Shukri Buja forcon ekipin e rij me një eksperte të arsimit: Fuqi e re e përkushtim për ndryshim

20 korrik 2025 | 20:38

Partia Demokratike e Kosovës në Lipjan është forcuar me një emër të ri, të përgatitur profesionalisht dhe të përkushtuar në fushën e arsimit, administratës dhe diplomacisë. Mirishahe Tasholli (Mira) i është bashkuar ekipit të Shukri Bujës, duke sjellë me vete energji të re, dije dhe përkushtim për ndryshim.

Lajmin për aderimin e saj e ka dhënë vetë Shukri Buja, i cili tha se ky është një hap i rëndësishëm në konsolidimin e ekipit të tij drejt zgjedhjeve lokale dhe ndërtimit të një qeverisjeje më profesionale në Lipjan.

“Mira përfaqëson gjeneratën e re të grave lidere, që nuk presin, por veprojnë”, shkruan Buja në njoftimin e tij, duke theksuar se ajo është një profil i rrallë që vjen me përvojë dhe vlera të çmuara për partinë dhe komunitetin.

Mirishahe Tasholli ka përfunduar studimet në Administratë Publike dhe Diplomaci, ndërsa është Magjistre e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë me studime të kryera në Shkup. Ajo ka punuar në institucione të rëndësishme shtetërore, përfshirë Kuvendin e Kosovës dhe Gjykatën e Apelit.

“PDK është shtëpia e atyre që nuk rrinë duarkryq. PDK është zgjedhja e atyre që punojnë për qytetarin. Mira vjen për të fuqizuar zërin e të rinjve, të grave dhe të profesionistëve në jetën publike”, ka shtuar Buja.

Përveç arsimimit dhe përvojës institucionale, Tasholli ka ndjekur edhe dhjetëra trajnime ndërkombëtare dhe vendore, përfshirë diplomacinë dhe protokollin në London College, luftën kundër korrupsionit dhe çështje të sigurisë, e certifikuar nga një organizatë që vepron në kuadër të NATO-s në Kosovë.

Më parë ka qenë edhe Drejtuese e Sekretariatit të Gruas Aktiviste në Lëvizjen Vetëvendosje në Lipjan, ndërsa tani e sheh të ardhmen e saj politike brenda PDK-së.

“Mirishahe Tasholli: mirë se erdhe në shtëpinë e të fortëve, të guximshmëve dhe të vendosurve për ndryshim”, përfundon Shukri Buja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Igor Popovic, ndihmësdrejtori i të ashtuquajturit drejtorit të “Zyrës për…