
Shtyhet seanca gjyqësore për gazin lotsjellës
Seanca gjyqësore ndaj Albulena Haxhiut, Donika Kadaj dhe Pal Lekajt, lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në shkurt të vitit 2016, është shtyrë për shkak të angazhimeve të disa zyrtarëve të përfshirë në proces.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati i Pal Lekajt, Musa Demati.
“Seanca e sotme, e planifikuar të mbahej në rastin e njohur të gazit lotsjellës, është shtyrë. Kjo për shkak të disa zyrtarëve të cilët kanë njoftuar me parashtresë me shkrim se janë të angazhuar me agjendën e tyre të punës. Sa i përket klientit tim, Pal Lekaj, ai ndodhet në Kroaci dhe ka prenotuar biletën e kthimit për të qenë pjesëmarrës në këtë seancë, por u njoftuam me telefon se, për arsye të tjera, seanca është shtyrë”, deklaroi Demati para gazetarëve.
Ai shtoi se nuk ekzistojnë prova që e konfirmojnë veprën penale me të cilën janë ngarkuar të akuzuarit.
“Ajo që është me rëndësi në këtë çështje është se, në raport me klientin tim dhe me të tjerët, nuk ekzistojnë prova relevante që mund të konfirmojnë konstituimin e veprës penale me të cilën ngarkohen. Një element tjetër me interes është fakti se, sipas së drejtës penale, parashkrimi absolut në këtë rast do të arrihet deri në fund të këtij viti”.
Haxhiu, Kadaj dhe Lekaj akuzohen se kanë futur bombola me gaz lotsjellës në Kuvend, duke kryer kështu veprën penale “mbajtje pa leje e armëve”.
Më herët, për shkak të mungesës së provave, Haxhiu, Lekaj, Kadaj dhe Besa Baftiu ishin liruar nga akuzat për mbajtje pa leje të armëve.
Në vitin 2015, raportohej për sulme të vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës në atë kohë nga Lëvizja Vetëvendosje që ishte opozitë.
Situata e tensionuar në Kuvendin e Kosovës kishte nisur me 22 shtator të 2015, me sulme me vezë e gaz lotsjellës.
Në kërkim të shfuqizimit të marrëveshjes për ngritjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në muajin tetor të 2015, në një seancë ku po udhëhiqej nga ish-kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, seanca plenare ishte ndërprerë pasi që deputetët nga radhët e opozitës LVV kishin hedhur gaz lotsjellës në sallë.
Në atë kohë ky sulm ishte bërë për shkak të marrëveshjeve me Serbinë dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin.
Në gusht të 2016, gazi lotsjellës ishte rikthyer sërish në Kuvendin e Kosovës gjatë mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme, ku ishte duke u shqyrtuar Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes me Malit të Zi.