Shtyhet afati i deklarimit të pasurisë për shkak të pandemisë

24 maj 2020 | 11:08

Jo të gjithë zyrtarët e lartë publikë e kanë deklaruar pasurinë në Agjencinë e Kundër Korrupsionit deri më 31 mars kur ka qenë afati i fundit për deklarim, pasi kjo Agjenci e ka shtyrë këtë proces deri në një afat të pacaktuar për shkak të pandemisë.

Zyrtarë të kësaj Agjencie për Kundër Korrupsion pohojnë se edhe në këtë kohë të pandemisë kanë trajtuar raste korruptive sa i përket hetimit, parandalimit dhe dërgimit në prokurori.

Drejtori i Departamentit për Deklarimin e Pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, Agron Behrami, thotë për KosovaPress se sa iu përket rasteve të parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, Agjencia me një staf të reduktuar ka arritur të procedojë disa raste në prokurori edhe në këtë kohë pandemie.

“Sa iu përket rasteve të parandalimit dhe luftimit të korrupsionit në Agjencinë Kundër Korrupsionit, e themi me bindje të plotë se Agjencia ka vazhduar punën e saj, por jo me komplet stafin, mirëpo me një numër të përgjysmuar të zyrtarëve të lartë publikë kemi vazhduar punën dhe kemi trajtuar raste sa i përket hetimit, parandalimit dhe dërgimit në institucionet e tjera. Pra, të gjitha rastet të cilat kanë qenë të raportuara, Agjencia i ka marrë me prioritet dhe ka trajtuar edhe gjatë kësaj periudhë këto raste. Sa iu përket rasteve që janë trajtuar këtë vit, ne në fundvit nxjerrim raportin përfundimtar. Statistikat janë duke u punuar dhe nuk i kemi si statistika të sigurta për këtë periudhë”, ka deklaruar Behrami.

Ai ka thënë se rreth 80 për qind e zyrtarëve të lartë publikë kanë deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsion për këtë vit, kurse 4 694 zyrtarë publikë janë të obliguar t’i nënshtrohen deklarimit të pasurisë. “Sa i përket deklarimit të pasurisë në afatin e rregullt, ne në çdo kohë edhe tani jemi duke pranuar formularët. Deri më tani rreth 80 për qind e zyrtarëve të lartë publikë kanë përfunduar procesin e deklarimit të pasurisë, ndërsa një pjesë ende nuk kanë pasur mundësi ta përfundojë procesin e deklarimit të pasurisë për shkak që zyrtarëve të lartë publikë iu duhet që të bashkëpunojnë me institucionet dhe të grumbullojnë informata sa i përket deklarimit të pasurisë, po ashtu dhe një numër i zyrtarëve të lartë publikë nuk kanë pasur mundësi të dalin në detyrë. Kemi raste që edhe zyrtarë të lartë publikë janë të prekur me Covid-19 dhe nuk kanë pasur mundësi ta deklarojnë pasurinë. Kjo ka qenë një arsye bazë që AKK e ka shtyrë afatin e deklarimit të pasurisë derisa të zbuten masat. Ne do t’i kthehemi procesit të deklarimeve kur të përfundojë kjo situatë”, thotë ai.

Sipas Behramit, deklarimi i pasurisë ka rolin e fuqishëm sa i përket parandalimit në përgjithësi të rasteve apo dukurive kundër korrupsionit, teksa ka theksuar se mosdeklarimi i pasurisë dhe deklarimi i rremë i pasurisë është vepër penale.

“Sa i përket parandalimit apo efektit në luftën kundër korrupsionit, deklarimi i pasurisë është vetëm një masë parandaluese kundër korrupsionit në përgjithësi. Ne mendojmë se ka një rol të rëndësishëm në procesin e parandalimit të korrupsionit. Po ashtu, ka ndikuar shumë edhe transparenca në deklarimet e pasurisë, që nga viti 2010 janë publike këto informacione. Andaj, ka ndikuar në një masë të caktuar te qytetarët të paraqesin raste dhe t’i raportojnë këto raste. Sigurisht se edhe prokuroria dhe Policia e Kosovës janë marrë me këto deklarata në përgjithësi dhe kanë bërë kontrolle të ndryshme sa i përket procesit të deklarimit të pasurisë”, pohon Behrami.

Sipas Behramit, në vitin e kaluar rreth 1.6 për qind e zyrtarëve të lartë publikë ose rreth 60 zyrtarë nuk e patën deklaruar pasurinë dhe të gjitha këto raste janë proceduar në institucionet përkatëse dhe në prokurori, pastaj ka pasur edhe vendime të ndryshme edhe me gjoba.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nuk ishte i vetmi lider botëror që tallej me koronavirusin,…