Shumë faleminderit Kosovë!

10 gusht 2021 | 12:37

Edmond Vlashaj

Dikur ju flisja njerëzve për pastrimin e pyjeve, si mundësi punësimi sepse grumbullohej gjithë ajo sasi biomase çdo vit e cila mund të lehtësonte barrën e mbijetesës për ngrohjen e mbi 40 000 familjeve në nevojë, ngrohjen e shkollave, kopshteve, çerdheve, etj. Por gjithashtu edhe si një mundësi parandalimi i zjarreve masive e shkatërruese.

– Thoshin ça flet ky maloku në mes të Tiranës.

– Tani merreni me lëng, se mishi mbaroi, në fakt as kocka s’kanë mbetur.

30 vite më parë, për dekada me radhë industria pyjore ishte degë shumë fitimprurëse e ekonomisë Kombëtare.

Këto vitet e fundit, industria pyjore ka qenë monopol i “X” i disa Patriceve, vetëm për të prerë dhe për të shitur pyjet tonë, pa pengesë, më lirshmërinë më të madhe.

Ndërsa plebenjve, hallexhinjve, malësorëve të maleve tona u vihej kufiri te pragu i shtëpisë, saqë edhe drunjtë e zjarrit për ngrohje duhet t’i nxirrnin me leje të posaçme varësisht prej zemërgjerësisë ose jo të Patriceve të Monopoleve Jakobine të Shqipërisë së viteve të fundit.

Tani me kilometra zjarre nëpër pyjet dhe malet tona.

– Plot me trungje të thata eshkë, gati për zjarr prej veç një shkëndije,

– Pa “breza të butë”  breza katër deri dhjetë metra gjerësi pa pemë, për të bërë të mundur lokalizimin dhe ngadalësimin e zjarreve, si dhe kalimin e shpejtë të njerëzve dhe mjeteve zjarrëfikëse.

– Pa dhe, pa grumbuj dheu të gatshëm për tu ngulur lopatat e shpërndarjes se dheut mbi zjarre.

– Pa rezervuare uji mbi përroje e përroska, me penda të bëra me mjete rrethanore, për ta pasur këtë ujë të mbledhur gati për ditë si këto te zjarre në malet tona.

– Pa gropa uji ku te mbushet një kove.

– Dhe pa vullnetin dhe mobilizimin e malësorëve të cilët me kollaj ia falin gjithçka zjarrit pa lëvizur as capin e jo më hapin, sesa t’ua bëjnë hallall atyre qe i trajtuan si “gjindje” e pa denjë për tu respektuar si bashkëjetuesit e maleve dhe pyjeve me ADN-në e tyre përcjellë ndër shekuj bashkë edhe me sekretet e mirësjelljes me malet, me pyjet, me natyrën dhe me çdo krijesë që ka bashkëjetuar me ta në këtë ekosistem.

Ka shumë për të thënë, por le të shohim pozitiven edhe në këtë krizë halli për mendët e kokës.

Gjithsesi shume faleminderit Kosovës!

Shumë faleminderit për ndihmën dhe gjindshme rinë, por me shumë sesa kaq, shumë faleminderit që po na japin mend, sidomos sot kur mëndët janë gjëja kryesore që mungon në Shqipëri.

Edmond Vlashaj

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka inkurajuar zjarrfikësit…