lirë.

OAK-u gjithashtu ka bërë thirrje që të angazhohen edhe organet e shtetit si Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që ta verifikojnë cilësinë e betonit po edhe të verifikohet e gjithë gjendja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Jose Mourinho e ka pranuar publikisht se Tottenham Hotspur…