Shukri Buja propozon emrin e Jakup Krasniqit për President: “Moment historik për përgjegjësi”
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për Zonën e Nerodimes, Shukri Buja, ka propozuar Jakup Krasniqin, si kandidat të mundshëm për President të Kosovës. Propozimi është bërë publik përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Në reagimin e tij, Buja thekson se Kosova po përballet me një “rreth vicioz të konstituimit të organeve shtetërore”, duke e cilësuar situatën aktuale si një bllokadë pa dalje, për të cilën, sipas tij, as zgjedhjet e reja nuk ofrojnë zgjidhje reale.
“Vendi ynë ka nevojë për një hap të guximshëm, të mençur dhe të qëndrueshëm”, ka shkruar ai, duke shtuar se propozimi i tij synon një zgjidhje që e konsideron të drejtë dhe të qëndrueshme për rrethanat aktuale politike.
Buja e cilëson këtë si një zgjidhje sfiduese, me një porosi të qartë për luftën çlirimtare dhe një mesazh për drejtësinë. Ai rikujton se përfaqësuesit e popullit kanë votuar për procesin e Dhomave të Specializuara dhe, sipas tij, po ata përfaqësues mund të japin një verdikt politik e moral për pafajësinë e ish-bashkëluftëtarëve.
Sipas Bujës, zgjedhja ideale do të ishte ish-presidenti Hashim Thaçi, por ai pranon se, duke njohur qëndrimet e LVV-së, të kryeministrit Albin Kurti, të presidentes Vjosa Osmani dhe të koalicionit qeverisës, një kandidaturë e tillë do të ishte e vështirë për t’u kaluar politikisht.
Megjithatë, ai argumenton se ky qëndrim nuk duhet të vlejë për një figurë tjetër të luftës, për të cilën, sipas tij, nuk mund të thuhet se ka përkrahur Dhomat e Specializuara dhe që nuk përfaqëson interesa të ngushta partiake.
“Propozimi im është i qartë: Z. Jakup Krasniqi”, ka theksuar Buja, duke e cilësuar atë si një personalitet atdhetar, figurë sakrifice dhe konsensuale.
Ai ka përmendur faktin se Krasniqi aktualisht ndodhet në burg, por nuk është i dënuar, duke iu referuar parimit kushtetues të prezumimit të pafajësisë dhe dispozitave që rregullojnë ushtrimin e funksionit të Presidentit në rast pamundësie të përkohshme.
Në fund të reagimit, Buja ka theksuar se zgjedhja e Krasniqit nga deputetët e Kuvendit do të përbënte një “verdikt të qartë politik” të popullit të Kosovës dhe një mesazh për drejtësinë ndërkombëtare lidhur me qëndrimin ndaj udhëheqësve të luftës çlirimtare.
“Ky është moment historik për përgjegjësi!”, ka përfunduar ai reagimin e tij.



