Shtyhet mbyllja e kampit Vuçjak në Bosnje

09 dhjetor 2019 | 11:54

Autoritetet në Bosnje e kanë shtyrë për kohë të pacaktuar mbylljen e planifikuar të Vuçjakut, një kamp i improvizuar për emigrantë, në veriperëndim të këtij vendi.

Javën e kaluar është thënë se mbyllja e kampit, ku ndodhen rreth 600 emigrantë do të niste sot.

Autoritetet në Bosnje janë përballur me kritika nga grupet e të drejtave të njeriut dhe Bashkimi Evropian për kushtet e rënda atje.

Kampi, i cili ndodhet në afërsi të një zone me mina, që kanë mbetur nga lufta e viteve 1992-95, nuk ka as ujë, as energji elektrike, tualete apo shtretër.

Rade Kovaç, drejtor i Shërbimit të Bosnjës për Çështje të Jashtme, e ka vizituar kampin të hënën dhe ka thënë se autoritetet e kanë shtyrë mbylljen e tij deri në njoftimin e radhës, raporton “Rel”.

Kovaçi ka thënë se emigrantët përfundimisht do të zhvendosen në një nga qendrat e pritjes në Kantonin e Sarajevës.

Ai nuk ka dhënë arsye për shtyrjen, por, sipas disa medieve, vendimi është marrë nga mungesa e akomodimit të duhur në qendrat e pritjes.

Me afrimin e dimrit, presioni për mbylljen e Vuçjakut është rritur dhe përfaqësuesja e lartë për të drejta të njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq, ka paralajmëruar javën e kaluar se “njerëzit në Vuçjak do të fillojnë të vdesin”.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, në Bosnje aktualisht ndodhen rreth 7 500 emigrant, kryesisht të ikur nga luftërat në Lindjen e Mesme.

Emigrantët që synojnë të arrijnë në Evropë, shpesh hyjnë në Bosnje përpara se të kalojnë në Kroaci, vend anëtar i Bashkimit Evropian, dhe të vazhdojnë më pas tutje më në perëndim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rusisë i është ndaluar për katër vjet pjesëmarrja në ngjarje…